Transporti, qeveria s'tërhiqet:
S'negociojmë sigurinë qytetare

Transporti, qeveria s'tërhiqet:<br />S'negociojmë sigurinë qytetare
TIRANE- Qeveria shprehet e vendosur në rregullimin e transportit ndërqytetas i cili ndodhet në "situatë anarkike" dhe shton se nuk do të negociojë me asgjë e me askënd për sigurinë e qytetarëve.

Për gati 2 orë dy ministra të kabinetit, Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri zhvilluan një takim duke ulur në një tryezë shoqatat e transportit ndërqytetas të autobusëve me shoqatat e transportit ndërqytetas të furgonave (autoveturë 8+1) për ti sqaruar projektin dhe masat që do të ndërmerren.

Dy ministrat u shprehën të vendosur se do të kërkojnë të respektohet licenca taksi, ndërkohë që tregu i deformuar ndër vite ka bërë që sot të kemi më shumë licenca për furgonë sesa për taksi 4+1.

"Situata nuk është aspak e këndshme por shumë anarkike. Kemi një sistem të tërë ligjor që nga disa respektohet dhe nga disa jo sepse trajtohet si i papërshtatshëm.”- vlerësoi Haxhinasto.

Nga ana e tij ministri Tahiri nënvizoi: "Askush nuk mund të vërë në diskutim mbrojtjen e jetës së qytetarëve shqiptarë, ndaj ju ftoj ta shohim çështjen pa motiv politik”.
 
Tryeza e thirrur nga dy ministrat në hotel u kthye në shesh debatesh mes shoqatës së transportit ndërqytetas autoveturave 8+1 si dhe shoqatat e transportit ndërqytetas urban.  Shoqatat e transportit publik me automjetet 8+1 kërkojnë rishikimin e ligjit për transportin publik taksi i cili detyron kthimin bosh. Kjo nuk pranohet nga shoqatat e transportit publik urban të cilat kërkojnë që të respektohet ligji  pasi ata dëmtohen. Nga ana e saj qeveria këmbëngul në zbatimin e ligjit për transportin publik taksi i cili detyron kthimin bosh. 

Shoqatat dhe 2 ministrat ishin dakord në një pikë: Të luftohet informaliteti.

TREGU I DEFORMUAR, BASHKIA KAMËZ LINJA PËR TË GJITHË REPUBLIKËN
Dhënia pa kriter e licencave nga bashkitë e qyteteve ka bërë që në Shqipëri të ketë më shumë automjete (8+1) taksi sesa automjete taksi (4+1).
Ministri i Transporteve tha se numri i automjeteve 8 plus 1 të licensuara është shumë herë më i lartë se i atyre 4 plus 1 në shkelje të ligjit që parashikon ruajtjen e raportit 1 me 10.
 
“Bashki të volga si Vora apo Kamza, apo bashki të vogla japin licenca në të gjithë destinacionet e Shqipërisë. Kjo nuk është parë në asnjë vend.Po të marrësh të dhënat për bashkinë Kamëz, janë hapur linja për të gjithë Republikën. Kjo është katastrofë”- tha një përfaqësues  shoqatës së autobusëve.

Ministri i Transporteve tha është shkelur ligji që parashikon ruajtjen e raportit 1 me 10 sa i takon numrit të furgonave taksi.

"Janë të licensuara si taksi  4+1, sot 1590 mjete, dhe 2150 automjete 8+1 të licencuara si taksi. Kur jepen 10 licenca 4+1 duhet të jepet vetëm një licencë mbi 4+1.Bashkitë tona japin më shumë licenca për autovetura mbi 4+1 (furgona) sesa për autoveturat normale taksi. Këtu fillon shkelja dhe çoroditja e sistemit"

MOS E POLITIZONI, SISTEMI ESHTE I CORODITUR, NUK NEGOCIOJME SIGURINE E QYTETAREVE
Haxhinasto: “Ky problem po politizohet në mënyrën më të keqe të mundshme, dhe kostoja shkon tek qytetarët e thjeshtë dhe jo tek ato që udhëtojnë me benz të fundit. 

Tahiri: “Sot në tregun e transportit ndërqytetar me furgon mund të hyjë kushdo që ka 10 mln lekë të vjetra. Kjo është situata. Mjafton të blesh një furgon pavarësisht cilësisë. Ky nuk është transporti publik që ne duam dhe qytetarët duan. Nuk jemi përballë dy urdhrave, por përballë sanksionimit të ligjshmërisë që përcakton ligji i 1998 edhe pse shumë të tjerë kanë dështuar ta marrin parasysh ligjin. Askush nuk mund të vërë në diskutim mbrojtjen e jetës së qytetarëve shqiptarë, ndaj ju ftoj ta shohim çështjen pa motiv politik”

TAHIRI: DO TE KERKOJME TE RESPEKTOHET LICENCA E FURGONAVE TAKSI
Ministri Tahiri tha se nuk ka asnjë standard sigurie transporti me furgonat.
"Siguria rrugore është mjaft e rëndësishme për ne dhe siguria e furgonave që qarkullojnë në vendin tonë nuk kanë asnjë standard sigurie. Ecin me shpejtësi më të lartë se normat e lejuar të qarkullimit rrugor, pasi bëjnë garë me njëri tjetrin për të kapur pasagjerët. Po ashtu, fëmijë, të cilët gjatë kohës që mjeti është duke lëvizur, hapin derën dhe reklamojnë drejtimin për ku është nisur furgoni për të gjetur klientë, Ky është problemi që duam të luftojmë, ndaj për këtë duam bashkëpunimin tuaj dhe miratimin tuaj për planin tonë të masave”- tha Tahiri.

“Policia e shtetit ka nisur dhe do të vazhdojë të ndalojë në mënyrë të menjëhershme transportin ndërqytetas të furgonave pa licencë dhe transportin ndërqytetas të furgonave që abuzojnë dhe që bëjnë linjë me furgona me pasagjerë . Nuk e lejon ligji nuk do e lejojë as policia e shtetit. Do të kërkojmë që të respektohet licenca taksi . Është e palejueshme nga ligji që furgoni të shkojë me pasagjerë në Durrës e të kthehet në Tiranë. Do të kërkojmë që transporti publik të ketë standarde e cilësi shërbimi e siguri që deformimet e tregut shkelja e rregullave e ligjit të mos bjerë në kurriz të ligjit e qytetarëve”

HAXHINASTO: 3 PROPOZIMET PER ZGJIDHJEN E KAOSIT
Ministrat deklaruan se shoqatat e transportit publik kanë 10 ditë kohë për paraqitjen me shkrim të kërkesave të tyre, si përfaqësues të grupeve të interesit dhe qeveria do i vlerësojë.

Ministri i Transporteve bëri dhe propozimet për zgjidhjen e situatës.
Shërbimi i transportit ndërqytetas të bëhet me autobus me kohë të caktuar nisjeje dhe mbërritjeje me komoditetin përkatës me cilësinë e duhur dhe garancinë e duhur për sigurinë e automjetit dhe drejtuesit të mjetit. Autobusët që nisen nga stacione të mirëfillta, me bileterinë, tabelën e orarave të udhëtimit dhe me facilitetet higjenike që kanë nevojë qytetarët siç e ka një vend europian

Shërbimi taksi: Do të jemi shumë në përputhje me ligjin. Çdo taksi të ketë taksimetrin. Të heqim mundësinë e abuzimit mbi xhepin e qytetarëve shqiptarë. Do të jemi rigoroz në zbatimin e shërbimit dhe cilësisë.

Taksitë 4+1 ashtu si Furgonat taksi 8+1 duhet që të marrin pasagjerë si në vajtje ashtu dhe në ardhje vetëm brenda hapësirës urbane (brenda qytetit), kurse në destinacione interurbane ato në kthim nuk duhet të marrin udhëtarë.

Transporti i furgonave: Kemi mirëkuptimin e plotë të atyre që janë pronarë furgonësh. Mund të akomodohen në hapësirat në tregun shqiptar. Do të thotë që për linjat e caktuara  të transportit rreth qyteve apo komunash, qendra komunash të kryhet me furgona. Do të ulemi e i diskutojmë si mundësi.”

KONFLIKTI MES FURGONEVE DHE AUTOBUSEVE
Përfaqësues të shoqatave të automjeteve 8 plus 1 kërkojnë të rishikohet ligji që dhe në kthim të ketë pasagerë.

 “Po abuzohet shumë dhe po spekulohet se furgonat janë mjete të rrezikshmërisë në rrugë. Të rishikohet ligji. Shoferët kanë marrë kredi që nuk i përballojnë dot. Janë njerëz me familje, me fëmijë, me probleme ekonomike shumë të mëdha, ne jemi në grevë prej 10 ditësh. ”

Nga ana tjetër përfaqësuesit e shoqatave të transportit të autobusëve kërkojnë zbatimin e ligjit. 

"Zotërinjtë që kanë furgona të punojnë sipas kërkesave që ka ligji. Cilido që shkel ligjin të përballet me drejtësinë”- thanë ato

Kërcënimit të shoqatës së transporteve se nëse nuk rishikohet ligji do bllokojnë rrugën, shoqatat e autobusëve thonë se edhe ata mund të kryejnë një veprim të tillë nëse nuk zbatohet ligji.

SHOQATA E TAKSIVE: ISHIM KUNDER LIBERALIZIMIT TE TREGUT
Shoqata e taksive kujtuan se kanë qenë kur liberalizimit të tregut të taksive, veprim ky i kryer nga Lulzim Basha në kohën  kur ishte ministër i Transportit.
 
“Ne kemi qenë kundër liberalizimit të tregut të taksive, dhe e kemi kundërshtuar.  Akoma nuk e kemi ndjerë dorën dhe kujdesin e Policisë së Shtetit.  Nuk kemi ndonjë gjë me kolegët e 8 plus 1, por është e patolerueshme të ketë më shumë furgona se taksi të licencuara. Vini dorë ndaj informalitetit."

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë