Deputeti Lefter Maliqi është shprehur i indinjuar për vendimin e kryeministrit Edi Rama, për uljen e rrogës së deputetëve dhe ministrave, në kuadër të masave për zbutjen e efekteve ekonomike që po prodhon koronavirusi.

 Por, nëse i referohemi pasurisë së deklaruar nga deputeti Maliqi, më parë zëvendësdrejtor i Burgjeve në Tiranë, përgjysmimi i pagës nuk duket një masë e papërballueshme nga ligjvënësi.

Maliqi është pronar me 100 % i tre shtëpive, konkretisht i një shtëpie me sipërfaqe 120 m2 në vlerën 10 500 000 lekë.

Me burim të ardhurash nga punësimi, i një shtese kati me sipërfaqe 126.9 m2, të ndodhur mbi shtëpinë e banimit, në vlerën 3 000 000 lekë, burimi i të ardhurave është nga paga si dhe pronar i një i një shtëpie me sipërfaqe 50 m2 plus truall, e gjitha me sipërfaqe 300 m2, të përfituar nëpërmjet dhurimit.

Gjithashtu, deputeti Maliqi rezulton pronar me 100 % i një pemëtore me sipërfaqe 320 m2, i një toke-arë me sipërfaqe 1 000 m2, i një pemëtore me sipërfaqe 250 m2, i një ullishte me sipërfaqe 600 m2 si dhe i një tjetër toke-arë me sipërfaqe 2 100 m2.

Në deklaratat e pasurisë nuk përcaktohet vlera e këtyre pasurive. Deputeti deklaron se këto pasuri ia kanë dhuruar në vite të ndryshme.

Ndërkaq, sa i takon të ardhurave, Maliqi para se të merrte mandatin e deputetit, ishte zëvendësdrejtor i Burgjeve në Tiranë, ku marrte 1 436 891 lekë pagë.

Pas marrjes së mandatit të deputetit, Maliqi merr rreth 2.5 milionë lekë në vit nga paga dhe shpërblime financiare nga funksioni i deputetit.

Ndërkaq, bashkëshortja e tij, deklaron 1 221 920 lekë të ardhura nga paga si ekonomiste pranë

Drejtorisë së Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Në emër të vajzës, deputeti Maliqi deklaron një depozitë bankare në shumën 1 000 000 lekë.

1 000 000 lekë cash bashkë me bashkëshorten.

Gjithashtu kanë marrë një kredi për mbulimin e shpenzimeve të studimit të vajzës për Juridik në Holandë.

Deputeti Maliqi në vitin 2018 ka blerë edhe një automjet tip Mercedez Benz i zi 320S, në vlerën 21 362.31 euro.

Ndërkaq, veprimtaria e Kuvendit është ndërprerë që nga data 10 mars për shkak të situatës së shkarkuar nga koronavirusi.

Paga neto mujore e deputetit është 118,215 lekë, që do të thotë që deputetëve do t'u mbahen rreth 55 mijë lekë.

Ndërkaq, bashkë me përfitimet e tjera, deputeti merr 200 mijë lekë.