Inspektoriati Shtetëror i Punës reagoi sot lidhur me ngjarjen e ndodhur mbi lumin Fan  ku tre persona humbën jetën pak ditë më parë gjatë ndërtimit të një HEC-i.

Duke shprehur keqardhje për këtë ngjarje të rëndë, inspektoriati garanton angazhim maksimal për trajtimin e këtij aksidenti.

Në një deklaratë për mediat Inspektoriati Shtetëror i Punës deklaron se menjëherë pasi ndodhi ngjarja është dërguar një grup punë për të mbështetur inspektimin e Inspektoriatin Punës te Deges Rajonale Lezhë. Po ashtu inspektoriati thekson se po verifikohen të gjitha dokumentat e subjektit për të vlerësuar riskun dhe më pas për të dalë në një konkluzion përfundimtar. Sipas Inspektoriatit Shtetëror të Punës, 3 punonjësit që humbën jetën në galeritë e ndërtimit të HEC-it ishin të siguruar.

"Nga verifikimi paraprak i deritanishëm rezulton se, ky subjekt është inspektuar rreth tre muaj me parë nga Inspektoriati Punës Dega Rajonale Lezhë, ku dhe janë lënë detyra dhe rekomandime konkrete për t'u zbatuar. Një prej detyrave të lëna ka qënë, edhe ngritja e një grupi shpëtimin në rastet e aksidenteve dhe marrjen e masave për parandalim e rasteve të tilla", thuhet në njoftimin për mediat./ATSH/