U arrestua i dehur në timon, detyrim paraqitje për kandidatin e LSI në Elbasan, Sokol Skurën
Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë 'detyrim paraqitje', për kandidatin e LSI-së, Sokol Skura, i cili u arrestua 2 ditë më parë i dehur në timon. Seanca për Skurën u zhvillua ditën e sotme me gjyqtare të çështjes, Zamira Vyshka.
Redaksia 9 Mars 2021, 10:47 | Përditesimi: 9 Mars 2021, 15:52
ELBASAN- Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë 'detyrim paraqitje', për kandidatin e LSI-së, Sokol Skura, i cili u arrestua 2 ditë më parë i dehur në timon. Seanca për Skurën u zhvillua ditën e sotme me gjyqtare të çështjes, Zamira Vyshka.
Sokol Skura, 42 vjeç, i pesti në listë në qarkun e Elbasanit, u arrestua në flagrancë pasi u kap nga policia duke drejtuar mjetin në gjendje te dehur. Siç ka raportuar më herët Report Tv, Skura është ndaluar edhe më parë për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Ky person në vitin 2015 është arrestuar përsëri pasi akuzohej për vrasjen e një kalimtari në gjendje të dehur, në Mengël të Elbasanit, por nuk është dënuar nga gjykata
Kush është Sokol Skura?
Sokol Skurën, Partia Socialiste e ka larguar që në vitin 2015, kur ai u akuzua për korrupsion në skandalin e grabitjes së rreth 500 milionë lekëve nga Fondi i Rimbursimit të Barnave.
Ish-nëndrejtori i FDSKSH, (Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor) Sokol Skura, ka qenë kandidat për deputet në Librazhd në zgjedhjet e vitit 2013. Sokol Skura, ishte i fundit në listën e kandidatëve për Qarkun e Elbasanit dhe nuk ia doli të ulet në karrigen e Kuvendit. Ndërkohë në 2017 emri i Sokol Skurës doli dhe në raportin e Departamentit të Antikorrupsionit të Këshillit të Ministrave për vjedhjen e barnave me rimbursim për të cilën llogaritet një dëm prej 1.5 miliardë lekësh.
Rrjeti i farmacistëve lidhura me ish-drejtues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u vunë në hetim për mashtrim me rimbursimet përmes recetave të falsifikuara në emër të personave të vdekur ose atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë. Në total gjatë 8 viteve të fundit, tre farmacitë në pronësi të familjes Skura – Geni&Lori, Eurofam2 dhe Coli’s kanë përfituar 765 milionë [6 milionë euro] lekë rimbursime nga FSDKSH.