Tryeza për Reformën Zgjedhore, Basha: Interesat personale nuk do e zhvendosin PD-në nga qëllimi i saj! Qytetarët meritojnë politikë të pastruar nga krimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë pjesë sot në një tryezë të organizuar për Reformën Zgjedhore, ku ka dhënë edhe një prononcim për mediat lidhur me zhvillimet në PD dhe nismat që ka dorëzuar në Kuvend.

Duke iu shmangur pyetjeve të gazetarëve për Berishën dhe Bardhin, Basha tha se PD e ka të qartë platformën dhe se asnjë interes personal nuk duhet të vendosë mbi agjendën e opozitës.

“Nuk kam ndërmend të ushqej lajmet me telenovelat e vjetra dy vjeçare. Ajo që njerëzit presin nga ne nuk është t’i gjejmë punë vetes si deputetë. Ajo që duhet të na bashkojë edhe interesi i qytetarëve. Qytetarët meritojnë një politikë të pastër nga krimi dhe korrupsioni. Asnjë interes personal nuk do ta zhvendosë partinë Demokratike. PD e ka të qartë platformën me qytetarët. Kushdo që nuk vendos interesin personal të parin, është i mirëpritur të bëhet pjesë”- u shpreh Basha.

Duke folur për bashkëbisedimin që mbahet sot për Reformën Zgjedhore mes koalicionit të djathtë, Basha tha se PD ka depozituar në Kuvend ligjin për vettingun e politikanëve në mënyrë që të zgjedhurit e qytetarëve në parlament të jenë figura të pastra. Ai shtoi se PD nuk do të lejojë një marrëveshje tjetër si ajo e vitit 2008 mes Ramës dhe Berishës për Reformën Zgjedhore.

“Asnjëherë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nuk kanë ardhur si rezultat i numrave të një partie. Ne si PD do të imponojmë që asnjë konsensus si ai i 2008-ës ku numrat ishin por ua futën qytetarëve dhe sot paguajmë faturën e marrëveshjes okulte”- tha kryedemokrati.

Bashkëkryetari i komisionit për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj në bashkëbisedimin e mbajtur ditën e sotme rreth kësaj teme, tha se PD do të kërkojë sistem proporcional kombëtar, lista tërësisht të hapura dhe votë elektronike të diasporës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:37
Basha e akuzoi se po e përdor kaosin në Kuvend për interesa personale, i përgjigjet Bardhi: Sa kate ke marrë te kulla, 2, 3 apo 4?

1696527931_lulzimbasha.jpg

Deputeti Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së kryedemokratit Lulzim Basha i cili i pyetur për numrin e deputetëve që e mbështesin, tha se nuk bën llogari personale siç bëjnë të tjerët.

“Nuk bën PD llogari kungulleshkash si ata që bëjnë llogari personale. Prandaj kërkojmë lista të hapura që mos të ketë deputetë me 300 deputetë në Kuvend dhe ata me 4 mijë vota mbeten jashtë”- u shpreh Basha më herët.

Ndërsa Bardhi në reagimin e tij ka ironizuar kryedemokratin, duke e akuzuar sërish se ka marrë përfitime personale për të mbajtur këtë qëndrim ndaj aksionit opozitar.

“Meme e gatshme!

Pyetje: Ka mbyll derën e katit të parë apo katit të dytë të Kullës?!

Përgjigje: Lojë kungulleshkash/ Sa kate? 2. Jo; Po sa? 3. Jo; Po sa? 4..”- shkruan Bardhi në reagimin e bërë në rrjetin 'X'.

Ora 11:42
PD propozon ndryshimet për Reformën Zgjedhore: Listat të Hapura e sistem propocional

 

Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore Enklejed Alibeaj, i caktuar nga Partia Demokratike, ditën e sotme ka paraqitur propozimet e Partisë Demokratike për ndryshimet në Reformën Zgjedhore.

Alibeaj thotë se PD do të kërkojë sistem proporcional kombëtar, lista tërësisht të hapura dhe votë elektronike të diasporës. PD kërkon ndryshim të sistemit në 1 zonë zgjedhore: sistem proporcional kombëtar.

PROPOZIMET E PARTISË DEMOKRATIKE PËR NDRYSHIME REFORMËN ZGJEDHORE:

NË LIDHJE ME LISTAT E HAPURA JANË NDRYSHUAR KËTO NENE:

Neni 162 ndryshohet si vijon:

1. Jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të ankimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve apo pavlefshmërisë së zgjedhjeve, sipas këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë.

2. Numri i votave të vlefshme të secilit subjekt pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror të mandatit të fundit. Hapi nga njëri pjesëtues tek tjetri është 1. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.

3. Kur subjekti zgjedhor është kandidat i propozuar nga zgjedhësit, votat e tij pjesëtohen vetëm me pjesëtuesin 1.

4. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim, përfshirë edhe rezultatin e pikës 3 të këtij neni, renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës. Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditet numri i plotë i mandateve për Kuvend.

5. Një subjekt zgjedhor përfiton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar në pikën 4 të këtij neni. Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar në pikën 4 të këtij neni rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka numrin me të madh të votave dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash, atëherë përcaktohet me short midis atyre subjekteve. Shorti hidhet publikisht në KQZ, në prani të subjekteve të interesuara”.

Neni 163 ndryshohet si vijon:

1. Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt.

2. Shpërndarja e mandateve fillon me rend zbritës, në bazë të numrit të votës parapëlqyese të secilit kandidat të listës shumë emërore.

3. Kur numri i votave është i barabartë, renditja përcaktohet me short. Rirenditja sipas kësaj pike përdoret në zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi.

4. Nëse pas shpërndarjes së mandateve sipas përcaktimeve të pikës 2 kandidatëve të gjinisë pakicë nuk u janë ndarë së paku 30% nga numri i përgjithshëm i vendeve të subjektit politik, kandidati i fundit i zgjedhur i gjinisë shumicë zëvendësohet nga një kandidat i radhës i gjinisë së nënpërfaqsuar në listën e rirenditur për kandidatë, derisa numri i përgjithshëm i vendeve të ndara për gjininë e nënpërfaqsuar të jetë së paku 30%.

5. Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, miratohet me vendim. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.

Në nenin 166, pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Mandatet e këshillave vendorë ndahen nga KQZ-ja në bazë të sistemit proporcional, sipas të njëjtave procedura të parashikuara në nenin 162 dhe 163 të këtij Kodi. Mandatet nominale të këshillave vendorë ndahen bazuar në listën e kandidatëve, sipas votës parapëlqyese, duke filluar nga numri rendor një.”

NË LIDHJE ME SISTEMIN ZGJEDHOR PROPORCIONAL KOMBËTAR JANË NDRYSHUAR KËTO NENE

Në nenin 2 pika 25, ndryshohet si vijon

“Zonë zgjedhore” është tërësia e territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvend dhe bashkia për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore”.

Neni 74 ndryshohet si vijon:

“Për zgjedhjet për Kuvend, Republika e Shqipërisë konsiderohet një zonë zgjedhore.”.

NË LIDHJE ME VOTËN E DIASPORËS JANË NDRYSHUAR KËTO NENE:

Në nenin 2

pika 1 ndryshohet si vijon:

“Data e zgjedhjeve” janë ditët gjatë të cilave ushtrohet e drejta e votimit për Kuvendin e Shqipërisë ose organet e qeverisjes vendore, të përcaktuara me dekret të Presidentit të Republikës”.

pas pikës 7 shtohet pika 7/1 me përmbajtje si më poshtë:

“Zona e Administrimit Zgjedhor” ZAZ është nënndarja e zonës zgjedhore me qëllim administrimin e zgjedhjeve për Kuvend dhe zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore e cila krijohet me vendim të KQZ sipas rregullave të parashikuara në këtë Kod”.

Pas pikës 7/1 shtohet pika 7/2 me përmbajtje si më poshtë:

“Vend votimi” është vendi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në të cilin realizohet procesi i votimit, në një ose më shumë qëndra votimi”.

Në nenin 8 pas fjalëve “...në të gjithë territorin e vendit...” shtohen fjalët “... dhe jashtë tij...”.

Në nenin 9, pika 1 ndyshohet si vijon:

“Data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në dy ditë të njëpasnjëshme, duke filluar të shtunën dhe përfunduar të dielën, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij ligji.”

Në nenin 11 pas pikës 2 shtohet pika 2/1 me përmbajtje si më poshtë:

“2/1. Në qëndrat e votimit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë orari i votimit fillon sipas përcaktimeve të pikave 1 dhe 2 të këtij neni por në çdo rast përfundon në të njëjtën orë me përfundimin e orarit të votimit në qendrat e votimit në Republikën e Shqiërisë, pavarësisht ndryshimeve orare.”

Neni 24 ndryshohet si vijon:

1.Zgjedhësit me të drejtë vote, të cilët janë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mund të ushtrojnë të drejtën e votës në shtetin e qëndrimit.

2. KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr proçesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin për zgjedhësit me qëndrim të përhershëm ose të përkohshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

3. Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me vendim të KQZ-së brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij Kodi.

Pas nenit 24 shtohet neni 24/1 me këtë përmbajtje:

Neni 24/1

1. Për të ushtruar të drejtën e votës në shtetin e qëndrimit zgjedhësit duhet të regjistrohen në “listën e zgjedhësve me qëndrim jashtë Shqipërisë”. Regjistrimi mund të kryhet në çdo kohë, ndërmjet periudhave zgjedhore, por në çdo rast, jo më vonë se 6 muaj nga data e zgjedhjeve të caktuar nga Presidenti i Republikës. Kërkesa për regjistrim mund të bëhet vetëm në rrugë elektronike.

2. Proçedura e regjistrimit miratohen me vendim nga KQZ brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 

3. Lista e shtetasve që ushtrojnë të drejtën e votës në shtetin e qëndrimi hartohet me të dhënat si më poshtë:

a) emri;

b) atësia;

c) amësia;

ç) mbiemri;

d) datëlindja;

dh) numri personal i identifikimit;

e) vendlindja;

ë) shteti i qendrimit;

f) qytetit i qendrimit;

g) gjinia.

4. Bazuar në listën me të dhënat e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni hartohet lista përfundimtare e zgjedhësve që ushtrojnë të drejtën e votimit në vendin e qëndrimit dhe listat përkatëse në bazë të shtetit të qëndrimit. 

5. Jo më vonë 30 ditë nga përfundimi i afatit të parashikuar në pikën 2 të këtij neni KQZ miraton me vendim listën përfundimtare të shtetasve shqiptare me qëndrim jashtë shqipërisë të cilët janë regjistruar si dhe listën e shteteve në të cilat do të realizohet votimi jashtë Shqipërisë. Vendimi i KQZ së bashku me listën i dërgohet ministrisë përgjegjëse për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

6. Ministria përgjegjëse për gjendjen civile, brenda 15 ditëve nga marrja e listës sipas pikës 5 të këtij neni, përditëson listën zgjedhësve, që ushtrojnë të drejtën e votës në Shqipëri,  sipas parashikimeve të këtij Kodi”.

Pika 1 e nenit 25 ndryshohet si vijon:

“1. Votimi për zgjedhësit me banim të përhershëm ose të përkohshëm jashtë Shqipërisë zhvillohet në datën e zgjedhjeve të përcaktuar me dekret të Presidentit të Republikës dhe sipas orareve të parashikuara në këtë Kod.”

Pas nenit 27 shtohet neni 27/1 me përmbajtje si më poshtë:

Neni 27/1.

Zonat e administrimit zgjedhor jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

1. Në të gjitha shtetet në të cilat regjistrohet një numër zgjedhësish, me qëndim të përhershëm ose të përkohshëm jashtë Shqipërisë, më i madh se 5.000, ngrihet një zonë e administrimit të zgjedhjeve.

2. Juridiksioni territorial i ZAZ-ve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si rregull është i njëjtë me territorin e shtetit në të cilin ngrihet. Përjashtimisht nga ky rregull KQZ mund të vendosë ngritjen e ZAZ me juridiksion territorial në disa shtete kur numri i përgjithshëm i zgjedhësve të regjistruar në këto shtete është më i madh se 5.000. 3. Vendimi për ngritjen e ZAZ jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë merret nga KQZ jo më vonë se 4 muaj nga data e caktuar e zgjedhjeve.

Pas nenit 62 shtohet neni 62/1si më poshtë:

Neni 62/1

Caktimi i qëndrave të votimit jashtë vendit

1. Si rregull qëndrat e votimit jashtë vendit caktohen në selitë diplomatike të Republikës së Shqiërisë në shtetet përkatëse.

2. Në rast se në ZAZ përkatëse nuk ka seli diplomatike dhe duhet të caktohet një vend votimi, apo në rastin kur ka seli diplomatike dhe duhet të caktohet më shumë se një vend votimi, KQZ, me propozim të përfaqsuesit diplomatik të Republikës së Shqipërisë, në atë shtet apo në shtetin më të afërt kur i pari mungon, dhe miratim të KZAZ përkatëse, jo më vonë se 3 muaj nga data e zgjedhjeve, përcakton vende të tjera për realizimin e procesit të votimit në datat e caktuara të zgjedhjeve. Vendimi i KQZ i njoftohet brenda 10 ditëve Ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme e cila në bashkëpunim me përfaqsuesit diplomatikë merr masa për lidhjen e marrveshjeve me shtetet në të cilat janë caktuar vendet e votimit dhe nëse është e nevojshme edhe marrjen me qera të ambienteve të përcaktuara për realizimin e procesit të votimit.

3. Lista e vendeve të votimit, qendrave të votimit të përfshira në to dhe vendndodhja e tyre publikohet 60 ditë përpara datës së caktuar të zgjedhjeve.

4. Për ndryshimin e vendit të votimit zbatohen dispozitat e këtij kodi për ndryshimin e vendit të qëndrës së votimit.

 

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mario: 24/11/2023 15:26

    Po flet ky i korruptuari koke e kembe per korrupsionin.

    Përgjigju
  • Luli vogel: 24/11/2023 12:21

    Qenke shnosh i cik o jet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja