Një gjykatës federal vendosi këtë të enjte se urdhri ekzekutiv i Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund marrjes së shtetësisë nëpërmjet të drejtës së lindjes ishte “hapur jokushtetuese”.
Ndaj, ai lëshoi një urdhër të përkohshëm ndalimi për ta bllokuar vendimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Trump vendosi që jo çdo person që lindte në SHBA ishte automatikisht shtetas amerikan.
Gjykatësi John Coughenour, i emëruar që nga koha e Ronald Reagan në Seattle, pranoi kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm të Uashingtonit, Nick Brown dhe 3 shteteve të tjera të udhëhequra nga demokratët që kërkuan ndalimin urdhrit të Trump për një periudhë të paktën 14-ditore.
“Kam qenë në detyrë për më shumë se 4 dekada. Nuk mbaj mend një rast tjetër nëse çështja e paraqitur të ishte kaq e qartë” – tha gjykatësi.
“Ku ishin avokatët” kur u mor vendimi për nënshkrimin e urdhrit, pyeti gjyqtari. Shtetet e udhëhequra nga demokratët kërkojnë një vendim të përkohshëm kufizues, pasi argumentojnë se urdhri ekzekutiv i Trump është një shkelje e hapur e Amendamentit të 14-të të Kushtetutës, i cili garanton shtetësinë për të gjithë fëmijët e lindur në tokën amerikane.
Përtej ndikimit që urdhri i Trump do të ketë tek banorët e tyre, Uashingtoni dhe shtetet e tjera argumentojnë se fundi i nënshtetësisë nga e drejta e lindjes do të rëndojë programet e tyre shtetërore financiarisht dhe logjistikisht.
Administrata Trump argumenton se kjo klauzolë i lejon presidentit të përjashtojë fëmijët e emigrantëve pa dokumente dhe madje edhe fëmijët, prindërit e të cilëve janë të pranishëm ligjërisht, por nuk kanë status të përhershëm ligjor.