Në skenën finale të Viale del Tramonto (Sunset Boulevard), Norma Desmond, alias Gloria Swanson, tashmë delirante dhe e zhytur në një realitet paralel, zbret madhështore shkallët, duke besuar se regjisori mitik Cecil B. DeMille po e filmon dhe duke u ndier sërish aktorja e dikurshme: «Ja ku jam, DeMille, jam gati për planin tim të afërt». Është e vështirë të mos të shkojë mendja te kjo sekuencë përballë ceremonisë së pak ditëve më parë në Shtëpinë e Bardhë, kur Donald Trump pranoi medaljen e Çmimit Nobel për Paqen nga María Corina Machado, udhëheqësja e opozitës venezueliane, e shpërblyer në dhjetor, sikur të bëhej fjalë për një çmim të vërtetë të destinuar pikërisht për të.
Është e vërtetë që Komiteti i Nobelit nuk e ndalon dhënien apo shitjen e medaljes — kjo ka ndodhur edhe më parë. Por thelbi është fuqia e groteskes: «Trump jeton në një botë të ndërtuar prej tij — ka shpjeguar për Le Grand Continent historiania dhe psikologia franceze Elisabeth Roudinesco, biografe e Sigmund Freud-it dhe Jacques Lacan-it — të cilën ai e dëshiron identike me etjen e tij për gjithëpushtet dhe kënaqësi personale. Ai nuk bën shaka kur organizon një ceremoni për t’u dorëzuar një Nobel imagjinar: e jeton realisht skenën, beson në të. I tij është një delir madhështie i bazuar në kultin e egos. Trump është një aktor narcisist, aq më i rrezikshëm sa më shumë që rrethi i tij i afërt i nënshtrohet».
Letra dërguar kryeministrit të Norvegjisë, Jonas Gahr, e rikthen në vëmendje temën e gjendjes mendore të banorit të Shtëpisë së Bardhë: «Duke qenë se vendi yt ka vendosur të mos ma japë Nobelin për Paqen për faktin se kam ndalur më shumë se 8 luftëra — shkruan Trump —, nuk ndihem më i detyruar të mendoj thjesht për paqen». Trump mohon se Danimarka ka një «të drejtë pronësie» mbi Groenlandën, pasi «nuk ka dokumente të shkruara, vetëm fakti që një varkë ka zbarkuar atje qindra vjet më parë, por edhe ne kishim varka që zbarkuan atje». Duke heshtur, ose duke injoruar, faktin se Shtetet e Bashkuara kanë njohur në disa traktate sovranitetin danez mbi ishullin. Ka kaluar një vit nga fillimi i mandatit të dytë të Trump.
Dhe sjellja e tij, shpeshherë e çrregullt dhe e ngatërruar, gjithsesi e paparashikueshme, ngjall shqetësim dhe alarm në rritje. Shembujt janë radhitur njëri pas tjetrit. Në korrik ai tregoi me hollësi një histori të pamundur: xhaxhai i tij, profesori John Trump, kishte pasur mes nxënësve të tij në MIT Ted Kaczynski-n, alias Unabomber-in, i çmenduri që me letrat-bombë shkaktoi tre të vdekur dhe 23 të plagosur në 18 vjet. «Ishte një student i mirë», do t’i kishte thënë xhaxhai Donaldit. Peccato që John Trump ka vdekur në vitin 1985 dhe që FBI e identifikoi Unabomber-in vetëm në vitin 1996.
Pak ditë më vonë, gjatë samitit fatkeq të korrikut në Skoci, kur Ursula von der Leyen shkoi t’i puthte pantoflën në resortin e tij në Turnberry, Trump papritur nisi të bërtiste kundër turbinave me erë që «i çmendin balenat» dhe «vrasin zogjtë», sidomos «të gjitha shqiponjat kokëbardha», simbol amerikan. Kur në shtator thirri gradat e larta ushtarake në Virxhinia, për t’u thënë se armiku i vërtetë është i brendshëm, Trump u hodh në një sulm të dhunshëm ndaj Joe Biden-it, që «rrëshqiste nga shkallët», duke shpjeguar se ai vetë përkundrazi i zbret «shumë ngadalë» dhe duke u rekomanduar atyre, gjeneralëve, «të jenë shumë cool kur zbresin një shkallë».
Sa i përket Barack Obama-s, «për të cilin kam zero respekt si president», ai megjithatë i zbriste shkallët «duke kërcyer»: «E madhe. Edhe unë mund ta bëja, por nuk dua». Pastaj është historia e rezonancës magnetike, të cilës Trump, duke folur me gazetarët në Air Force One, tha se i ishte nënshtruar: «Mjeku tha se asnjë mjek nuk ka parë ndonjëherë një rezultat më të mirë». Asnjë mjek në botë nuk flet kështu. Për më tepër, as Trump dhe as Shtëpia e Bardhë nuk kanë shpjeguar kurrë pse dhe për cilën pjesë të trupit u urdhërua rezonanca. «Ia bënë trurit?», pyeti një reporter, i cili nuk mori përgjigje, por një fyerje: «You’re a bad person».
Sipas Robert Reich, ish-ministër i Punës nën Bill Clinton-in, «nëse Trump më parë ishte racional, tani nuk është më». Dhe ai përmend reagimin e tij ndaj vrasjes së regjisorit Robert Reiner dhe të bashkëshortes së tij, që sipas Trump ndodhi sepse ata kishin një «obsesion të tërbuar» kundër tij. E intervistuar së fundmi nga Vanity Fair, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, besnike e flaktë e presidentit, ka thënë se Trump ka një «personalitet prej alkoolisti», sepse mendon «se nuk ka absolutisht asgjë që ai të mos mund ta bëjë». «Në vitin 2017 — kujton Elisabeth Roudinesco — psikiatrët më të mirë amerikanë e përkufizuan Trump-in si një përzierje mes sociopati, narcizmi, sadizmi dhe rrezikshmërie, i paaftë për të qeverisur vendin e tij»./ Corriere della Sera
Komente






