Bosi turk i kriptomonedhave Faruk Fatih Özer, i cili u kap dhe u ekstradua nga Shqipëri në Turqi, është gjendur i vdekur në qelinë e burgut.
Meduat turke shkruajnë se Faruk Ozer u gjet i varur në një çarçaf në derën e banjës, ndërsa zyra e Prokurorit Publik të Tekirdagut ka nisur një hetim për incidentin.
Trupi i Özerit u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.
Faruk Fatih Özer u dënua nga Gjykata e Stambollit me 11,196 vjet burg. Ai u akuzua për mashtrim të 391 000 qytetarëve, nëpërmjet kriptomonedhave, me dëm ekonomik 2 miliardë dollarë. Hetimi i gjerë, i cili implikoi vëllezërit e motrat e Özer dhe katër punonjës të lartë të Thodex, çoi në arrestimin e të paktën 83 individëve. Gjatë gjykimit të mëpasshëm, 21 të pandehur u përballën me mundësinë e deri në 40.564 vjet burg.
Në vendimin e fundit të Gjykatës së 9-të të Penale të Anadollit, 16 nga 21 të pandehurit u shpallën të pafajshëm dhe katër nga shtatë personat e ndaluar më parë u liruan për shkak të provave të pamjaftueshme. Të pandehurit e mbetur morën dënime të ndryshme burgimi.
Arrestimi i tij
SHISH dhe Forcat Operacionale ndoqën për 5 javë Faruk Ozerin dhe dy shqiptarët. Jetesa e tij shtrihej me Elbasanit dhe resortit luksoz në Palasë. Për disa javë, Ozer ka shijuar plazhin e jugut në vend duke ndryshuar edhe pamje për të mos u njohur, me flokë të qethura dhe me mjekër. Ozer është identifikuar nga gjurmët e gishtërinjve që linte teksa pushonte në ambientet e plazhit luksoz. Bashkë me 28-vjeçarin u kap në Palasë të Himarës e bashkë me të u arrestua edhe Edevaldo Haxhiu, nipi i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka që akuzohet se e ndihmonte të shumëkërkuarin që t’i fshihej autoriteteve. Bosi i kriptomonedhave fshihej prej 4 muajsh në një banesë me qira në Elbasan, jo në emër të tij të cilën dyshohet se ia kishte siguruar Edevaldo Haxhiu.
Skema e mashtrimit
Faruk Ozer i arratisur prej muajit prill të vitit 2021 akuzohet në Turqi se në bashkëpunim me persona të tjerë ngriti një skemë mashtrimi nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale përmes kompanisë që vetë ai themeloi duke mashtruar rreth 400 mijë persona që investuan në platformën e tij, tashmë të mbyllur. Autoritetet atje i bllokuan llogaritë bankare të kompanisë THodex ku iu gjetën 16 milionë lira. Sipas mediave turke, në momentin që është arratisur nga vendi, Faruk Ozer kishte me vete një server ku mbahen 108 milion dollar në formë kriptomonedhash. Në Turqi janë arrestuar disa bashkëpunëtorë të 28-vjeçarit me akuzën e mashtrimit.
Komente






