DIVJAKE- Një skaf me 18 klandestinë kurdë mes tyre (1 fëmijë, 3 gra dhe 14 burra), janë shpëtuar në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë grykëderdhjes së Shkumbinit në Divjakë. Skafi kishte hyrë nga Greqia në ujërat tona dhe do udhëtonte drejt Italisë.

Mësohet se mjeti lundrues 6 metra i gjatë që drejtohej nga një skafist nga Vlora Renato Cenko ka hasur në det të egërsuar duke rrezikuar jetën e 18 klandestinëve dhe është detyruar të kërkojë ndihmë me sinjal SOS.

Qendra e kërkimit dhe shpëtimit të rojes bregdetare ka drejtuar dhe koordinuar operacionin për shpëtimin e tyre. Pas kontrollit, të mbijetuarit u transportuan drejt Portit të Durrësit  nga anija Iliria P-131 e rojes bregdetare.

Policia po punon për zbardhjen e skemës së këtij trafiku klandestinësh në këmbim të parave, si dhe po hetohet se si kanë hyrë ata në Shqipëri.

Fëmija i shpëtuar duke zbritur nga bordi i Anijes Iliria P-131 në Portin e Durrësit. 

"Falë një operacioni kërkimi dhe shpëtimi, të drejtuar dhe koordinuar nga Roja Bregdetare dhe me bashkëpunimin e Guardia di Financa dhe Policisë Kufitare u bë e mundur gjatë orëve të para të mëngjesit të  datë 1 shkurt 2020 të shpëtoheshin 18 jetë njerëzore, ndër të cilët edhe një fëmijë", njoftoi zyrtarisht ministria e Mbrojtjes.