“Kam përjetuar gjëra të tmerrshme. Kam nevojë për psikolog”. Kjo ka qenë thirrja e dëshpëruar e 34-vjeçares Merita Grëmaj nga fshati Suk i Roskovecit. Dhuna sistematike e 52-vjeçarit Bledar Bakaj, daja i deputetes socialiste Zegjine Caushi, është kthyer në makthin më të madh për të renë fatkeqe.
Nga spitali i Fierit, babai i saj, 67-vjeçari Enver Grëmaj, rrëfen ngjarjen e rëndë të ndodhur një natë më parë në banesën e tij, teksa 52-vjeçari është hedhur nga porta dhe e ka qëlluar me drapër në këmbë, pasi i moshuari është përpjekur të mbrojë vajzën, që ai tentoi ta rrëmbente.
Enver Grëmaj ka tronditur me dëshminë e tij, teksa ka treguar se e kishte njohur Bledar Bakajn përmes motrës së tij, e cila banon në të njëjtin fshat, dhe i kishte premtuar se do ta ndihmonte për një vend pune, duke qenë se është dhe daja i deputetes Zegjine Caushi.
Pas takimit në Roskovec, 52-vjeçari premtoi se do ta ndihmonte jo vetëm për punësimin e vajzës, por dhe në spital, pasi ajo vuan nga anemia dhe alergjia. Në 26 maj, babë e bijë shkuan për vizitë në spitalin e Fierit, por ai, duke dalë nga dera e pasme, e kishte marrë vajzën për në Tiranë, por kishte përfunduar e përdhunuar gjatë rrugës.
Për 45 ditë, thotë Enveri, vajza është mbajtur me forcë në banesën e 52-vjeçarit, por nuk kontaktoi me të, pasi mund të kishte ikur dhe me dëshirë. Por, kur është kthyer në banesë, u ka treguar prindërve se ishte përdhunuar dhe mbajtur me forcë nga 52-vjeçari. "Kërkuam urdhër mbrojtjeje, por kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme", thotë babai i vajzës.
Policia e Fierit, ndërkohë, e ka arrestuar 52-vjeçarin menjëherë pas ngjarjes së mbrëmshme, afër banesës së tij në fshatin Mbërs. Ndërsa tre familjarët e shokuar vijojnë të ndodhen në spitalin e Fierit, në pritje të drejtësisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento