Drejtuesi i partisë Shqipëria Bëhet Adriatik Lapaj ka paralajmëruar protestën e radhës më 11 mars ndërsa tregoi arsyet që refuzon t’i bashkohet protestave të Partisë Demokratike.

Lapaj thotë se e vetmja mënyrë për të rrëzuar qeverinë është qëndresa pa ndalim poshtë kryeministrisë, ndërsa me protesta 2 orëshe si apo të PD, Lapaj thotë se Rama qëndron në pushtet 100 vjet.

“Sot kam pritur që PD të qëndronte më shesh, nuk kanë qëndruar. Me protesta 2 orëshe Rama rri 100 vjet. Shumë demokratë po më thoshin ‘Adriatik na u bashkoni’, por i thashë: t’u bashkohemi për çfarë? Nëse është për të qëndruar në shesh dhe ta detyrojmë Edi Ramën të tërhiqet, këtu jemi, dakord. Por t’u bashkohemi që pas dy orësh të ikim prapë, nuk e bëjmë këtë punë. Përmes qëndresës nuk po lëmë që të mbyllet kjo plagë, po bëjmë presion edhe mbi vetë aktorë të tjerë opozitarë që të vijnë këtu e të përballen”, tha Lapaj.

Në çdo protestë të PD, Lapaj dhe mbështetës së tij që qëndrojnë poshtë kryeministrisë që prej 8 dhjetorit, zhvendosen në krahun përballë të rrugës, për t’i liruar hapësirën demokratëve. Pavarësisht se protestojnë për të njëjtin qëllim, rrëzimin e qeverisë aktuale dhe ngritjen e një qeverie tranzitore, opozita nuk është e bashkuar.