Bledi Shkëmbi do të vijojë të jetë trajner i Teutës pavarësisht poshtërimit që durrsakët pësuan në transfertën e Laçit këtë fundjavë, ku u mposhtën me shifrat 5-0. Pas ndeshjes ishte vetë Shkëmbi I cili la të kuptohet se përgjegjësinë më të madhe për disfatën e kishte ai dhe si rrjedhojë do të diksutonte me drejtuesit për largimin.
Janë pikërisht këta të fundit të cilët me anë të një deklarate në faqen zyrtare kanë rikonfirmuar trajnerin korçar. Konkretisht në postimin e Teutës mesditën e së dilës thuhet:
“Trajneri Bledi Shkëmbi gëzon besimin e plotë të drejtuesve. Kështu që nga nesër ai do të vijojë punën normalisht, ku skuadra do të nisë pergatitjet në kuadër të përballjes me Flamurtarin në ‘Vlorë’, një sfidë direkte për luftën për Europë. Misioni i Shkëmbit për ta çuar Teutën në Europë vazhdon…”
Teutë në 7 përballjet e fundit në Kupë dhe kampionat ka fituar vetëm 1 ndeshje, ndërsa në Superligë mban aktualisht vendin e 3, që është edhe pozicioni I fundit që të dërgon në Kupat e Europës. Ndërkohë që menjeherë pas durrsakëve renditet Laçi, me vetëm 2 pikë më pak.