U zhduk nga Durrësi tre ditë më parë gjendet 65-vjeçari. Ali Frakulli u denoncua si i humbur, këtë të martë, në emisionin ’Pa Gjurmë’, në Report TV, ku menjëherë pas publikimit të rastit, mjaft telefonata treguan vendndodhjen e tij në qytetin e Durrësit. 65-vjeçari kishte ndryshuar itinerar dhe kishte përfunduar në Gjirin e Lalëzit, ndërsa u gjet mëngjesin e sotëm rreth orës 03:00 nga policia. Telefonatat që mbërritën gjatë emisionit ’Pa Gjurmë’ orientuan saktë vendet ku kishte lëvizur 65-vjeçari, për afro tri ditë. Lajmin e gjetjes së babait e dha i biri, gjatë një lidhje telefonike.
"Babai u gjet nga forcat policore dhe më njoftuan në orën 3 të mëngjesit. Kishte humbur rrugën dhe tani është mirë. Babai u gjet tek Gjiri i Lalëzit. Kishte kërkuar ndihmë tek qytetarët, për të ardhur në Tiranë, por nuk e kishte ndihmuar askush. Telefonatat gjatë emisionit thanë të vërtetën, sepse ai ka qenë në Durrës, nga ku ka marr serum tek ambulanca. Nga nuk ka qenë këto ditë, madje ka shkuar edhe tek banesa ku rrinim në Golem, pasi kishim shkuar për pushime", tha djali i tij.
Ali Frakulli, u zhduk pasditen së shtunës, më 18 korrik, ndërsa ndodhej me pushime në Golem të Durrësit, me bashkëshorten dhe vajzën. Ai u ngrit papritur nga lokali duke u kërkuar familjarëve se donte të kthehej në Tiranë. Bashkëshortja e ndoqi në këmbë, derisa i shoqi i humbi nga sytë. Familjarët bënë denoncimin në polici, ndërsa vendosën ta denoncojnë edhe në emisionin ’Pa Gjurmë’.
Historia e Ali Frakullit u paraqit ditën e djeshme në studion e "Pa Gjurmë".