Policia ka zbardhur të tjera detaje nga arrestimi i 29-vjeçarit që vrau me thikë të riun portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. 

Teksa po tentonte të arratisej, Sokrat Vata u kap pas pesë orësh në Levan nga shërbimet e policisë i fshehur në bagazhin e një makine.

Automjeti drejtohej nga një 31-vjeçare turke, ndërsa pasagjer ishte një 38-vjeçar gjithashtu turk. Në video dallohet sesi Vata mban ende të njëjtat veshje me të cilat kreu krimin, pasi pantallonat kanë njolla gjaku. 31-vjeçarja del e tmerruar nga makina, por më pas përfundon në pranga.

“Autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk.

Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi sot policia.


Lajmi kryesor:

Tragjedi në Ksamil, punonjësi i ‘Principotes’ vret turistin portugez me thikë brenda beach-barit! Sherri për një vajzë, autori kapet në bagazhin e makinës së dy turqve! Në pranga edhe 10 të tjerë (EMRAT + VIDEO)