TTIP (Transatlantic Trade and Investment Partnership) (Partneriteti Transatlantik për Tregti dhe Investime) është më shumë se thjesht një marrëveshje e tregtisë së lirë, është një aleancë gjeopolitike që promovon ekonominë dhe forcon vlerat demokratike. 

Ratifikimi i TTIP do të krijonte 2 milionë vende të reja pune në SHBA dhe BE dhe do të rezultonte në zgjedhje më të shumta, cilësi më të lartë dhe çmime më të ulëta për konsumatorët.

Momenti është perfekt për të siguruar suksesin e negociatave të TTIP dhe do t’i mundësonte të dyja brigjet e Atlantikut të kristalizonin idealet dhe interesat e përbashkëta në ekonominë globale.

Marrëdhënia Transatlantike e biznesit midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Europian (BE) është një nga historitë më të qëndrueshme të suksesit në botë.

Kjo marrëdhënie është gjithashtu forca më e madhe dhe e integruar në ekonominë globale. Vlen sa gjysma e prodhimit ekonomik global dhe 41 për qind e fuqisë blerëse botërore.

Ndërsa, ekonomitë në zhvillim janë në rritje, SHBA dhe BE mbeten tregjet më të rëndësishme të njëra-tjetrës, duke gjeneruar 5,3 trilionë dollarë në vit në totalin e tregtisë vjetore dhe duke punësuar më shumë se 15 milionë persona në të dyja brigjet e Atlantikut.
 
Atëherë, pyetja që shtrohet është: si mund të përmirësohet ky sukses?

Një opsion i menjëhershëm është gjetja e marrëveshjes mbi partneritetin e propozuar, Partneritetin Transatlantik për Tregti dhe Investime (TTIP).

Nëse do të ratifikohej kjo marrëveshje do të nxiste rritjen e prodhimit të brendshëm bruto të përbashkët te SHBA-të dhe BE-së me 1 për qind në periudhën afatshkurtër deri në afatmesëm.

Një treg praktikisht pa tarifa dhe barriera, vlerësohet që potencialisht të gjenerojë një shtesë prej 150 bilionë dollarësh ne BE dhe 120 bilionë dollarë në SHBA.

Ne terma më praktike, kjo do të përkthehej në më shumë se 2 milionë vende të reja pune, më shumë zgjedhje dhe çmime më të ulëta për konsumatorët.

TTIP nuk duhet të konsiderohet vetëm një marrëveshje e tregtisë së lirë.

Tarifat janë tashmë ne nivele shume të ulëta, në një mesatare prej 4 për qind, pavarësisht disa industrive shumë fort të rregulluara e të mbrojtura, ku tarifat janë ekstremisht të larta, si për shembull nga industria tekstile, automjetet dhe bujqësia.

Gjithsesi, edhe nëse arrihet krejtësisht eliminimi i të gjitha tarifave, duke shkuar në “Transaltantik zero”, nuk ka gjasa të larta që kjo të çonte në efekte të larta për mirëqenien agregate.

Megjithatë, duke mbajtur parasysh, përmasat e ekonomisë transatlantike, edhe ndryshime fare të vogla mund të japin efekte të konsiderueshme, sidomos kur bëhet fjalë për nivelet intra-industriale.

Sipas vlerësimeve paraprake më shumë se 80 për qind e fitimeve nga TTIP do të vinin nga zonat jashtë masave të uljes apo eliminimit të tarifave.

Ne fakt, përfitimet më të mëdha do të arriheshin nga përafrimi i sistemeve rregullatore Transatlantike, duke adresuar kështu barrierat jotarifore.

Sfida më e madhe në këto negociata është identifikimi dhe kuantifikimi statistikor i barrierave jotarifore.
Është e kuptueshme që një eliminim 100 për qind i këtyre pengesave do të ishte i pamundur, sepse shumica e tyre janë reflektim i diferencave në gjuhë, kulturë, gjeografi dhe shije të konsumatorëve.
Megjithatë, qëllimi është që këto sisteme të ndryshme rregullatore të përafrohen sa më shumë të jetë e mundur ose të pranohet një përzierje e njohjeve reciproke të standardeve, që do të bënte të mundur reduktimin e këtyre pengesave.
Sipas anketës vjetore të Ekonomisë Transatlantike, edhe nëse vetëm gjysma e këtyre barrierave tarifore do tq harmonizohej, kjo do të rriste me 0,7 për qind ekonominë e BE-së dhe 0,3 për qind ekonominë e SHBA-së deri në vitin 2018.
Nga një perspektivë strategjike, TTIP është shumë tepër në lidhje me investimet sesa tregtinë. Investimi reciprok është shtylla kurrizore e ekonomisë transatlantike.

Më më shumë se 4 trilionë dollarë në investime reciproke, SHBA dhe BE janë burimet dhe destinacionet kryesore të investimeve të huaja direkte.

Kjo është shumë e rëndësishme, pasi investimet direkte janë forma më e thellë e integrimit ekonomik.

SHBA mbetet vendi i parë në bote në lidhje me tërheqjen e investitorëve të huaj në tregut e saj dhe Europa është destinacioni kryesor për investitorët amerikanë.

Statistikat tregojnë se në vitin 2013, vetëm Holanda ka thithur investime amerikane katër herë më shumë se të gjitha vendet BRIC së bashku (Brazil, Rusi, Indi, Kine).

Pavarësisht volumeve të larta të investimeve, procedurat rregullatore në të dyja anët e Atlantikut shpesh rrisin koston e të bërit biznes, duke zvarritur produktivitetin.

Si në çdo marrëveshje tregtie, proteksionizmi i forcës punëtore është arsye normale shqetësimi, por është interesante të theksohet se shumica e të huajve (emigrantëve) qe punojnë në ekonominë Transatlantike vijnë nga BE dhe SHBA.

Për këtë arsye, tregtia e stimuluar nga TTIP-ja do të rriste benefitet për tregjet e punës evropiane dhe amerikane  dhe do të rriste nivelin e pagave të përgjithshme.

Momenti është perfekt për të siguruar sukses në negociatat e TTIP. Emergjenca e fuqive të reja botërore ekonomike dhe sfidat e sigurisë qe kanë prekur Evropën, duhet të ndihmojnë të dyja anët e Atlantikut të kristalizojnë idealet dhe interesat e përbashkëta.

Një TTIP i suksesshmen dhe gjithëpërfshirës do të shërbente për të vendosur standardet institucionale dhe konkurruese të shekullit të 21 në tregun global.

TTIP është më shumë se thjesht një marrëveshje e tregtisë së lirë.

Është një aleancë gjeopolitike që promovon ekonominë dhe forcon vlerat demokratike.