Trepça, 2 ditë grevë, minatorët
duan të dinë për fatin e kompleksit

Trepça, 2 ditë grevë, minatorët<br />duan të dinë për fatin e kompleksit
Rreth 400 minatorë të kompleksit të minierave Trepça, kanë hyrë në ditën e dytë të grevës, duke kërkuar shpjegime rreth fatit të këtij kompleksi. Minatorët të mbledhur në minierën e Stantërgut në pjesën jugore të Mitrovicës, duan të dinë arsyet që çuan në ndryshimin e planeve të qeverisë së Kosovës për ta shndërruar kompleksin Trepça në ndërmarrje shoqërore.

Të hënën në mbrëmje, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash, por pa praninë e opozitës, ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, në mënyrë që t'i hapet rrugë riorganizimit të kompleksit të minierave Trepça. Por, qeveria hoqi nga rendi i ditës çështjen e pronësisë mbi Trepçën, ndonëse kishte paralajmëruar që nëpërmjet ligjit ta shndërrojë atë ndërmarrje publike.

Qeveria e Kosovës tha se po synon të shpëtojë Trepçën nga falimentimi i cili do të linte pa punë mijëra veta, meqë Gjykata e lartë e Kosovës vendosi javën që lamë pas, që Trepça të hyjë në procesin e likuidimit nga data dy shkurt. Trepça vazhdon të administrohet nga Agjencia e Privatizimit.

Qeveria tha se për Trepçën duhet të bëhet një ligj i veçantë dhe se ndryshimet kushtëzohen edhe nga borxhet që ka ky kompleks, që sipas vlerësimeve arrijnë në rreth një miliardë e 400 milion euro.

Opozita akuzoi qeverinë për qeverinë për zmbrapsje para trysnisë së Beogradit i cili tha nuk do të pranojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës lidhur me kompleksin e minierave Trepça duke paralajmëruar se kjo do të rrezikonte bisedimet Kosovë – Serbi dhe mund të destabilizojë situatën e sigurisë në veriun e Kosovës.

Beogradi ngulë këmbë se pronari kryesor i Trepçës është fondi për zhvillim i Serbisë dhe se çështja e pronave duhet të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhdimi i të cilave pritet më 9 shkurt.

Kompleksi Trepça që ndodhet në Mitrovicë është i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe. Përfshirja e Trepçës në procesin e privatizimit është pamundësuar për shkak të pretendimeve serbe dhe shitjes së aksioneve të saj gjatë viteve të 90-ta, kur administrohej nga Beogradi.

Dikur Trepça ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e tetëdhjeta ku punonin mbi 20 mijë punëtorë.



Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf