TIRANE- Transplanti i veshkave për një pacient në spitalet publike apo ato private do të kushtojë 8 500 euro, ndërsa një seancë dialize do të këtë një vlerë prej 72 euro. Këto janë shifrat që ka nxjerrë grupi i punës pas përfundimit të dy paketave të para të shërbimeve të dializës dhe transplantit të veshkës. Sipas këtyre përllogaritjeve një person që kryen dializë i kushton buxhetit të shtetit në një vit rreth 11 mijë euro, ndërkohë që për vite me radhë spitaleve private i është dhëne për këtë shërbim 14 mijë euro.

Nga 72 euro që ka dalë kosto e këtij procesi, në privat përgjatë këtyre viteve kur është bërë nënkontraktimi ajo është blerë me 85-90 euro. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u shpreh se do të mbulohen rreth 900 pacientë që kryejnë dializë në spitalet publike, ndërkohë që ky shërbim me këtë kosto do t'ju ofrohet edhe në spitalet private, por këto do t'u nënshtrohen disa kritereve. “Për herë të parë ndodh që puna për hartimin e paketave të tilla të shërbimeve shëndetësore të realizohet në një kohë kaq të shkurtër dhe nëpërmjet përfshirjes së një ekipi profesionistësh.

Ashtu siç jemi angazhuar, këto paketa të shërbimeve shëndetësore ofrojnë më tepër siguri, dhe shënojnë qartësisht progres dhe inovacion për pacientët shqiptarë që vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave”, tha ministri Beqaj, ndërsa theksoi se ka nisur edhe shlyerja e borxheve ndaj biznesit që nga viti 2007. “Me ne edhe sipërmarrësit privatë në shëndetësi do të jenë më të sigurt. Prej sot ne kemi filluar praktikisht edhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj sipërmarrësve që kanë ofruar shërbime, pajisje, materiale mjekësore dhe barna për shëndetësinë publike shqiptare.

Po shlyejmë pagesa të vitit 2007” theksoi kreu i shëndetësisë. Ndërkaq kreu i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Astrit Beci ka theksuar rëndësinë këtyre dy paketave për të ofruar një shërbim me efikas ndaj pacientëve. “Ne do të mbulojmë rreth 900 pacientë në spitalet tona publike ku aktualisht ofrohet shërbimi i dializës QSUT, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan. Gjithashtu edhe në shërbimin privat sipas kostove të përcaktuara drejtë, pas konsultimeve të gjëra dhe një pune voluminoze”, tha Astrit Beci, drejtor i Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Vetëm dy turne në dializë
Mjekët nefrologë thonë se përcaktimi i kostos do të ketë sjellë dhe një reduktimin të problemeve që janë aktualisht në QSUT-së, ndërkohë që japin disa detajet dhe rreth llogaritjes së kostos për transplantin e veshkave. “Nuk do të ketë më siç ndodh fatkeqësisht në QSUT, që ne aktualisht trajtojmë të sëmurë me tre turne që nuk ekziston në asnjë vend të botës, por e kemi nga mungesa e mundësive.

Nga bërja e paketës besoj që ne do ta ulim atë punë të tmerrshme voluminoze që po bëjmë. I sëmuri duhet të bëj vetëm dy turne në dializë dhe duhet të bëj 3 herë në javë dializë”, tha Myftar Barbullushi, nefrolog. Sipas autoriteteve të shëndetësisë, brenda 31 marsit do të kemi koston edhe për shërbimin e kardiologjisë invazive, dhe transplantit të mëlçisë.

Të dhëna mbi shërbimet dhe kostot
 
72 euro është kostoja për dializën
8500 euro është kostoja e transplantit të veshkës
11 mijë euro i kushton buxhetit të shteti një person që bën dializë
90 euro ka qenë kostoja e dializës në spitalet private deri tani
900-950 persona marrin shërbim dializë në vendin tonë
2 shërbime kryesore kanë përfunduar për nxjerrjen e kostove
30 % më të shtrenjta ishin këto shërbime në privat deri më tani
28-40 mijë ore pune duhet të kryejë një aparaturë, më pas të ndërrohet
2 turne do të punojnë shërbimet e dializës dhe jo 3 si deri më tani
3 seanca në javë janë parashikuar për pacientët me dializë
 

Shkrimi u publikua sot (18.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)