Shqipëria pret një tjetër sezon turistik të suksesshëm, me shifra që kapërcejnë ato të viteve të kaluara. Muaji Maj ka sjellë më shumë lëvizje në kufij, me rritje të numrit të vizitorëve që kanë zgjedhur vendin tonë për pushime apo vizita në destinacione historike e kulturore.
Që prej nisjes së këtij viti, maji rezulton më i mbari në aspektin turistik me 1.1 milionë vizitorë të huaj, nga 987 mijë në maj të 2025-ës.
Ndërsa si periudhë 5-mujore sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, vendin e vizituan mbi 3.7 milionë të huaj nga 3.4 milionë vjet.
Prej vitesh Shqipëria është në kopertinat kryesore të revistave prestigjioze botërore të cilat e konsiderojnë bregdetin tonë ‘Maldivet e Mesdheut’, reklamë që vendit i ka sjellë miliona turistë.
Pjesa dërrmuese e të huajve që vizitojnë Shqipërinë është nga Evropa e kryesisht nga shtetet fqinje, ndërsa në rritje është edhe numri i pushuesve nga SHBA dhe Azia. Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Italia, janë shtetet kryesore që duket se po mbajnë ‘gjallë’ turizmin në vendin tonë.
Në këtë pesë mujor vendi është vizituar nga 1.2 milionë shqiptarë të Kosovës, ndjekur nga 464 mijë italianë, 298 mijë persona nga Maqedonia e Veriut, apo 290 mijë shtetas nga Greqia, e më pas vjen Mali i Zi me 284 mijë vizitorë. Pra rreth 2,6 milionë të huaj nga janari deri në fund të majit ishin nga fqinjët, ose rreth 74% e totalit të të huajve që erdhën në këtë periudhë në Shqipëri.
Pritshmëritë për këtë sezon turistik mbeten të larta edhe pse shumë ekspertë shohin me shqetësim ndikimin që protestat do të kenë në imazhin e vendit, që mund të shtojnë anulimet e rezervimeve apo të ndryshojnë planet e pushimeve të tyre.
Gjithsesi turizmi vijon të mbetet një nga motorët kryesor të rritjes ekonomike, ndërsa shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm në tremujorin e parë të vitit të huajit shpenzuan në vend 1 miliard euro, nga 874 milionë euro vitin e kaluar.
Komente









