Trondit në ‘Pa Gjurmë’ 35-vjeçarja gramshiote: Fëmijët m’i hiqte nga gjoksi me dhunë, për mua mbante një plumb të fundit

’Pa Gjurmë’ vendosi që Fatbardhën ta kishte në studion e programit, këtë të hënë, ku 35-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve tregon sesi i dha fund martesës, prej dhunës së ushtruar nga ish-bashkëshorti i alkoolizuar. Ky i fundit nuk i kurseu as fëmijët, të cilët foshnje ia hiqte nga gjoksi nënës dhe i qëllonte. Fatbardha i dha fund kësaj marrëdhënie 14 vite më parë duke u bërë për të vegjëlit e saj edhe nënë e babë. Por edhe pse nuk pati më kurrë asnjë kontakt fizik me ish-burrin dhunues ai e kërcënon ende. Me frikën e përndjekjes, 35-vjeçarja tregon episodin e dy viteve më parë, kur ish-bashkëshorti pasi e mori në telefon i tha se e ka ruajtur fishekun e fundit për të, duke e kërcënuar se do ta vrasë.

Kur solla në jetë dy fëmijët ai na dhunonte, pasi ishte i alkoolizuar dhe ka qëlluar mbi gocën dhe djalin. M’i hiqte nga gjoksi dhe m’i rrihte. 7 vjet jetova me të, por nuk durova më dhe i dhashë fund. Nuk e bëra dot më parë, pasi ai më kërcënonte dhe më thoshte se do të më vriste. As njerëzit e tij nuk më përkrahën. Dy vite më parë më ka marr në telefon ish-bashkëshorti dhe më ka thënë: E kam mbajtur një plumb të fundit për ty, o do të vras o bëhet nami. Kjo ka qenë përgjigja që kam marr prej tij, një plumb të fundit për të më vrarë. Ai nuk u interesua më kurrë për fëmijët dhe gjithmonë ka pohuar se nuk ka fëmijë. Madje dhe në Gjykatë ka deklaruar se fëmijët nuk janë të tij. Djali nuk e kujton fare, ndërsa vajza është ajo që e mban mend imazhin e babait. Kur u ndamë Gjykata më dha kujdestarinë e dy fëmijëve, por ai kurrë nuk pagoi detyrimin ushqimor. Mora fëmijët dhe u ktheva tek nëna ime këtu në fshatin Duzhë.

E mbetur e vetme me dy fëmijë, Fatbardha u kthye tek shtëpia e prindërve, atje ku ndërsa kishte shpëtuar nga dhunimi, do ta priste mjerimi. 35-vjeçarja na prek të gjithëve me rrëfimin e saj, kur thotë se edhe atletet që ka veshur për të ardhur në emision i ka marrë borxh. Ndërsa i rriti e vetme djalin dhe vajzë, pa përkrahje, 35-vjeçarja kujdeset edhe për nënën e sëmurë, si dhe dy vëllezër me probleme të shëndetit mendor. Ajo thotë se ka trokitur në dyert e bashkisë, por këta të fundit nuk i janë përgjigjur. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur, gruaja ka kërkuar ndihmë tek fqinjët, për një pjatë miell lëmoshë për t’u ushqyer.

Unë jam vetë i 6-ti në shtëpi. Jetoj me nënën e moshuar 87-vjeçare, dy fëmijë dhe dy vëllezërit e sëmurë File dhe Bedriu, 60 dhe 44 vjec. Jetojmë vetëm më 100 mijë lekë të ardhura në muaj. Nuk kam me çfarë t’i ushqej. Fëmijët i rrita vetëm dhe jam munduar t’i shkolloj. Nuk kam para t’i shkolloj më tej edhe pse ata kanë shumë dëshirë. Edhe atletet që kam veshur sot i kam marr borxh. Nuk tentova kurrë të martohesha, ku ta lija familjen ? E kam mbyllur jetën 35 vjeçe dhe tashmë kujdesem për nënën 87 vjeçe të sëmurë dhe dy vëllezërit me probleme mendore. Kërkoj ndihmë për të mbajtur frymën gjallë, të siguroj bukën e gojës. Vëllezërit janë pa vetëdije, ku t’i çoj ? Më vjen keq për ta. Kam patur 5 vëllezër, 3 prej të cilëve më vdiqën. Kam arritur deri aty sa kërkoj tek fqinjët miell në fshat sa për të bërë bukë. Shkoj derë më derë dhe lyp nga një pjatë miell. Kam ardhur këtu të kërkoj ndihmë, edhe shtëpia ku jetojmë na rrezikon jetën çdo ditë. Vetëm unë punoj në familje. Kam trokitur në bashki dhe kryetari më ka thënë se nuk ka fonde. As për një thes miell, që kam kërkuar. Dhe ata e dijnë si jetojmë. Edhe unë vetë kam probleme, një ditë para se të vija në emision kam qenë në urgjencë. Fëmijët më shohin tek qaj dhe janë ata që më japin forcë. Shpirtin e kam helm. Shpresoj tek ndihma juaj, të shoh një dritë jeshile edhe unë në jetën time. Të paktën të siguroj bukën e gojës. 


Për çdo problem, ju mund të denonconi në “Pa Gjurmë” në kutinë postare: 
“Pa Gjurmë” në Report Tv
Rr. Dervish Hima, 3 kullat, Kulla
                  Tiranë
Numer telefoni: 069 99 55 698 
Email: [email protected]

 

Emisioni i plotë

O.D./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun