Ankimi i LSI/ KAS shqyrton 24 kuti të Beratit, vetëm 2 raste të dyshuara për votim të dyfishtë! Asnjë problematikë që çon në ndryshim të rezultatit, të mërkurën vendimi për rinumërim ose jo

Administrata e KQZ ka përfunduar shqyrtimin e materialeve zgjedhore për 24 kutitë me materiale zgjedhore për qarkun e Beratit, për të gjetur parregullsi me kërkesë të LSI-së. Për shkak të volumit të materialit zgjedhor dhe shqyrtimit të imtësishëm që do t'i bëhet këtyre, KAS ka vendosur që vendimi përfundimtar për qarkun e Beratit të jepet të mërkurën nëse do të ketë apo jo rinumërim. Ndërsa ditën e nesërme do të jepet vendimi përfundimtar edhe për qarkun e Gjirokastrës, ndërsa do të nisin procedurat për shqyrtimin e ankimit të qarkut Vlorë.

Nga hetimi i bërë në 24 kutitë e qendrave të votimit nuk ka rezultuar asnjë problematikë serioze që të mos të sjellë pavlefshmëri të zgjedhjeve apo indicie për të përsëritur numërimin, kërkesë kjo e LSI për Qarkun Berat.  

Vetëm dy raste janë rastet e dyshimta në Berat dhe 2 të tjera në Qarkun Gjirokastër që mund të kenë qenë tentativa për votim të dyfishtë. Këto janë rezultatet e dala nga administrata e KQZ e cila pas kërkesës së Komisionit të Sanksioneve dhe Ankesave, ka bërë kryqëzimin e të dhënave të pajisjes PEI.  Sipas rezultateve të dala nga kryqëzimi, KQZ njofton se janë vetëm 4 janë rastet gjithsej, të tjerat janë regjistruar si raste të dyshimta por që në fakt nuk përbëjnë asnjë provë pasi siç ka shpjeguar vetë Kryekomisioneri Celibashi arsyet e vendosjes disa herë të shenjës së gishtit janë shumë. Duhet thënë se ka pasur nga ata votues që për arsye të ndryshme e kanë vendosur gishtin disa herë në pajisje. Dikush për arsye se nuk e ka njohur shenjën e gishtit herën e parë, ndonjëherë sepse pajisja nuk ka funksionuar apo edhe që punonjësi përgjegjës që merrej me pajisjen, operatori, nuk kishte njohuritë e nevojshme.

Disa ditë më parë vetë Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve pati sqaruar se nga totali i rasteve shumica e rasteve i përket gjurmës së gishtave të operatorëve, të cilët ndoshta jo mirë të trajnuar kanë menduar se nuk do ishte problem nëse e vendosin gishtin disa herë. Celibashi pati sqaruar se të gjithë rastet do të sqarohen.

Do të jetë KAS që do të marrë një vendim në do të ketë rinumërim të votave në qendrat e votimit ku LSI pretendon parregullsi, pas përfundimit të shqyrtimit të materiale zgjedhore. KAS pranoi kërkesën ankimore të LSI-së e cila kërkon rinumërim në këto qendra zgjedhore me argumentin se janë konstatuar disa shkelje. Kutitë u morën nga 24 qendra votimi që ka ankimuar LSI, ku çdo qendër përmban 1 kuti me materiale zgjedhore, ku përfshihen procesverbalet, regjistri i votuesve, shënimet e komisionerëve, regjistri i identifikimit biometrik të zgjedhësve.

Ankesa e LSI është se kutitë në këto qendra votimi janë mbushur ku ka më shumë fletë votimi se votues dhe se në disa prej tyre mungon dhe regjistri se kush ka votuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:39
LSI akuza KQZ: Raporti i pajisjes së votimit elektronik nuk ishte në kutitë e hapura sot, u fut dorazi sot nga administrata zgjedhore (VIDEO)

LSI ka hedhur akuza ndaj KQZ duke thënë se me hapjen e 24 kutive sot të materialeve zgjedhore për qarkun berat ka ndërhyrë duke futur nga jashtë  materiale q nuk ishin më parë aty. Sekretari i Përgjithshëm të LSI, Endrit Braimllari tha se vjedhja e qeverisë nuk ndali më 25 prill, por vijoi edhe sot duke futur materiale nga jashtë, duke thënë  se raporti i pajisjes elektronike nuk ndodhej në kuti por u fut dorazi nga jashtë nga anë e administratës së KQZ duke kompromentuar të gjithë procesin.

Gjithashtu Brahimllari shprehet se hapja e kutive të sotme vërtetoi se pretendimet e drejta të LSI se iu vodh mandati nga PS është e drejtë dhe se skema e manipulimit të procesit zgjedhor është përdorur edhe përmes teknologjisë që duhet të ishte një garanci në këtë proces.

“Hapja e kutive të Beratit tregon qartë masakrën elektorale të 25 prillit. Rilindja, jo vetëm përdori administratën publike, Policinë e Shtetit, grupet e strukturuara kriminale por dhe ka ndërhyrë në proces duke deformuar vullnetin e qytetarëve brenda në kuti. Hapja e kutive të sotme vërtetoi pretendimet e drejta të Lëvizjes Socialiste për Integrim se mandati i Beratit dhe jo vetëm është grabitur nga Partia Socialiste. Sot, u bë e qartë për të gjithë shqiptarët skema e manipulimit të procesit zgjedhor duke përdor edhe teknologjinë e cila duhet të ishte një garanci në këtë proces. Vetëm në Berat u vërtetua se të paktën 19 shtetas kanë votuar 53 herë, skemë kjo e cila është përdorur në të gjitha qarqet e vendit duke manipuluar procesin e zgjedhjeve.Nga hapja e kutive, u pa qartë se ka më shumë fletë votimi sesa vetë numri i votuesve. Pra, qartazi kutitë janë mbushur duke përdorur çdo strukturë në funksion të qeverisë. Këto manipulime, vërtetojnë qartazi se në procesin e 25 prillit, Rilindja jo vetëm deformoi vullnetin e qytetarëve por dhe i vodhi zgjedhje duke ndërhyrë drejtpërdrejtë në kuti. Lëvizja Socialiste për Integrim do të bëjë publike, fakte të tjera sesi ky proces është manipuluar përpara ditës së votimit, ekzekutuar gjatë procesit të votimit dhe ka vazhduar hapur në KQZ.KQZ ka futur sot duart në kutitë e materialeve zgjedhore. Ka futur nga jashtë materiale që nuk janë në kutinë e materialeve zgjedhore. Raporti i pajisjes elektronike i konfirmuar edhe nga numëruesit socialistë në Berat, njëkohësisht edhe nga hapja e kutive nuk ndodhej në kutitë e materialeve zgjedhore por është futur dorazi nga jashtë nga ana e administratës së KQZ duke kompromentuar të gjithë procesin’, tha Brahimllari

KQZ tha ditën e sotme se janë vetëm 2 rastet e dyshimta në Berat dhe 2 të tjera në Qarkun Gjirokastër që mund të kenë qenë tentativa për votim të dyfishtë.  Në raportin e KQZ thuhet gjithashtu se janë 54 rastet e tjera kur një person ka vënë shenjën e gishtit më shumë se 2 herë. Ndërkohë që në Gjirokastër janë 70 zgjedhës. Këto shifra tregojnë se fenomeni, më shumë sesa tentativë për votim të dyfishtë kanë qenë problematike teknike. Jo domosdoshmërish këto raste tregojnë se janë raste të votimit të dyfishtë, megjithatë do të jetë në dorën e KAS nëse këto të dhëna do të përbëjnë argument për rinumërim.

Ora 19:36
PD: 3 prova që nxjerrin 100 shkelje flagrante të ligjit! KAS sillet si shërbëtor i Edi Ramës

Juristi i Partisë Demokratike, Marash Logu thotë se me 3 prova që KAS pranoi të shqyrtonte nga PD u nxorën 100 parregullsi në procesin e zgjedhjeve të 25 prillit dhe në shkelje flagrante me ligjin. Sipas Logut, bëhet fjalë për parregullsi në qarkun e Beratit dhe Gjirokastrës.

Logu shkruan në një postim në Facebook se nëse KAS nuk do të sillej si shërbëtor i Edi Ramës dy herë radhazi, dhe do të pranonte 19 kërkesat e tyre për marrje provash do të faktohej masakra elektorale e 25 prillit.

'Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS), me kërkesë të dy anëtarëve Z. Braho dhe Z. Cefa, pranoi të merrte vetëm tre prova. Konkretisht:

• Në foton e parë kemi të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI për qarkun Gjirokastër. Aty rezulton se shenjat e gishtërinjve të 14 personave janë përdorur për identifikimin e 74 zgjedhësve. E thënë ndryshe, potencialisht 14 persona kanë votuar 74 herë ose mesatarisht 5 herë/secili.

• Në foton e dytë kemi të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI për qarkun Berat, nga ku rezulton se shenjat e gishtërinjve të 21 personave janë përdorur për identifikimin e 57 zgjedhësve ose 21 persona kanë votuar 57 herë, ose rreth 3 herë/secili.

• Në foton e tretë kemi vendimin e KZAZ Nr. 82, qarku Gjirokastër për emërimin e anëtarëve të Grupit të Numërimit Nr. 4. Numërues i parë është shtetasi Thanos Andrea Karameno (PS). Ky shtetas rezulton se është futur në Shqipëri nga Greqia, pas datës 19 prill kur u vendos karantinimi 2-javor i personave që vinin nga Greqia dhe Maqedonia.

Vetëm me tre prova të thjeshta, faktohen mbi 100 shkelje flagrante të ligjit. Merreni me mend se sa shkelje të rënda do të zbardheshin, nëse KAS-i, nuk do të sillej si shërbëtor i Edi Ramës dy herë rradhazi, por do të pranonte 19 kërkesat tona për marrje provash. Sepse ata e dinë që po i morën provat, do të faktohet para të gjithë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë masakra zgjedhore e 25 prillit.

Megjithatë, ne nuk do të ndalemi. Beteja jonë do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të vjedhjes më të madhe të shqiptarëve në historinë e zgjedhjeve.'- shkruan ai.

 

Ora 16:14
KAS shtyn seancën, vendimi për Beratin jepet të mërkurën

1621260571_kqz.jpg

KAS hapi sot live 24 kutitë me materialet zgjedhore për qarkun e Beratit, ku për shkak të sasisë së materialeve dhe këqyrjes së tyre me kujdes e kanë shtyrë dhënien e vendimit përfundimtar në lidhje me to ditën e mërkurës. Deri tani nuk është raportuar se janë gjetur prova aq të rëndësishme sa të ndikojnë në dhënien e vendimit për rinumërim të votave. Gjithashtu në mbledhë e nesërme do të jepet vendimi për qarkun Gjirokastër dhe më pas do të nis shqyrtimi për ankimimin për qarkun e Vlorës.

“Përgjigja përfundimtare për kutitë me materiale zgjedhore shtyhet për të mërkurën në mëngjes. Ndërsa ditën e nesërmes KAS do të mblidhet për të diskutuar për kërkesën ankimore të Gjirokastrës dhe Vlorës. KAS nesër në orën 10:00 do të vijojë seancën për Gjirokastrës dhe për konkluzionet përfundimtare.”, tha anëtari i KAS, Elvis Çela.

Ora 16:03
Votime më shumë se një herë? KQZ kryqëzon të dhënat: Vetëm 2 raste të dyshuara në Berat dhe 2 në Gjirokastër! 1 votues është shfaqur në dy qendra të ndryshme votimi

Pas kërkesës nga Komisioni i Sanksioneve dhe Ankesave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë kryqëzimin e të dhënave të pajisjes PEI. Nga të dhënat rezulton se janë vetëmn dy rastet e dyshimta në Berat dhe 2 të tjera në Qarkun Gjirokastër që mund të kenë qenë tentativa për votim të dyfishtë.

Sipas dokumenteve të publikuar nga KQZ, bëhet me dije se këto 2 raste janë pasi personi ka tentuar ta vërë shenjën e gishtit në 2 qendra votimi të ndryshme.

Në raportin e KQZ thuhet gjithashtu se janë 54 rastet e tjera kur një person ka vënë shenjën e gishtit më shumë se 2 herë. Ndërkohë që në Gjirokastër janë 70 zgjedhës.

Këto shifra tregojnë se fenomeni, më shumë sesa tentativë për votim rë dyfishtë kanë qenë problematike teknike.  Jo domosdoshmërish këto raste tregojnë se janë raste të votimit të dyfishtë, pasi shumica e të dhënave të gishtave mund të jetë vendosur disa herë nga i njëjti person pasi pajisja nuk e ka kapur për herë të parë. Do të jetë në dorën e KAS nëse këto të dhëna do të përbëjnë argument për pranimin e kërkesës ankimore të LSI dhe PD për rivotim në qarkun e Beratit dhe Gjirokastrës apo nëse do i rrëzojë kërkesat e tyre.

Rezultatet për Qarkun Gjirokastër pas kryqëzimit të të dhënave

Rezultatet për Qarkun Berat pas kryqëzimit të të dhënave

Ora 13:20
Administrata e KQZ shqyrton 12 kutitë e para, në disa prej tyre nuk korrespondon numri i votuesve në procesverbal me numrin e kuponëve të prerë

Administrata e KQZ ka përfunduar shqyrtimin e materialeve zgjedhore për 12 kuti nga 24 në total në qarkun e Beratit për të gjetur parregullsi me kërkesë të LSI-së. Rezulton se në disa prej kutive nuk korrespondon numri i votuesve të shënuar në procesverbal me numrin e kuponëve të prerë nga pajisja e identifikimit biometrik. Megjithatë ky nuk është një tregues, pasi jo në çdo rast votuesve i është prerë edhe kupon, gjë që është sqaruar më parë edhe nga kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi. Ndërkohë pritet që KQZ të bëjë në fund një përmbledhje.

Ora 11:05
Vijon hapja e kutive me materiale zgjedhore, debate në KAS! Kaziaj i LSI: Në disa QV s’ekziston regjistri me regjistrime! Salianji: Të ndjekim procesin

 

Ndërsa vijon hapja e kutive me materiale zgjedhore në mbledhjen e KAS, ka pasur debate mes përfaqësuesit të PS Eridian Salianji dhe atij të LSI Altin Kaziaj.

Tanimë, është duke ndodhur hapja e 24 kutive ku do të merren materialet zgjedhore: procesverbalet, regjistri i votuesve, shënimet e komisionerëve etj.

Dhe pas inspektimit të tyre do të vendoset nëse ka nevojë për rinumërim votash.

Kaziaj tha se është evidentuar fakti që në disa QV nuk ekziston regjistri me regjistrime e duke e konsideruar këtë si të qëllimshme.

Salianji ka kërkuar që procesi të ecë normalisht dhe ka sugjeruar që të mos nxirren pretendime që në fillim të procesit.

Debati:

Përfaqësuesi i LSI: Kur është mbyllur valixhja në qendrën e votimit, a janë hapur në KZAZ?

Përfaqësuesi i PS: JO

Përfaqësuesi i LSI: Prandaj lind dyshimi ynë në lidhje me numrin e votuesve që kanë qenë në atë qendër votimi ku s’ka pasur, një raport PEI dhe valixhja qenka hapur me iniciativë të KQZ në kuadër të kryqëzimit të të dhënave që është një kërkesë e kodit.

Përfaqësuesi i PS: Mbaroi procesi i votimit, përgatitet procesverbali dhe printohet raporti i mbyllet nga pajisja PEI, këto procesverbale nënshkruhen nga anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit dhe si rregull duhet të futen tek kutia e materialeve zgjedhore.

Kryetari i KAS: Pra kemi një lapsus në disa raste?

Përfaqësuesi i LSI: Sipas pretendimit tonë është qëllimshmëri sepse ka penguar procesin e mëtejshëm të evidencave të QV përkatëse në lidhje me numrin e zgjedhësve që kanë qenë në atë QV.

Përfaqësuesi i PS: Është e drejta juaj ta keni si të doni, por kemi mijëra operatorë të trajnuar për pak ditë, që atë raport të firmosur e kanë vendosur në një kuti tjetër.

Përfaqësuesi i LSI: Është evidentuar fakti që në disa QV nuk ekziston regjistri me regjistrime, si qenka lapsus, kush ka votuar në këto Qendra Votimi.

Përfaqësuesi i PS: Të thuash nuk ekziston se nuk e gjen në një kuti po në tjetrën, kjo nuk përbën problem. Ta lëmë procesin të eci normalisht. Do të sugjeroja të mos fillojmë që në fillim të procesit të nxjerrim pretendime.

Përfaqësuesi i LSI: Ne duam sipas kërkesës, që për të gjitha qendrat të na jepet materiali nga anëtarët, të kemi kohën e nevojshme për të parë kryqëzimet me të dhënat që ne kemi.

Përfaqësuesi i PS: Konfirmohet që ndodhen të tjera dokumentet. Nëse do konfirmohet kjo gjë, ju ose kërkoni origjinalin ta shikoni, por nëse mungojnë dokumentet të merren kutitë dhe të hetohen më imtësisht. Pra nëse konfirmohet nga administrata që dokumentet ndodhen në dosje, ju si KAS i shqyrtoni, ne jemi për t’i parë provat, sepse për t’i këqyrur do e bëni ju.

Përfaqësuesi i LSI: Bërja e disa fotokopjeve nuk mund të cënojë një proces. Nëse disa kopje cënojnë procesin…

Anëtari i KAS: Ke nënshkrimet e zgjedhësve dhe lista smund të jepet

Ora 10:18
KAS nis hapjen e kutive të para me materiale zgjedhore, ngrihen 6 grupe numërimi

 

Ka nisur mbledhja e KAS për shqyrtimin e kërkesave ankimore të LSI dhe PD lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në qarkun Berat. KAS ka vendosur të hapen kutitë me materialet zgjedhore. Për hapjen e 24 kutive janë ngritur 6 grupe numërimi.

Be.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rama lë Vlorën pas 8 vitesh dhe zgjedh të jetë deputet i Durrësit, a ka bërë kryeministri zgjedhjen e duhur?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Refuzon mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Vlorës me argumentin e masave anti-COVID, Ministria e Shëndetësisë 'rrëzon' Dritan Lelin: Nuk pengojnë