Presidenti islamo-konservator turk, Erdogan kritikoi ashpër aktivitetet e Iranit në Jemen, ku Arabia Saudite dhe vendet aleate kanë ndërmarrë një ndërhyrje ushtarake kundër rebelëve shiitë të mbështetur nga Teherani duke dënuar një vullnet dominimi iranian në rajon.
"Ne mbështesim ndërhyrjen e Arabisë Saudite në Jemen", iu përgjigj gazetarëve presidenti turk, cituar nga agjencia e lajmeve Anadolu Agency.
"Irani po rrit përpjekjet për të dominuar në rajon. Si mund të tolerohet kjo", theksoi ai, para se ti kërkonte Iranit, vend fqinj i Turqisë, të tërheqë të gjitha forcat nga Jemeni, Siria dhe Iraku.
"Irani duhet të ndryshojë mentalitet (...) Reagimet e Iranit në rajon i kalojnë limitet e durimit. Këto aktivitete kanë shkaktuar një shqetësim të madh si tek sauditët ashtu dhe në vendet e Gjirit Persik", shtoi Erdogan.
Në një intervistë të dhënë sot për stacionin televiziv "France 24", presidenti turk theksoi se vendi i tij do të ofronte një "ndihmë logjistike" për Arabinë Saudite në veprimin e saj ushtarak në Jemen, pa dhënë detaje për natyrën e saktë të kësaj ndihme./atsh/