Tre drejtues automjetesh janë kapur duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor në Durrës dhe kanë tentuar t’u japin para policëve për t’i shpëtuar gjobave. Shumat që u ofruan efektivëve varionin nga 1000 deri në 4000 lekë, por të tre përfunduan nën hetim për korrupsion aktiv.

I pari është një 47-vjeçar me inicialet D. H., banues në Durrës, i cili u kap duke drejtuar makinën në gjendje të dehur. Për të shmangur gjobën, ai tentoi t’u jepte policëve 4000 lekë.

Rasti i dytë është ai i 50-vjeçarit M. Sh., po nga Durrësi, i cili kishte kontrollin teknik të skaduar dhe drejtonte një automjet me fuqi motorike më të madhe se ajo që i lejonte patenta. Ai u ofroi efektivëve 2000 lekë për të mos u gjobitur.

Ndërsa një 23-vjeçar nga Kosova, me inicialet A. S., u kap duke përdorur celularin gjatë drejtimit të makinës. Edhe ai tentoi t’u jepte policëve 1000 lekë për të shmangur gjobën.

Për të tre shoferët ka nisur hetimi për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa materialet i janë dërguar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë