TIRANE- Nuk kanë të mbarur problemet për ish-deputetin e Partisë Demokratike Arben Lika. Ky i fundit pas dënimit me 6 vjet burg për mashtrimin e rreth 150 qytetarëve shqiptarë se do u nxirrte viza amerikane, tashmë është vënë sërish nën hetim nga njësia hetimore Task-Forcë pranë prokurorisë së Tiranës.

Çështja po administrohet nga prokurori i kësaj njësie Ndini Tavani, ku mësohet se fillimisht materiali është referuar nga Drejtoria e Pastrimit të Parave pranë Policisë së Shtetit për një transaksion 1.1 milion euro, që është bërë nga kompania e Arben Likës e quajtur “Fond Menagment Of Austria-1”. 
Në fakt kjo kompani rezulton të ketë dy degë të saj në Shqipëri, ku njëra rezulton të jetë hapur në tetor të 2012 ndërsa tjetra në 13 mars 2015. Të dyja kanë si pronar ish-deputetin e PD në Shkodër Ben Lika. Tashmë prokuroria e Tiranës ka kërkuar sqarime nga kjo kompani lidhur me transaksionet e dyshimta që ka pasur me disa biznesmenë Azerbaxhanas.

Mashtroi Azerbaxhanasit
Sipas burimeve të njësisë hetimore Task-Forcë, dyshohet se Arben Lika ka përvetësuar nga llogaria e tij bankare një shumë prej 1.1 mln euro nga disa biznesmen azerbajxhanas. Njësia e Task-Forcës fillimisht kishte nisur hetimet për akuzën e pastrimit të parave ndaj kompanisë ku rezulton se Lika është administrator. Në llogari të kësaj kompanie brenda 6 muajve të vitit 2014 janë transferuar 1.1 mln euro. Shumë kjo që është tërhequr nga Arben Lika. Por, gjatë marrjes në pyetje ai ka pretenduar se ka firmosur tërheqjen e shumës por parat janë marrë nga persona që nuk i njihte, duke dorëzuar një kontratë e cila dyshohet se është fiktive. Për këtë fakt, prokuroria dyshon se ish-deputeti Lika ka kryer veprën penale të “mashtrimit”.

Mashtrimet me vizat
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Arben Lika, është arrestuar në dhjetor të 2007, plot 3 vite pas supermashtrimit me vizat amerikane. Megjithëse Gjykata e Apelit e pati dënuar më 26 tetor me gjashtë vjet heqje lirie, Lika ka lëvizur lirshëm nëpër Tiranë deri kur policia e ka ndarë mendjen të ekzekutojë vendimin e formës së prerë. "Gjykata e Shkallës së Parë, me vendim të datës 19 dhjetor 2006 e ka dënuar me 10 - vjet heqje lirie, për konsumim të veprës penale të "mashtrimit të kryer më shumë se një herë". Ndërkohë, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendim të datës 26 tetor 2007 e ka dënuar me 6- vjet heqje lirie",- bëri me dije policia e Tiranës në 19 dhjetor 2007.

Procedimi penal në emër të Likës është regjistruar në janar të vitit 2005, kohë kur dhjetëra qytetarë zunë radhën dyerve të policisë dhe prokurorisë, për të denoncuar vjedhjen me anë të mashtrimit. Më pas, hetimi i prokurorisë së Tiranës kaloi nëpër filtrat e dy shkallëve të gjyqësorit, ku u vendos që Arben Lika të dënohej me 6 vjet heqje lirie. Prej korrikut të vitit 2005, Arben Lika kishte filluar një "aktivitet" fitimprurës, duke përdorur qytetarët hallexhinj, të lodhur nga radhët e gjata për vizë në dyert e ambasadave. Duke ngritur një rrjet të vërtetë, ai mendohet se iu ka premtuar rreth 150 personave viza për çdo vend të botës, në këmbim të parave.

faksimile ish deputeti pd


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)