Nëse sjellja e opozitës në Kuvend vazhdon të jetë konfliktuale për Ramën asgjë nuk ndryshon në qasjen e mazhorancës. Rama tha se puna do të vazhdojë siç ka ndodhur deri më tani, ndërsa për reformën zgjedhore Kryeministri se mund të bëhet edhe pa opozitën në komisionin bipartizan.
"Nuk jemi të shtrënguar të bëjmë asgjë që i jep një goditje të re kulturës së shtetit dhe kulturës demokratike, ju kujtohet juve besoj, mua më kujtohet mirë dhe juve ju kujtohet se pavarësisht se jeni shumë më të rinj, po këto nuk janë histori shumë të vjetra kur ju thoja nëse ne do të të hapim rrugë për bojkotin, për shkak të bojkotit, ne do të kemi bojkot non stop. Keni dëgjuar më njeri ju edhe ndër këta që kanë këto dilemat psiko-fizike që të thonë do të bojkotojmë. Keni dëgjuar ndonjëherë?
Pse u varros përfundimisht bojkoti si mjet? U varros sepse u kuptua që bojkoti përmes të cilit, ti do të çosh patjetër në buzë të greminës të gjithë, të çon ty në fund të greminës dhe pastaj rruga nga kthimi i fundit të greminës për të ardhur aty ku ishe, është shumë e gjatë. Keni parë më, keni dëgjuar më ju njeri dhe nga këta që kanë nga këto dilemat midis mundjes, boksit dhe politikës, të thotë nuk do të hyjmë në zgjedhje? Pse? Sepse u provua që ti mund të mos hysh në zgjedhje dhe e ha vetëm ti, ndërkohë që vite të tëra ramë të gjithë pre e një inercie që na thoshte bojkot.
Edhe unë jam këtu dëshmitar dhe dëshmitar si mini protagonist në këtë inerci. Po të kthehesha mbrapa në vitin 2009-të, nuk do e bëja bojkotin me këto mend që kam sot. Mirëpo, nga ana tjetër, po të kthehesha mbrapa me mendtë e atëhershme dhe në inercinë e atëhershme të të gjithë sistemit, do të bëja bojkotin që ishte bojkoti më i arsyeshëm mendoj unë për një shkak komplet të thjeshtë dhe që sot as diskutohet më hapja e kutive, madje me një kërkesë të thjeshtë dhe dy anëtarë të KQZ-së ti hap çdo kuti. Atëherë të thoje “të hapim kutitë të shohim çfarë kanë brenda” ishte krim që na çoi deri në grevë urie e të tjera.
Por, në të gjitha këto raste, unë mendoj që atë rezultat mund ta kishim arritur edhe pa bojkot, po jo me mendtë e mia të atëhershme, se si arrihet me mendtë që kam sot. Mirëpo, pse e them këtë?! E them këtë sepse ishte gjithmonë rruga “ti bojkoton, merr përsipër goditje, pastaj të vijnë amerikanët, të vijnë francezët, të vijnë belgët e të thonë hajde tani uluni, gjeni një zgjidhje”.
Ditën që ju tha “jo, këtu nuk ka. Stop. Këtu do të bojkotosh, do të rrish në çadër, do të luftosh ja vdekje ja liri, të këndosh himnin çdo mëngjes”, bëje deri kur të të vijë mosha për të shkuar në banesën e fundit, por rrugën ti kështu nuk e ha dot. Do të mos futesh në zgjedhje, mos u fut deri kur të të mërzitet politika dhe të ikësh të bësh një punë tjetër. Po duke mos u futur në zgjedhje, ti nuk detyron dot askënd që të bëjë atë që do ti. Edhe kjo, do të marrësh karriget ti ngresh përpjetë, ngriji. Do të ndezësh flakët në Parlament, ndizi. Do të përdorësh të gjithë arsenalin e gojës, përdore. Do të shtysh edhe të gjuash, gjuaj, por ti asgjë nga ato që kërkon nuk ke shans jo t’i marrësh, po as të dëgjohen, nëse nuk i jep të drejtën tjetrit të flasë. Kaq!
Dhe nuk e di, deri në mars, deri në prill, deri në qershor, deri në 2025, nuk e di kur, po dhe kjo do marrë fund dhe nuk do ta përdorë më njeri më vonë se do e kuptojnë që është kot. Është kot! Nuk të çon asgjëkund! Fare! Të çon poshtë ballkonit, po. Poshtë ballkonit je i lirë, rri poshtë ballkonit!
Lajmi kryesor: