Është disi si skandali i Watergateit, me zyrtarë të administratës amerikane dhe miliarderë financues që kanë 'futur hundët' në këtë çështje, vetëm se Donald Trump është shumë më i drejtpërdrejtë se Richard Nixon.

“E pashë ndeshjen. Jam një njeri që e dua sportin dhe ai nuk ishte faull”, deklaroi presidenti i SHBA-së gjatë një transmetimi televiziv. “Edhe ky arbitër është paksa i dyshimtë, nëse shikon të kaluarën e tij. Mori një vendim të pabesueshëm, një karton të kuq, që madje unë nuk e dija mirë çfarë nënkuptonte, kundër lojtarit tonë më të mirë.”

Më pas ai telefonoi mikun e tij, Gianni Infantino, presidentin e FIFA-s.

“Po, e telefonova dhe kërkova që FIFA ta rishikonte vendimin.”

Infantino nuk u tregua i befasuar, si zakonisht.

“Trump më telefonoi, por i shpjegova se procedura ligjore ishte në dorën e organeve të pavarura disiplinore.”

Ndërhyrja

U tha u bë. Komisioni Disiplinor pezulloi zbatimin e dënimit të Folarin Balogun, duke i lejuar sulmuesit të luante në ndeshjen e fazës së 1/8-ave kundër Belgjikës.

Kjo çështje duket se bashkoi Evropën më shumë sesa tarifat tregtare. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, reagoi i habitur:

“Kështu dëmtohen rregullat e sportit dhe aftësia e FIFA-s për të mbrojtur në mënyrë të besueshme frymën e lojës së ndershme.”

Edhe UEFA reagoi me zemërim të paprecedentë, duke publikuar një deklaratë që tingëllonte si një aktakuzë:

“FIFA ka kaluar një kufi që nuk duhej të kalohej. Është një vendim i paprecedentë, i pakuptueshëm dhe i pajustifikueshëm.”

Sipas UEFA-s: “Një ndeshje pezullim pas një kartoni të kuq nuk është çështje diskrecioni. Kur siguria e zbatimit të rregullave nuk garantohet më nga vetë institucionet që duhet t’i mbrojnë ato, integriteti i lojës vihet në rrezik dhe besueshmëria e kompeticionit dëmtohet.”

Sipas saj, kjo krijon një precedent të rrezikshëm për turneun.

Vendimi u mbështet në nenin 27 të Kodit Disiplinor, një dispozitë që ishte përdorur edhe në nëntorin e kaluar për t’i ulur Cristiano Ronaldos dy ndeshje pezullim, duke i mundësuar pjesëmarrjen që nga fillimi i Kupës së Botës.

Ndërkohë, Franca ka paraqitur ankesë për t’i hequr kartonin e verdhë Michael Olise, pasi një tjetër në çerekfinale do ta linte jashtë gjysmëfinales.

Edhe trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka deklaruar se do të kërkojë të njëjtën gjë për kartonin e verdhë të Jude Bellingham. Me pak fjalë, FIFA mund të ketë hapur rrugën për një trajtim të veçantë për yjet e futbollit.

Ankesa

Belgjika paraqiti ankesë, por FIFA e hodhi poshtë si “të papranueshme”, me arsyetimin se përfaqësuesja e drejtuar nga Rudy Garcia nuk ishte palë në procedurën disiplinore. Sipas autoriteteve belge, FIFA po përpiqet të fshijë çdo gjurmë të kësaj historie.

Ata denoncuan se gjatë mbledhjes teknike para ndeshjes kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, FIFA kishte hequr nga prezantimi seksionin mbi pezullimet e lojtarëve, pjesë që deri atëherë ishte shpjeguar gjithmonë. Për shumëkënd kjo duket më shumë sesa një manipulim tipik i një turneu amator.

Mjaftuan edhe aludimet e Trumpit për arbitrin brazilian Raphael Claus, 46 vjeç, që drejtoi ndeshjen SHBA - Bosnjë.

Fillimisht Claus nuk e kishte përjashtuar Balogun, duke e konsideruar shkeljen ndaj kundërshtarit si të pavullnetshme. Vetëm pasi u thirr nga VAR-i për një “ndërhyrje të rëndë”, ai ndryshoi vendimin dhe nxori kartonin e kuq.

Kur Trump përmendi “të kaluarën” e arbitrit, ai la të kuptohej një hetim të vjetër për trukime në baste sportive, ku Claus kishte qenë nën hetim, por më vonë ishte shpallur plotësisht i pafajshëm.

Aktorët e tjerë

Mes akuzave , të cilat më pas rezultuan të pabazuara, ishte edhe pretendimi se Claus kishte dhënë kartonë të kuq në mënyrë të pazakontë dhe të pajustifikuar.

Sipas artikullit, ky informacion i ishte përcjellë stafit të Trumpit nga menaxheri i fondit të investimeve Scott Goodwin.

Goodwin është një tifoz i madh i futbollit dhe një nga financuesit më të mëdhenj të Federatës Amerikane të Futbollit, së bashku me mikun e tij Ken Griffin, një tjetër figurë e njohur e Wall Streetit.

Ai kontribuoi edhe në emërimin e Mauricio Pochettinos si trajner të kombëtares amerikane, me një pagë prej 6 milionë dollarësh në sezon.

Për polemikat, Goodwin reagoi shkurt në rrjetet sociale:

“Mediet po e ekzagjerojnë përfshirjen e kujtdo tjetër përveç Federatës së Futbollit dhe ekipit të saj ligjor. Si 300 milionë amerikanë të tjerë, edhe unë isha i zemëruar për atë karton të kuq dhe thashë vetëm se duhej reaguar.”

Sipas raportimeve, të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe Andrew Giuliani, drejtor ekzekutiv i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës, si dhe sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, i cili ndoqi nga tribuna ndeshjen SHBA - Bosnjë pranë Gianni Infantinos.

Edhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, thuhet se u ka thënë gazetarëve:

“Me atë karton të kuq na dëmtuan. Duhet të bëjmë ankesë.”

Në fund, Mauricio Pochettino e ka sërish në dispozicion yllin e tij.

“Ne ishim ndëshkuar tashmë gjatë ndeshjes. Ky është një vendim që duhet festuar.” Edhe pse nuk është ende amerikan, “ndihem 200 përqind argjentinas”, në këtë rast ai u soll shumë në stilin e Trumpit.

Reagimi i Bashkimit Evropian

Çështja Balogun ka mbërritur edhe në institucionet evropiane. Komisioneri Evropian për Sportin, Glenn Micallef, deklaroi se lufta kundër “instrumentalizimit të sportit për qëllime politike” është një nga sfidat kryesore të qeverisjes sportive.

Ai shtoi se, sipas mendimit të tij, pezullimi fillestar i Balogun ishte i gabuar, duke ndarë të njëjtin vlerësim me shumë tifozë dhe ish-futbollistë.

Megjithatë ai nënvizoi: “Vendimet sportive duhet të merren vetëm nga organet kompetente. Ndikimi politik mbi to do të cenonte autonominë e sportit.” Edhe pse nuk e përmendi drejtpërdrejt Trumpin, Micallef paralajmëroi kundër çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e FIFA-s.

Postimi i Blatter

Edhe ish-presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, reagoi në rrjetin social X: “Kartonët e kuq nuk duhet të anulohen nga telefonata politike. Ato duhet të anulohen vetëm mbi bazën e rregullave, provave dhe vendimeve të organeve të pavarura. Futbolli nuk duhet të bëhet kurrë një fushë loje për pushtetin politik. Nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara ndërhyn te presidenti i FIFA-s dhe një lojtar shpallet papritur i pafajshëm përpara një ndeshjeje eliminatore të Kupës së Botës, pyetja lind natyrshëm: Quo vadis, FIFA? (Ku po shkon, FIFA?)”.

Çfarë ndodhi në prapaskenë?

Sipas The New York Times dhe Politico, Trump u informua për situatën nga Andrew Giuliani, drejtues i komitetit organizator të Kupës së Botës dhe djali i ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Rudolph Giuliani.

Në bashkëpunim me sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, i cili ka marrëdhënie shumë të ngushta me Infantinon, si dhe me avokatët e vënë në dispozicion nga Shtëpia e Bardhë, u përgatit një dosje kundër arbitrit brazilian që kishte përjashtuar Balogun. Më pas u analizuan të gjitha mundësitë ligjore për të aktivizuar nenin 27 të Kodit Disiplinor, pa u publikuar asnjë raport zyrtar apo shpjegim për vendimin.

Reagime të tjera

Përveç UEFA-s dhe Belgjikës, reagime të forta erdhën edhe nga vende të tjera evropiane. Gjermania kërkoi sqarime nga FIFA: “FIFA duhet të japë menjëherë një deklaratë lidhur me raportimet se vendimi për anulimin e kartonit të kuq u parapri nga një telefonatë mes presidentit të SHBA-së dhe presidentit të FIFA-s.”

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, tha:

“Nuk ishte vetëm arbitri që mori vendimin. Ishte edhe VAR-i, pra tre arbitra dhe teknologjia. Kush e rrëzon tani këtë vendim? Kur? Dhe mbi çfarë baze? Deri ku do të shkojmë? Për mua është thjesht e çuditshme. Ne kërkojmë vetëm që vendimet të jenë të njëjta për të gjithë.”

Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbakken, deklaroi:

“Ishte një gabim i madh nga FIFA, që në fund do t'u kthehet kundër vetë Shteteve të Bashkuara. Është një vendim i gabuar që do të dëmtojë Kupën e Botës. Edhe nëse SHBA fiton, suksesi i saj do të vihet gjithmonë në dyshim.”

Edhe presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Giovanni Malagò, u shpreh:

“Është një histori shumë e çuditshme. Më duket absurde. Kam lexuar nenin 27 dhe fatmirësisht, ai nuk mund të zbatohet në kampionatet kombëtare, përndryshe do të ishte kaos i plotë. Është e kotë ta mohojmë, ky është një vendim që ka një aromë të qartë politike. Është një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe shpresoj që ta kuptojnë këtë.”

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.