Pas tragjedisë në rafinerinë e naftës në Ballash, deputeti Omer Mamo kërkon miratimin e  ligjit për statusine naftëtarit. 

Projektligji që parashikon paga dhe pensione më të larta për punonjësit e kësaj industrie, në fakt qëndron prej disa kohësh në Kuvend, pa u miratuar.

Deputeti i PDIU duke shprehur keqardhje për humbjen e jetës se 42-vjeçarit Shkelqim Mucaj, i bën thirrje të gjithë deputeteve që ta miratojnë nismën, që do t’u vijë në ndihmë më shumë se 5 mijë naftëtarëve dhe familjeve të tyre në raste fatkeqesish.

‘’Në këto ditë të vështira i bëj thirrje qeverisë dhe deputetëve të miratojnë ligjin për statusin e naftëtarit. Duhet ta miratojnë edhe për Muçën që u nda nga jeta, por edhe për kolegët e tij’’, u shpreh Mamo. 

Sipas ligjit, pagat e punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit nuk do të jetë më të uleta se 150% e pagës minimale në shkallë vendi, ndërkohë që do mund të përfitojnë pension nëse kanë paguar sigurime për 20 vjet për meshkujt e 15 vite për gratë.

Personat që gëzojne statusin e naftetarit dhe që kane vjetërsi pune mbi 20 vjet për burrat dhe mbi 15 për gratë që janë të papunë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, përveç përparësisë në ripunësim, kanë të drejtën e përfitimit financiar i cili do jetë jo më pak se 60% të pagës minimale neto në shkallë vendi dhe jo më pak se tre vjet.

Disa muaj para tragjedisë së Ballshit, një ligj për statusin e naftëtarit ishte paraqitur në Kuvend.

Nisma që parashikon rritje drastike të rrogës dhe pensioneve për punonjësit e naftës, është propozuar nga Omer Mamo i PDIU, i cili bëri thirrje Kuvendit të mos e vonojë më tutje.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com