Qeveria shpall 27 nëntorin ditë zie! Meta e Veliaj anulojnë 28-nëntorin, s'ka marshim të Vetëvendosjes

Qeveria shpall ditë zie kombëtare 27 nëntorin nisur nga tërmeti i fuqishëm që preku vendin tonë këtë të martë duke shënuar dhjetëra viktima. Presidenca anuloi Pritjen Shtetërore organizuar me rastin e ditës së Flamurit dhe Festës së Pavarësisë planifikuar për në datën 28 nëntor. 

Bashkia e Tiranës anuloi të gjitha festimet e organizuara për 28-29 nëntor, e po ashtu edhe Vetëvendosje dega e Tiranës anuloi marshimin më 28 nëntor në Tiranë.

Ministria e Arsimit anuloi mësimin në të gjitha shkollat, publike e private deri më 2 dhjetor, ashtu sikundër bashkia anuloi kopshtet dhe çerdhet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:49
Vetëvendosja në Tiranë anulon marshimin: Energjitë tona për tërmetin

Lëvizja Vetëvendosje ka anuluar marshimin e që kishte planifikuar në datën 28 nëntor. Shkak për këtë është bërë tërmeti që la pas 21 viktima pas.

"Nisur nga situata emergjente e krijuar nga tërmeti i mëngjesit të sotëm Lëvizja Vetëvendosje! – Qendra në Shqipëri njofton se ka anuluar Marshimin për Bashkim që do të mbahej ditën e 28 Nëntorit në Tiranë.

Aktivistët e Qendrës janë duke ndihmuar në mënyra të ndryshme qytetarët e Shqipërisë të dëmtuar nga tërmeti dhe të gjitha energjitë tona në ditët në vijim do të përqendrohen në këtë drejtim. Duke shprehur edhe një herë dhimbjen tonë për viktimat e tërmetit, ftojmë të gjithë shqiptarët që të solidarizohen e t’u qëndrojnë pranë familjarëve të viktimave, të plagosurve dhe të gjithë atyre që kanë nevoja urgjente.

Të bashkuar tani dhe kurdoherë! Lëvizja Vetëvendosje! – Qendra në Shqipëri", njofton VV në Tiranë.

Ora 19:13
Tërmeti/ Meta anulon pritjen për Festën e Pavarësisë

"Nisur nga situata e rëndë e fatkeqësisë natyrore që goditi vendin tonë dhe që për fat të keq shkaktoi humbje jetësh të qytetarëve, plagosje dhe dëme të jashtëzakonshme materiale si dhe nga rëndësia prioritare e përqendrimit të të gjitha forcave e energjive për të përballuar pasojat katastrofike të kësaj tragjedie, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Ilir Meta ka vendosur të anullojë Pritjen Shtetërore organizuar me rastin e ditës së Flamurit dhe Festës së Pavarësisë planifikuar për në datën 28 nëntor 2019 në orën 19:00, në Pallatin e Brigadave, Tiranë", thuhet në reagimin e presidencës.

Ora 19:12
Veliaj: 100 milionë lekë për Thumanën, anulohen festimet e 28-29 nëntorit

Bashkia e Tiranës i ka ardhur në ndihmë zonave të prekura nga tërmeti që goditi sot Shqipërinë. Përveç mjeteve dhe forcave në njerëz të dërguara në operacionet e shpëtimit në terren, Këshilli Bashkiak në mbledhjen e sotme miratoi një fond ndihme financiare prej 100 milionë lekësh për zonën e Thumanës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij theksoi se Tirana ka ngritur flamurin e solidaritetit me të gjithë ata që janë në vështirësi nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të sotëm. “Sot kishim planifikuar të festonim 107 vjetorin e ngritjes së flamurit në Tiranë. Por, me sa duket fati, historia na thirri të ngrinim një tjetër flamur, patjetër atë shqiptar, por me solidaritet, me përkrahje, mirësi, dashuri, në një situatë paniku e fatkeqësie. Do të doja që t’ju bëja një thirrje ta mbajmë të gjithë lart flamurin shqiptar të solidaritetit. Sot akordojmë menjëherë ndihmën prej 100 milionë lekësh për Bashkinë e Krujës, aty ku ndodhet Thumana. Ndërkohë me kryetaren e Bashkisë së Durrësit do të komunikoj në ditët në vijim, që të shohim se cilat janë nevojat dhe të japim një ndihmë të dytë edhe për Durrësin. Por për Thumanën, duke qenë se është një vend i vogël dhe emergjenca e madhe, dhe një bashki me pak të ardhura, dua që ta ofrojmë këtë solidaritet”, tha Veliaj. 

Ai theksoi se skuadra e emergjencës dërguar në Durrës kontribuoi në mënyrë direkte në shpëtimin e jetëve që gjendeshin nën rrënoja. “Besoj se të gjithë biem dakord që nuk kemi ç’i bëjmë tërmetit, fatkeqësive të tilla, por kemi ç’i bëjmë mënyrës sesi reagojmë. Teksa përpjekja vazhdon, kam një mirënjohje të veçantë për të gjithë kolegët e Bahskisë së Tiranës, një pjesë janë atashuar ekipeve në Durrës dhe Thumanë; pasi mbaruan me emergjencat këtu, që në orët e para të mëngjesit, nga ora 04:00 deri në 08:00, u kam dhënë leje që të vazhdojnë të kontribuojnë në Durrës. Shoh disa nga anëtarët e Këshilli Bashkiak që kanë çuar mjetet e tyre private nga Tirana për të ndihmuar. Sot besoj se heronjtë e vërtetë janë çdo ushtar, polic, fadromist, mjek, zjarrfikës, staf i Emegjencave Civile, kushdo që ka dalë mbi detyrën e vet. Nuk ka parë orën apo familjen e vet, por në atë rrëmujë sistemuan punën në Tiranë dhe iu bashkuan forcave në Durrës e Thumanë”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë bëri të ditur se Tirana do të rrisë edhe flotën e saj të zjarrfikëseve për të rritur kapacitetin dhe reagimin në momente vështirësish. “Kam kërkuar që në këtë situatë emergjence të shtojmë flotën tonë zjarrfikëse. Është ky momenti të reflektojmë, jo kur të na vijë vakia tjetër, por që sot do të rrisim flotën zjarrfikëse. Kemi të njëjtën flotë që kur qyteti ishte i vogël, jo më tani që qyteti shtrihet nga Zallbastari në Ndroq, nga Kashari në Krrabë, dhe pastaj të japim ndihmë edhe për bashkitë e tjera. Meqë jemi në fund të vitit buxhetor, besoj se do më aprovoni edhe këtë ndihmë për të rritur kapacitetet edhe nevojat. Kemi pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm. Kam folur me pjesën më të madhe të ambasadorëve. Me pjesën më të madhe të kryeministrave të botës. Të gjithë kryetarët e bashkive të rajonit më kanë kontaktuar. Madje, kryetari i bashkisë së Shkupit na ka dërguar një grup që bën imazhe me dron gjeotermik, pra në bazë të temperaturës së trupit të njeriut na tregon se çfarë ka nën rrënoja, dhe ku është ekzaktësisht vendi ku duhet kërkuar, që të sigurohemi që orët që kemi maksimizohen totalisht. Dua ta falenderoj kryetarin e bashkisë së Shkupit, edhe gjithë kryetarët e tjerë për solidaritetin”, tha Veliaj. Ndërkaq, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot listën me 500 familjet e para që do të marrin dëmshpërblim financiar për dëmet e shkaktuara në banesat e tyre nga tërmeti i 21 shtatorit. Kryebashkiaku Veliaj theksoj se përveç 500 emrave që u miratuan sot, shumë shpejt do të vijë edhe një listë tjetër familjesh që marrin dëmshpërblim.

“Mesa duket historia e këtij qyteti është, jo 1 apo 2 herë të rrëzohet, por 100 herë të rrëzohet prapë do të ngrihet në këmbë. Besoj se sfida për rikuperimin e mbi 500 shtëpive të dëmtuara është disa herë më e madhe sesa e 21 shtatorit, por edhe një ngushëllim i madh, të paktën për Tiranën, duke qenë se u kursyem nga jetët e njerëzve, mundet t’u japim kurajo për t’u thënë: Është keq, por ka edhe më keq. Tani që kemi jetën, të fokusohemi për të ndihmuar vëllezërit tanë në Durrës dhe Thumanë. Pasi të mbarojë shpëtimi, do të shqetësohemi për çdo tjegull, pllakë, tullë që duhet të vendosim. Vendimi më i rëndësishëm për sot është një vendim për 507 familje të cilat janë prekur nga tërmeti i datës 21 Shtator, por edhe dhe tërmeti i sotëm. Na rezulton se tipologjia e familjeve që u prekën atëherë janë prekur sërish sot sepse janë po ato shtëpi të ndërtuara në po atë mënyrë, po në ato kodra dhe vende të vështira në Tiranën periferike, në një vend që kishte rënë çatia sot kishte rënë komplet shtëpia”, u shpreh Veliaj. Ai gjithashtu bëri të ditur se familjet e tjera të cilave shtëpitë iu shkatërruan plotësisht dhe iu bënë të pabanueshme nga tërmeti i shtatorit do të hyjnë në banesat e reja shumë shpejt. “Ndërkohë, rreth 59 familje që ishin tashmë të rrënuara, sot në fakt shtëpia e re ose shtëpia që është në ndërtim i bëri ballë edhe besoj që duke filluar nga kjo fundjavë do të futen 59 familje në shtëpitë e reja që janë bërë nga Bashkia e Tiranës dhe komuniteti i donatorëve”, tha Veliaj.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Loni: 26/11/2019 20:07

    Ku do ven kto cfare kerkojn nuk e shikojn çfare halli kemi,, vete natyra dhe i bi ne qaf njerzeve qe jane normal nuk i bi ktyre

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër