"Një plagë e pambyllur"! Kështu e ka cilësuar kryeministri Edi Rama tragjedinë e Otrantos të 20 viteve më parë ku humbën jetën 81 persona dhe 24 të tjerë u zhdukën, emigrantë shqiptarë të cilët kishin marrë rrugën drejt Italisë kur anija e tyre u përplas me anijen italiane Sibilla.
 
Në aktivitetin e organizuar në Vlorë të titulluar "Urë për në Otranto" në nderim të viktimave të Otrantos, kreu i qeverisë theksoi se familjet e prekura nga kjo tragjedi ende kërkojë ndëshkimin e fajtorëve nga drejtësia.  
 
"Janë plot 20 vite që nga ajo e premte, që ishte një ditë e shenjtë për të gjithë ata që besojnë, por që u kthye në një të premte të zezë për Vlorën, duke u bërë edhe tragjedia më e rëndë e ndodhur ndonjëherë në historinë e gjithë këtyre viteve të vështira.
 
24 të zhdukur dhe 81 viktima të regjistruara janë edhe sot, e do të mbeten gjithnjë një plagë e pambyllur në kujtesën e këtij qyteti, në radhë të parë, por dhe të të gjithë atyre që me këtë qytet kanë një lidhje shpirtërore.
 
46 gra dhe fëmijë, pjesëtarë familjesh të mbetura mes dy brigjeve, si simbol i një momenti të madh dëshpërimi dhe shprese, janë sot e gjithë ditën një arsye shumë e fortë për të kujtuar dhe për të guxuar të besojmë se, jo vetëm një tragjedi e tillë dhe tragjedi të tilla nuk do përsëriten më, por se Shqipëria që duam do bëhet, më herët se vonë, një vend ku gratë e fëmijët të mos kenë nevojën për të rrezikuar jetën dhe ardhmërinë e familjes së tyre, por të gjejnë këtu në atdheun tonë të përbashkët mundësitë që iu duhen për ta parë të ardhmen me shpresë dhe me besim.
 
Tragjedia ka pasur reflektimin e saj edhe në anën tjetër të Adriatikut, siç dëshmon edhe prania këtu e një artisti të njohur i cili i kushtoi “Katerit të Radës” një monument që sot gjendjet në Portin e Otrantos. Dua ta falënderoj Kostën, sepse vepra e tij, që titullohet: “Ulja, një punë e dedikuar migrimit njerëzor”, është vërtetë një vepër që i kushtohet një ngjarjeje të veçantë, por është aty një shenjë që, sot e gjithë ditën, ka mesazhin e saj shumë aktual, pasi historia njerëzore e emigrimit vazhdon të përsëritet dhe tragjedi si kjo që ne përkujtojmë sot vazhdojnë të përsëriten, për fat të keq, në detin që ndan botën e varfër me botën e pasur.

Mjafton të kujtojmë fotografinë e djaloshit të vogël të shtrirë në rërë, në brigjet e Turqisë, në kërkim të kapërcimit të detit, për të pasur parasysh mijëra e mijëra, dhjetëra e qindra mijëra histori individuale njerëzish që edhe në periudhën e fundit të kësaj kohe që ne jetojmë janë përpjekur të kapërcejnë detin dhe jo pak prej tyre kanë lënë edhe jetën.

Në librin e tij “Anijembytja”, kushtuar tragjedisë së Otrantos, një tjetër mik italian, Alessandro Leogrande, shkruan se, është një nga mbytjet më të dhimbshme në Mesdhe gjatë 20 viteve të fundit, por mbi të gjitha, është tragjedia më e madhe e prodhuar në det nga politikat e refuzimit. Patjetër që koha më pas provoi se tragjedi të tilla do të përsëriteshin nga politika e refuzimit. Në një nga dëshmitë e kohës, rrugëtimi i dhimbshëm i viktimave përshkruhet në mënyrë shumë rrënqethëse: “Të gjithë ishin grumbulluar mbi qerre për të lënë pas një luftë civile. Të gjithë, shpresazvarritur dhe verbuar nga iluzioni i një jete të re, në saj të valëve të transmetuara nga kutitë e vogla në qendër të çdo shtëpie. Premtimet e lumturisë u mbytën 30 milje nga brigjet italiane 
Vetëm dy persona u ndëshkuan për këtë tragjedi dhe të dy nga drejtësia italiane, kapiteni italian dhe ai shqiptar i dy anijeve që u përplasën”,
tha Rama. 



Kreu i qeverisë u dha të drejtë të afërmve të viktimave, pasi 20 vjet pas tragjedisë nuk është bërë drejtësi, duke lënë kështu një plagë të hapur për atë ngjarje të dhimbshme për fatin e 81 persova të mbytur dhe 24 të tjerëve të zhdukur.
 
"Ndërkohë që ne jemi sot e gjithë ditën dëshmitarë të një historie të gjatë pandëshkueshmërie që filloi, për hir të të vërtetës, të shfaqet në formën e saj më agresive dhe më përbuzëse ndaj drejtësisë dhe të drejtës së njerëzve të zakonshëm me mosndëshkimin e fajtorëve të vërtetë për piramidat e iluzioneve që shembën Vlorën dhe gjithë Shqipërinë, duke kthyer në fatkeqësi për një popull të tërë, një ëndërr të ushqyer nga vetë pushteti për t’u pasuruar me shpejtësi, jo përmes punës, por përmes një spekulimi katastrofik financiar. E më pas, ngjarje të tjera, ende sot të pandëshkuara, na bëjnë që, jo vetëm të ndjehemi larg Europës ku duam të bëhemi pjesë, por edhe gjithmonë e më të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve tanë, në një vend ku të gjitha kanë rëndësi, por asgjë nuk ka vlerën e merituar, nëse nuk ka drejtësi.

Edhe sot unë jam i bindur që prindërit, të afërmit e viktimave të kësaj tragjedie kanë në shpirt revoltën për mungesën, boshllëkun dëshpërues të krijuar nga drejtësia për të dhënë dënimin e merituar, jo thjesht për dy njerëz që ishin dy kapitenë, njëri italian e njëri shqiptar, i dy anijeve që u përplasën në një aksident, por për një politikë të tërë e cila i shtyu këta njerëz që sot nuk jetojnë më, drejt një aventure të paimagjinueshme.

Një barkë e projektuar për 9 vetë u kthye në anijen e ëndrrave të 115 njerëzve dhe u bë varri i tyre, në kushtet e boshllëkut të plotë të lënë nga shteti, nga pushteti që në fund të fundit, përgjegjësinë kryesore në çdo kohë, kanë sigurinë e jetëve njerëzore
".
 
Më pas, familjarët e viktimavë të Otrantos të shoqëruar nga kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë dhe qytetarë, hodhën lule në det në nderim të viktimave të tragjedisë të marsit '97. 

“Një urë për në Otranto”, mblodhi sot në Vlorë, në një ceremoni përkujtimore, familjarë dhe të afërm të viktimave, si dhe të mbijetuar të tragjedisë së Otrantos, 20 vjet më parë.