Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro duhet të rikthehet në qeli vetëm 7 muaj pas lirimit nga burgu, pas një vendimi të formës së prerë të Apelit të Posaçëm të GJKKO-së. Sipas burimeve, pas konfirmimit të dënimit me 2 vite burg (të reduktuara në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar), SPAK ka bërë përllogaritjen e kohës së vuajtur në paraburgim dhe ka dalë në përfundimin se Goros i mbeten edhe 6 muaj e 10 ditë për të shlyer.

Prokurori Elvin Gokaj ka firmosur urdhrin e ekzekutimit të dënimit, ndërsa deri më tani nuk ka konfirmimin për ekzekutimin e tij. Ndërkohë, mbrojtja e ish-kryebashkiakut ka reaguar menjëherë, duke depozituar një kërkesë për revokimin e urdhrit të ekzekutimit, me argumentin se dënimi është shlyer përmes kohës së paraburgimit.

Vendimi i Apelit lidhet me çështjen e tjetërsimit të një prone në zonën e Livadhës, për të cilën Goro ishte dënuar edhe në shkallë të parë nga GJKKO më 30 korrik 2025 me 2 vite burg. Ndërkohë, më herët ai kishte vuajtur 17 muaj burg nga një tjetër dënim prej 2 vite e 20 ditësh, lidhur me tjetërsimin e 10 mijë metrave katrorë tokë në Gjilek të Himarës, nga i cili përfitoi ulje dënimi për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar dhe u lirua.

Aktualisht mbetet e paqartë nëse Jorgo Goro do të rikthehet në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, apo nëse gjykata do të vendosë bashkimin e dënimeve, për të ribërë një përllogaritje se sa dënim duhet të kryejë.