Partitë politike shqiptare, pa përjashtim, ndodhen në një tjetër udhëkryeq të identifikimit të tyre si subjekte politike.

Zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë, të cilat gjithsesi do të mbahen në vjeshtën e këtij viti, do të shënojnë një tjetër zhvillim rrënjësor sa i përket ri-konfigurimit të skenës politike të Kosovës.

Ky parashikim duket të jetë i qëndrueshëm, duke pasë parasyshë edhe ngjarjet e javëve të fundit në politikën kosovare,veçmas tek komuniteti serb në Kosovë.

Thënë edhe më troç, politika kosovare, edhe pse në këtë rast kemi të bëjmë me përzgjedhjen e përfaqësuevse në shkallë komunash në gjithë Kosovën, do të duket më ndryshe se sa që është sot, dhe do të paralajmërojë thellimin e këtyre ndryshimeve përmes zgjedhjeve parlamentare, të cilat pritet të mbahen në pranverën e vitit 2014. Në fakt, rezultati i zgjedhjeve lokale do ta bëjë të pashmangshëm organizimin e shpejtë të zgjedhjeve të përgjithshme, më së voni në majin e vitit 2014. Matja e vullnetit të qytetarëve të Kosovës që do të ndodhë në këtë vit, poqëse natyrisht ajo nuk do të manipulohet, do ta konfirmojë paevitueshmërinë e votimit për përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.

Tek komuniteti serb në Kosovë, ndryshimet thelbësore në masë të madhe do të jenë pasojë e Marrëveshjes së 19 prillit në mes të Kryeminsitrave të Kosovës dhe të Serbisë.

Po të mos ishte kjo Marrëveshje, me gjasë, do të vazhdohej me qasjen e vjetër dhe me organizimin e njejtë të këtij segmenti të rëndësishëm të politikës kosovare. Por, siç u pa edhe kohëve të fundit, me çarjet brenda SLS-it të Sllobodan Petroviqit, në këtë komunitet do të ketë përplasje të mëdha dhe riorganizim politik, sepse pjesëmarrja e qytetarëve serbë në zgjedhjet lokale pritet të jetë më e madhja se kurrë deri më tash, para se të gjithash sepse Beogradi zyrtar do të inkurajojë përfshirjen e qytetarëve serbë në këto zgjedhje. Me siguri do të formohen subjekte të reja politike serbe në Kosovë, të cilat do të përpiqen të sfidojnë SLS-in dhe organizimin e deritashëm të skenës politike serbe në Kosovë.

Tek partitë politike shqiptare në Kosovë, ndryshimet do të duhej të reflektonte, në radhë të parë, gatishmërinë e mirëfillltë të tyre për të kuptuar se çfarë ofron realiteti i sotëm kosovar, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror, si duhet të zhvillohet demokracia tash e tutje në Kosovë, si do të duhej të funksiononte politika kosovare në vitin 2014 e më tej, veçmas në fushën e sundimit të ligjit, pas largimit të përllogaritur të EULEX-it.

Natyrisht, këtu nuk duhet harruar edhe konsekuencat e zbatimit të Marrëveshjes së 19 prillit, për të mirë dhe për të keq (nëse nuk përmbushen pritjet), si dhe ndikimi në politikën kosovare i pjesëmarrjes më masive të qytetarëve serbë në zgjedhje.

Partitë politike shqiptare, pa përjashtim, të gjitha pra, ndodhen në një tjetër udhëkryeq të identifikimit të tyre si subjekte politike.

I pari i këtij lloji ka ndodhë në vitet 2000-2006, kur pak a shumë dihej vlera politike e tyre, potenciali zgjedhor i tyre, të mirat dhe të këqijat e tyre.

I dyti udhëkryq i këtij lloji ishte pasojë e dy ngjarjeve madhore: Vdekjes së Presidentit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës dhe afrimit të pavarësisë së Kosovës.

Në atë fazën e parë, mbizotërimi politik i LDK-së, ekskluzivisht falë Dr.Rugovës, ishte tipar kryesor, me orientimin themelor statusor politik. Në fazën e dytë, PDK merr primatin me Hashim Thaçin si lider dhe Kryeministër, ndërsa tema kryesore ishte ndërtimi i shtetit të ri.

Udhëkryqi i ri, i treti me radhë pra, do të duhej të tregonte se çfarë kanë për t’i dhënë partitë politike Kosovës, në periudhën kur institucionet qendrore dhe lokale të vendit do të jenë më të fuqishme se kurrë më parë sa i përket mandatit që do të kenë, duke pasë si trashëgimi politike dobësimin e madh të fuqisë faktike politike të këtyre institucioneve, të mbërthyera me shumë probleme, me shkallën e lartë të korrupsionit, me deficitin e besimit të qytetarëve të Kosovës në to, me një ngecje reale sa i përket zhvillimit ekonomik, me mungesën e mekanizmave të njëmendtë të sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjatë të Kosovës.

Partitë kosovare, siç u kuptua edhe ditëve e javëve të fundit, do të detyrohen të mirren me sprovat të cilat deri vonë janë dukur të paimagjinueshme për Kosovën, e që kanë të bëjnë me ndërlidhjen gjithnjë e më të madhe të fesë dhe të politikës.

E gjithë kjo përballje duhet të ndodhë në kohën kur partitë politike kosovare, përbrenda tyre, janë gjithnjë e më pak homogjene, kur gjithnjë e më shumë ka mosfunksionim të brendshëm të këtyre partive, kur demokracia e brendshme është rrezikuar me të madhe.

Ky ballafaqim pastaj, duhet të ofrojë rezultate pozitive në kohën kur skena politike kosovare nuk do të ndihmohet sa dhe si duhet prej shoqërisë civile dhe prej mediave, të cilat gjithashtu qysh tash kanë telashe të shumta brenda vetes.

Vështirë është pra të parashikosh lajme të mira për vendin, për shoqërinë kosovare, së paku duke i përcjellë të gjitha këto zhvillime nga perspektiva e tanishme. Por në politikën e një vendi, vetë domosdoshmëria e kacafytjes me problemet e llojeve të përmendura tashmë, mund ta detyrojë skenën politike të tij, të ndryshojë veten, për tu aftësuar për një etapë të re të zhvillimit të asaj shoqërie.

Nuk do të ishte hera e parë (dhe as e fundit), që politika kosovare, nën trysninë e ngjarjeve, do të obligohej t’i përshtatet kërkesave të realitetit, pritjeve të qytetarëve të saj, domosdoshmërisë së gjetjes së përgjigjeve adekuate ndaj pyetjeve të shumta të cilat kërkojnë një qasje të re politike në vend.

Nga Blerim Shala