Dy sportistët e rinj, Bojken Çela dhe Brando Kolaj, janë shpallur kampionë në turneun tradicional europian “Open Bosnja”, duke fituar nga një medalje ari në kategoritë përkatëse. Në kategorinë 60 kg, Bojken Çela u ngjit në vendin e parë të podiumit, duke realizuar katër prova të sakta. Ai ngriti 66 kg në stilin e shkëputjes dhe 81 kg në shtytje.

Suksesin e dyfishoi Brando Kolaj në kategorinë 65 kg, i cili fitoi medaljen e artë me 72 kg në shkëputje dhe 84 kg në shtytje. Përveç titullit kampion, Kolaj u shpall edhe sportisti më i mirë i aktivitetit në grupmoshën U-15. Të dy sportistët e peshëngritjes stërviten nga trajneri i Kombëtares Florenc Çela.