"Tryeza e Integrimit", Meta e Bregu
qëndrim të unifikuar për azilkërkuesit

qëndrim të unifikuar për azilkërkuesit">
TIRANË - Tryeza e mbajtur ne kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian nxori edhe njëherë në pah qëndrimet ndryshe brenda mazhorancës sa i takon rritjes së numrit të azilkërkuesve. Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike kanë ndarë në këtë konferencë të njëjtin qëndrim, se shkak i rritjes së numrit të azilantëve janë papunësia, reformat e munguara dhe korrupsioni.

“Ne duhet të marrim pas praktike për të përmirësuar mobilitetin dhe të investojmë akoma më shumë për arsimin e të rinjve tanë. Kjo është e vetmja mënyrë për të trajtuar dhe luftuar papunësinë e lartë, e cila për fat të keq ende dekurajon të rinjtë tanë për të investuar energjitë dhe aftësitë e tyre në vendet tona dhe në rajonin tonë. Ky prioritet ka një domethënie të jashtëzakonshme sidomos gjatë këtij viti ku për fat të keq kërkesat e azilantëve në vendet e Europës Perëndimore janë rritur në mënyrë shqetësuese edhe nga vendet tona. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ne mund të tërheqim investimet e huaja domethënëse vetëm duke punuar në aspektin rajonal dhe jo thjesht atë të ngushtë kombëtar. Dhe siç u bë e qartë gjatë Konferencës së Vjenës, qeverisja më e mirë, forcimi i shtetit ligjor, arsimi profesional i të rinjve dhe ndërlidhja infrastrukturore dhe energjetike, janë fushat kryesore për një zhvillim më të shpejtë të gjithë rajonit tonë”, - theksoi kreu i Kuvendit Ilir Meta, njereheresh kreu i LSI-se. 

“Pavarësisht se vendet tona janë tashmë në listën e vendeve të sigurta, që do të thotë thuajse aspak kërkesa të pranuara për azil nuk do të ketë, numri i lartë i të larguarve përshkruan më qartë situatën tonë reale: papunësi e lartë sidomos tek të rinjtë, korrupsion dhe situatë e rënduar social-ekonomike të cilat janë më kokëfortë se çdo listë e vendeve të sigurta”, - u shpreh deputetja e PD-së Majlinda Bregu. 

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mendon ndryshe në lidhje me këtë fenomen.
 
“E gjithë vala e azilkërkuessve gjatë dy viteve të fundit nga Rajoni ynë siç e ka thënë me të drejtë kryeministrit serb Vucic nxiten më tepër nga benefitet sociale që ofrojnë sisteme të ndryshme të azilkërkimit”, tha Bushati.  

Fleckenstein: Reforma në drejtësi kyçe për anëtarësimin
Me praninë e raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein u mblodh në Tiranë Konferenca e 11 e Komisioneve Parlamentare të Integrimit Evropian të Shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asocimit të Evropës Juglindore. Kjo konferencë drejtohet nga kryetarja e komisionit parlamentar të Integrimit Majlinda Bregu, ndërsa u përshëndet edhe nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.
 
Për Fleckenstein vënia në jetë e reformës në drejtësi është mjaft e rëndësishme për vendin tonë pasi do të ndikonte drejtpërdrejt sipas tij, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qeveria shqiptare sipas tij po punon për prioritetet e vendosura nga Komisioni Evropian, të domosdoshme për anëtarësimin e saj në familjen evropiane. Reforma në gjyqësor është kyçe, - tha ai.

“Nuk mund të përballemi me sfidat e politikës jo vetëm në Shqipëri, por dhe vende të tjera pa patur bashkëbisedim. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të njihen si vende të sigurta origjine, ndërkohë që ka shumë sfida. Anëtarësimi i Shqipërisë, i vendeve tuaja kërkon punë të vazhdueshme. Kam ndjekur procesin e përgatitjes së Shqipërisë për integrimin, ndërkohë që qeveria dhe parlamenti duhet të punojnë për një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi për të pasur një sistem gjyqësor profesional që nuk është prekur nga korrupsioni dhe influenca politike. Kjo reformë do na lejojë që të bëjmë progres të vazhdueshëm në luftën kundër korrupsionit të organizuar, për përmirësimin e klimës së biznesit në vend, thithjen e investimeve. Reforma në gjyqësor nuk i shërben qëllimit të të bërit “qejf” Parlamentit Europian. Forcimi i parimit të së drejtës do t’i bindë qytetarët të mbështeten tek drejtuesit politik se po bëjnë më të mirën e mundur për një të ardhme më të mirë. Jam i bindur se PE dhe të gjitha institucionet e BE-së janë të gatshme të mbështesin integrimin e Ballkanit Perëndimor. PE nuk preket nga fenomene që prekin vendet e BE”, - tha Knut Fleckenstein.

Fleckenstein veçoi edhe Serbinë mes Ballkanit si një vend që është angazhuar për tu integruar në Bashkimin Evropian. “Integrimi kërkon angazhim të vazhdueshëm. Serbia po tregon punë më të mirë se vendet e tjera”, theksoi ai.
 
Flenckenstein

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian Knut Fleckenstein, solli në vëmendje krizën e emigrantëve me të cilën po përballen shumë vende.
 
 “Gjatë viteve të kaluara, Turqia, Libani e Jordania kanë mbajtur barrën më të madhe për të strehuar emigrantët dhe kanë hapur dyer për të pritur me mijëra regfugjatë. Tashmë shumë vende po përballen me sfida për faktin se mijëra refugjatë po drejtohen drejt tyre për të kërkuar azil”, tha Fleckenstein. Për të menaxhuar këtë situatë, shtoi deputeti gjerman në Parlamentin Europian, duhet mbështetjen nga partnerët duke përfshirë edhe Rusinë.
 
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Majlinda Bregu tha se pavarësisht problemeve me demokracinë dhe funksionimin e ligjit që kanë disa vende të Evropës Juglindore, Ballkani sipas saj është duke ecur me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian. “Të gjithë jemi të bindur, tha Bregu, se rruga e duhur është zgjerimi.

Procesi i integrimit ka sfida të shumta që nuk duhet të qëndrojnë pezull. Ne besojmë se parlamentet e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë. Integrimi është qasja e duhur, të investojmë më shumë besim tek kjo qasje. Të gjithë jemi dakord që procesi duhet të mbahet gjallë, ta riaktivizojmë atë. Zgjerimi është proces dhe jo ngjarje, ka nevojë për një vendimmarrje të qartë politike. Europianët duhet të jenë të drejtë me ne”,­ - shtoi Bregu.

Numri i lartë i shqiptarëve që largohen nga vendi për të kërkuar avil në shtetet e Bashkimit Evropian, sipas Bregut është një ndër problemet me të cilët po përballet Shqipëria aktualisht. 

Shqipëria ka sot numrin më të lartë të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, problem mbetet papunësia, sidomos tek të rinjtë”- ­ tha ajo.

Flenckenstein

Kryeparlamentari Ilir Meta tha se pavarësisht sfidave, Rajoni ndodhet në një moment historik, pasi vendet po avancojnë në marrëdhëniet e tyre kontraktuale me Bashkimin Evropian. Reforma në drejtësi mbetet kyçe për mbarëvajtjen e procesit të integrimit të vendit tonë, ashtu sikurse duhet përshpejtuar sipas tij, edhe procesi i reformave që lidhen me sundimin e ligjit. “Korrupsioni dhe krimi i organizuar ende qëndrojnë si një barrier për zhvillimin dhe për të pasur një mirëqeverisje. Parlamentet tona dhe veçanërisht komisionet e integrimit, i kanë mundësitë të përshpejtojnë përpjekjet e tyre. Ne e shohim perspektivën e vendit tonë në BE të lidhur ngushtë me reformat, me konsolidimin e shtetit të së drejtës ”, tha Meta. Fjala e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta

Duke evidentuar rolin e Shqipërisë në stabilitetin në Rajon, Meta tha se puna për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë duhet të vijojë edhe më tej. “Ne mbështesim përfshirjen e Kosovës në të gjitha iniciativa rajonale dhe shpresojmë se të gjitha vendet tuaja do jenë mbështetëse ose të mirëkuptueshme”, tha Meta.
 
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati tha se vendet e Ballkanit janë në etapa të ndryshme të procesit të integrimit, por nuk ka asnjë alternativë tjetër sipas tij, përveç anëtarësimit të rajonit në BE. 

ditmir bushati
 
Ndërsa sa i përket aziltantëve, ministri Bushati tha se ky fenomen tashmë është ulur, nga momenti që Gjermania shpalli vende të sigurta origjine vendet e Rajonit. “Vala e shqiptarëve që kërkojnë azil është ulur ndjeshëm gjatë shtatorit”, - shtoi Bushati.

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, mori pjesë në takimin e 11-të të Konferencës së Komisioneve të Integrimit Evropian të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asociimit të vendeve të Evropës Juglindore – COSAP, që u zhvillua në Tiranë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Bushati theksoi rolin kyç të parlamenteve në proceset komplementare të integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal. “Ndikimi i reformave që lidhen me integrimin evropian”-, nënvizoi ai, “nuk matet vetëm me numrin e ligjeve të miratuara, por edhe me cilësinë e një procesi miratimi që garanton demokraci dhe transparencë.  Këtu, rolin qendror e kanë parlamentet, nëpërmjet një analize dhe diskutimi të thelluar të masave ligjore e një konsultimi të gjerë me grupet e interesit dhe organizatat e shoqërisë civile”.  Në këtë kontekst, ai vlerësoi rolin e Komisionit të Integrimit të parlamentit shqiptar në linjëzimin e qasjeve mes palëve për çështje që lidhen me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë.

Shkëmbimi i përvojave në këtë drejtim midis parlamenteve të vendeve të rajonit, u shpreh Ministri Bushati, është një kontribut i çmuar për këtë rol qendror të parlamenteve. Ky bashkëpunim është tejet i dobishëm në kuadrin e përpjekjeve të përbashkëta për harmonizimin dhe përafrimin e legjislacionit me acquis të BE- së, si dhe në nxitjen dhe ushqimin e debatit publik me synim forcimin e bashkëpunimit politik drejt anëtarësimit në BE.

Më tej, Ministri Bushati vuri theksin mbi rëndësinë që dimensioni parlamentar do të mbartë në Konferencën e Parisit, ku vëmendja kryesore duhet të përqendrohet në projekte konkrete, sidomos në ato që lidhen me fushën e energjisë.

Duke nënvizuar rolin e spikatur e të pazëvendësueshëm të parlamenteve dhe parlamentarëve për të çuar përpara frymën e fqinjësisë së mirë dhe proceset bashkëpunuese në rajon, Ministri Bushati u shpreh se marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor duhet të karakterizohen, mbi të gjitha, nga një qasje strategjike.

“Bashkëpunimi rajonal është jo vetëm kusht për paqen dhe stabilitetin, por gjithashtu një domosdoshmëri që rrjedh nga problemet e përbashkëta politike, ekonomike dhe sociale të të gjitha vendeve në rajon” theksoi ai.

konferenca e integrimit

Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme, Arta Dade e pranishme në këtë konferencë tha se nxitja e bashkëpunimit Evropian ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor është e rëndësishme për zgjerimin e BE, me qëllimin kryesor stabilitetin, sigurimin, prosperitetin ekonomik, në një rajon, i cili është pjesë e mozaikëve të njerëzve të cilët e kanë trajtuar në të shkuarën diferencën e tyre, por kanë edhe pika të përbashkëta, ndërkohë që vitet e fundit është ndryshuar në mënyrë domethënëse.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Arrestimi i ultrasve për lidhjet mafioze, Inter dhe Milan mund të vendosen nën kontrollin e jashtëm! Takimet me futbollistët

Arrestimi i ultrasve për lidhjet mafioze, Inter dhe Milan mund të vendosen nën kontrollin e jashtëm! Takimet me futbollistët