Mëngjesin e ditës së djeshme, Turqia ka rritur tarifat doganore për makinat amerikane, alkoolin dhe cigaret, teksa përplasja e saj me Donald Trumpin po përshkallëzohet.
Fuat Oktay, zëvendëspresident turk, njoftoi se masat e ndërmarra nga qeveria e tij ishin si kundërpërgjigje ndaj asaj që ai tha se ishte hakmarrja për “sulmet e qëllimshme” mbi ekonominë turke nga administrata amerikane. Këto masa, të botuara edhe në gazetën zyrtare të Turqisë, dyfishuan tarifat mbi një sërë produktesh të importuara amerikane.
Taksa mbi alkoolin u rrit me 140 për qind, taksa për makinat në 120 për qind dhe ajo e duhanit në 60 për qind. Rritje pësuan edhe produkte të ndryshme kozmetike, produkte ushqimore si orizi dhe qymyrguri.
Menjëherë pas këtij njoftimi, lira turke ishte e paqendrushme, duke shënuar fillimisht një rënie të menjëhershme, por më pas e rimori veten. Lira është 5.2 për qind më e qendrueshme, duke u këmbyer me 6.0400 lira turke për dollar amerikan, duke shënuar një rimëkëmbje nga niveli i saj tjetet i ulët i ditës së hënë, ku monedha hyri në një nivel rekord të brendshëm prej 7.2149 lira për dollar.
Turqia dhe SHBA-ja janë në një situatë e cila sa vjen e po përkeqësohet dhe që si pikënisje pati arrestimin e Andrju Brunson, një pastori evangjelist nga Karolina e Veriut, në tetor të 2016 në Turqi. Trump ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme lirimin e Brunsonit, fati i të cilit është shndërruar në shkaktarin e rritjes së tensioneve midis dy vendeve aleate të NATO-s. Në fillim të këtij muaji presidenti amerikan, vendosi sanksione ndaj dy ministrave turq në një përpjekje për ta detyruar Turqinë që ta dërgonte Brunsonin në shtëpi. Trump dyfishoi gjithashtu edhe tarifat mbi alumin dhe çelikun e importuar nga Turqia.
Nga ana tjetër, Rexhep Taip Erdogan, presidenti turk, i është përgjigjur me të njejtën monedhë Presidentit amerikan, në lidhje me këtë situatë e cila i ka shtuar shqetësimet rreth ekonomisë së brishtë të vendit të tij në sytë e investitorëve ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha ka rritur presion mbi lirën turke, duke e çuar këtë të fundit të humbë më shumë se 40 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit gjatë këtij viti. Erdogan, i cili e ka akuzuar SHBA-në, si përgjegjësen e vetme për luftën ekonomike ndaj Turqisë, ka pohuar gjithashtu se kombi i tij nuk do të përulet ndaj kërkesave të Z. Trump. Ditën e djeshme ai deklaroi se do të bojkotonte elektronikën amerikane dhe u kërkoi shtetasve turq të ndalonin blerjen e iPhone-ve amerikanë dhe të fillonin të blinin produktet vendase.
Pasojat
Turqia zë më pak se 1 për qind të ekonomisë botërore, por rënia dramatike e kohëve të fundit e lirës turke ka tronditur tregjet në mbarë botën. Investitorët, nga frika se tregjet e tjera në zhvillim mund të ndiqnin hapat e Turqisë, kanë tërhequr paratë e tyre nga vende të tilla si India dhe Argjentina. “Por kriza e tanishme në Turqi është një mundësi për vendin që të përmirësojë lidhjet me Bashkimin Europian,” tha një konsulent i “The Eurasia Group”.
Bankat spanjolle janë më të ekspozuara ndaj sistemit financiar turk, por përbëjnë vetëm 4.5 për qind të aktiveve të përgjithshme, sipas të dhënave nga “Bank for International Settlements (Banka për Marrëveshjet Ndërkombëtare) dhe “J.P. Morgan Asset Management”
Humbës janë cilësuar tregjet dhe bankat në zhvillim. Në këtë kontekst, tregjet në zhvillim, ku Turqia është pjesë e tyre, janë bërë viktima më e madhe në trazirat e fundit të tregut. Investitorët po tërheqin para nga tregjet nga frika se vendet e tjera, veçanërisht ato me pozita të dobëta financiare, do të ndjekin hapat e Turqisë. Tërheqje të tilla kanë dëmtuar monedhat e tjera si rupinë indian dhe peson argjentinase, të cilat prekën nivelet e tyre më të ulta kundrejt dollarit amerikan përgjatë kësaj jave.
“Kriza e Turqisë ngre shqetësime në lidhje me tregjet në vendet me ekonomi të brishta, të cilat në të njëjtën mënyrë mbajnë deficite më të mëdha të llogarisë korrente si Brazili, Afrika e Jugut dhe Argjentina”, shkruan në një raport Instituti i Investimeve Uells Fargo”. “Është e rëndësishme të kujtojmë se vendet në zhvillim në tërësi, kanë pozita shumë më të forta financiare se sa 20 vjet më parë,” vijon raporti.
Megjithë ekspozimin e kufizuar ndaj sistemit financiar të Turqisë, aksionet e bankave në SHBA, Evropë dhe Japoni u goditën gjithashtu. Bankat europiane si BBVA e Spanjës dhe UniCredit e Italisë, të cilat kanë filiale në Turqi, këtë javë panë që aksionet e tyre ranë me 3.3 përqind dhe 4.6 përqind respektivisht.
Bankat turke janë të pambrojtura në situatën aktuale, sepse kompanitë kanë akumuluar një nivel të lartë të borxhit në monedhat e huaja, të cilat janë gjithnjë e më të vështira për t’u kthyer, duke pasur parasysh lirën e dobët. Huamarrja e përgjithshme e vendit në valutë të huaj është rritur në më shumë se 50 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe shumica e atij borxhi mbahet nga kompanitë.
Ndërsa investitorët kërkojnë një vend të sigurt për të depozituar paratë e tyre, asetet e SHBA-së kanë dalë si të preferuarit e tyre në anën e pasme të një ekonomie më të fortë amerikane dhe normave më të larta të interesit. “Dollari amerikan i forcuar do të shtojë vetëm problemet me të cilat ballafaqohet Turqia dhe tregjet e tjera në zhvillim”, tha David Dietze, themelues, president dhe strateg i investimeve të menaxhimit të pasurisë. “BE dhe Ankara kanë pasur diskutime për sundimin e ligjit dhe lirinë e shtypit, por blloku ekonomik ka qenë gjithmonë i kujdesshëm në marrëdhëniet e saj me Erdoganin ndryshe nga qëndrimi i Trump” shkruan Eurasia.
Tarifat e vendosura ndaj mallrave kineze, evropiane dhe nga pjesë të tjera të botës mund të dëmtojnë konsumatorët amerikanë dhe bizneset e vogla. Analistët thonë se në ekonominë e sotme globale, shumica e prodhuesve prodhojnë disa pjesë, ndërsa pjesë të tjera i importojnë për të nxjerrë produktin përfundimtar.
Siç njofton korrespondentja Zlatica Hoke, tarifat e vendosura ndaj pjesëve elektronike kineze e detyruan një fabrikë amerikane të mbyllej, si dhe ka shqetësime se fermerët amerikanë mund të humbasin tregje të mëdha ndërkombëtare për shkak të tarifave ndëshkimore të vendosura ndaj prodhimeve bujqësore amerikane.
Tarifat e vendosura nga administrata Trump ndaj pjesëve kineze të televizorëve e detyruan të vetmen kompani amerikane televizorësh që të mbyllë fabrikën e saj.
Kompania “Element Electronics” në Fairfield, të Karolinës së Jugut, njoftoi se do të mbyllet brenda dy muajve dhe se do të shkurtojë 126 nga 136 punonjësit e saj. “Është ironike që për shkak të një politike që synon të ndihmojë prodhuesit amerikanë, shkurtimet e para po ndodhin në një fabrikë televizorësh amerikanë, këtu në Fairfield”, thotë Senatori i shtetit të Karolinës së Jugut, Mike Fanning.
Analistët thonë se bizneset e vogla si kjo fabrikë janë të ekspozuara ndaj tarifave pasi ato shpesh importojnë pjesë nga vende të huaja. “Vendet nuk prodhojnë më produkte. Ato prodhojnë pjesë për produktet, dhe importojnë pjesë të tjera.
Ne tashmë kemi marrë gërshërën dhe po i presim të gjitha këto lidhje. Kështu shpërbëhet i gjithë modeli i tregtisë botërore”, thotë Profesor Roy Uehrle, i Universitetit të Illinois, në Springfield.
Kina ka vendosur 25% tarifa ndaj mallrave amerikane me vlerë prej 34 miliardë dollarësh, ndër to edhe ndaj sojës. Kina është tregu më i madh për sojën amerikane. Administrata Trump thotë se do të ofrojë deri në 12 miliardë dollarë fonde ndihme për fermerët e dëmtuar nga lufta tregtare.
Por, disa analistë thonë se kjo nuk do t’i ndihmojë shumë në periudhën afatgjatë. “Situata e fermerëve amerikanë do të rëndohet më tej nëse Kina i zhvendos blerjet e sojë drejt Brazilit, Argjentinës dhe vendeve të tjera në botë”, thotë John L. Rogers, i Universitetit Northuestern.
Qeveria amerikane po zhvillon luftë tregtare edhe me vendet aleate. Tarifat më të fundit për importet e metalit iu vendosën Turqisë. Presidenti Donald Trump është shprehur se vendet e tjera kanë shfrytëzuar Shtetet e Bashkuara dhe se ai dëshiron ta bëjë tregtinë më të drejtë.
Ai gjithashtu dëshiron t’i ruajë vendet e punës në sektorin e prodhimit industrial. Por, analistët thonë se disa tendenca ekonomike nuk mund të ndalen.
Ndryshoi teknologjia dhe u zhvendos atje ku gjendet krah më i lirë pune, në Kinë, Malajzi, Nepal etj. Ligjet ekonomike veprojnë dhe nuk mund të ndalen nga veprimet e qeverisë.
Profesor Uehrle
Për momentin, rritja e ekonomisë amerikane po krijon vende pune, dhe papunësia ka rënë nën nivelin 4%, më e ulëta në gati 20 vjet, megjithëse rrogat nuk po rriten me të njëjtin ritëm.