Përpos detit, Vlora ka dhe malin dhe të shumtë janë turistët që zgjedhin të eksplorojnë natyrën, sidomos Karaburunin dhe Kanionin e Gjipesë. Shpesh gjenden në vështirësi pasi nuk e njohin terrenin.

"Probleme kanë aplikacionet online, sepse nuk e përshkruajnë terrenin siç është në realitet. Kanioni i Gjipesë është shumë i rrezikshëm, si kurth nga të dy drejtimet, sepse rruga të çon deri diku dhe më pas bllokohesh. Edhe Karaburuni është i vështirë, sepse kur humbet shtegun gjendesh përballë shkëmbinjve të pakalueshëm”, thotë Ilirjan Hasani.

Kreu i Emergjencave Civile në Vlorë rikthen në vëmendje rastin e turistit që mbeti me dëmtime të rënda trupore, teksa rikujton se është shumë e rëndësishme që turistët të shoqërohen nga guidat lokale.

“Në Vlorë s’ka pasur të vdekur, por vetëm të plagosur rëndë. Ndaj guidat vendase janë shumë të rëndësishme, sepse i njohin shtigjet. Nuk mund t'i ndalosh turistët të bëjnë aventura, por duhet të informohen. Në media dhe portale duhet të përshkruhen qartë vështirësitë e shtigjeve”, thotë Hasani.

Pak ditë më parë, 4 turistë polakë u shpëtuan pas një operacioni që zgjati rreth tetë orë në terrenin e thepisur të Kanionit të Gjipesë. Për shkak të vështirësisë së terrenit, në operacion mori pjesë dhe helikopteri.

Ndërsa në gjithë qarkun e Vlorës deri në kufi me Gjirokastrën, ndër shtigjet më të vështira për hiking janë Mali i Çikës, masivi i Çipinit dhe disa maja në zonën e Kurveleshit.