Një debat mes një çifti shqiptarësh në qytetin bregdetar të Katolikës, në provincën e Riminit në Itali përfundoi në një ngjarje që autoritetet italiane po e hetojnë si tentativë femicidi.

46 vjeçari Ismail Picari, u arrestua pasi dyshohet se e hodhi me shpejtësi makinën në ujërat e kanalit të portit, , ndërsa në automjet ndodhej edhe bashkëshortja e tij 40-vjeçare. Të dy, prindër të dy fëmijëve, mbijetuan falë ndërhyrjes së menjëhershme të dy personave që panë skenën dhe u hodhën në ujë për t'i nxjerrë, ndërsa shqiptari u largua nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua më vonë.

Ngjarja ndodhi pasditen e 19 gushtit. Sipas rindërtimit të karabinierëve, Volksëagen Golf që drejtohej nga Picari përshpejtoi drejt bregut të kanalit dhe përfundoi në ujë, në sy të kalimtarëve, turistëve dhe peshkatarëve që ndodheshin në zonë. Dy prej tyre panë gjithçka dhe u hodhën menjëherë në ujë për të ndihmuar çiftin. Dëshmitarët kanë treguar se në ato momente u hap bagazhi i makinës, duke krijuar mundësinë që gruaja të dilte nga automjeti që po fundosej.

Sipas hetimeve, 40-vjeçarja nuk dinte not. Megjithatë, ajo arriti të hapte bagazhin duke e goditur vazhdimisht derisa mekanizmi u lirua. Vetëm pas kësaj mundi të dilte nga makina dhe të shpëtohej me ndihmën e personave që ishin hedhur në ujë. Ndërkohë, sipas dëshmive të mbledhura nga hetuesit, Picari u largua menjëherë, duke humbur gjurmët.

Prokuroria italiane dyshon se nuk bëhet fjalë për një aksident. Sipas hetuesve, të gjitha provat e mbledhura deri tani çojnë drejt dyshimit për tentativë vrasjeje. Gruaja ka dëshmuar se, pasi makina përfundoi në ujë, burri i kishte vënë duart në trup. Disa dëshmitarë kanë deklaruar se ai e kishte kapur nga qafa. “Në ujë ndjeva duart e tij në qafë”, ka rrëfyer ajo, duke shtuar se më pas bashkëshorti u largua, duke e lënë vetëm.

Hetimet kanë zbuluar edhe një histori të mëparshme dhune.Vetëm dy ditë para ngjarjes, më 17 gusht, 46-vjeçari ishte arrestuar pasi dyshohet se kishte dhunuar bashkëshorten. Në banesë kishin ndërhyrë karabinierët, të njoftuar nga familjarët. Sipas një efektivi, ndërsa po shoqërohej me pranga, shqiptari i ishte drejtuar gruas me kërcënime: “Do të të vras, do të të qëlloj! Sot po më arrestojnë, por sapo të dal do të vij të të gjej.” 

Pas lirimit, ai e sulmoi sërish bashkëshorten.

Sipas rindërtimit të hetuesve, para se të shkonin në port, Picari i kishte kërkuar bashkëshortes ta shoqëronte në bankë për të ndarë llogaritë e përbashkëta. Më pas mes tyre kishte nisur një debat, i cili, sipas dyshimeve të hetuesve, përfundoi me makinën që u hodh në kanal.

Në hetim ka dhënë dëshmi edhe vajza e çiftit. Ajo ka deklaruar se babai e kishte dhunuar prej kohësh nënën e saj dhe se kishte qenë vetë ajo që lokalizoi makinën e tij në port, duke shkuar menjëherë në vendngjarje, ku gjeti të ëmën nën kujdesin e ekipeve të emergjencës. Edhe banorë të zonës ku jetonte familja kanë deklaruar se 46-vjeçari njihej për sjellje të dhunshme.

Sipas mediave italiane, Picari ka edhe precedentë të tjerë penalë, mes tyre për rezistencë ndaj policisë, dehje në vende publike dhe armë të ftohta. Karabinierët, pasi kontrolluan banesën e çiftit, gjetën shenja që, sipas tyre, tregonin se aty kishte ndodhur së fundmi një konflikt i dhunshëm.

Pas disa orësh në arrati, 46-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua. Ai ndodhet në burg me masë sigurie, ndërsa Prokuroria vijon hetimet për tentativë vrasjeje, duke vlerësuar nëse rasti përbën një tentativë femicidi.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.