"Udhë në pasqyrë", poezitë që
kanë "zbutur" Ahmet Prençin

kanë "zbutur" Ahmet Prençin">
Më 22 tetor,u prezantua libri poetik i Ahmet Prençit, "Udhë në pasqyrë".
 
Për shumë nga pjesëmarrësit ky botim ishte surprizë, pasi duke e njohur Ahmetin të veshur me detyra të rëndësishme në organet ligjzbatuese, nuk u kishte shkuar kurrë mendja se ai shkruan poezi.
 
"Ahmet Prençi vjen me këtë vëllim poetik me një lloj traditë qe ka letërsia shqipe, tha shkrimtari Besnik Mustafaj, dhe këtu kam parasysh poetin Naim Frashërin, i cili ka qenë një nga kryeçensorët e perandorisë otomane.
 
Prençi vjen në traditën e një poezie ku "Uni" dhe "Neja" është një. Pasqyra është subjektiviteti i tij, dhe kjo është e rëndësishme për ta bërë poet".

"Ky botim është një surprizë e bukur jo vetëm për ata që e njohin nga larg autorin, por edhe për miqtë e tij, ndër të cilët e rendis veten" shkruan shkrimtari Besnik Mustafaj në recensën e librit.
 
"Të gjithë, pra, do të zbulojmë me këtë rast një personalitet tjetër të Ahmet Prençit, të cilin ai jo se na e kishte mbajtur fshehtë, por nuk kishte synuar kurrë ta nxirrte në pah."
 
"Unë e kisha njohur prej shumë vitesh si një lexues të pasionuar, shkruan Mustafaj, gjë që, siç e shihja, kishte ndikimin e vet mbi qasjen e tij ndaj njeriut, natyrës, politikës, historisë.
 
Por nuk do e kisha marrë dot me mend se ai kishte gjithashtu aftësi t’i shprehte me poezi marrëdhëniet e tij të brendshme me botën që e rrethonte. Tashmë nuk do të ketë vend të shprehim atë habinë, qoftë kjo edhe një habi e bukur, pse ai na është shfaqur gjithmonë si një prokuror ndryshe, një kryepolic ndryshe, një inspektor i kontrollit të pasurive të zyrtarëve të lartë ndryshe".
 
"Ahmet Prençin e ka “zbutur” dhe vazhdon ta “zbusë” e ta përsosë poeti që ka nën lëkurën e vet' shkruan në rencensën e tij shkrimtari Mustafaj.
 
"Poezia e Ahmet Prençit ka ndikuar shumë në fillimet e mia letrare, shkruan Agron Tufa. Një cikël poetik i Prençit, i botuar në gazetën lokale të Dibrës në fund të viteve ‘80, më pati lënë mbresa të thella. Vargje të çlirëta, me muzikalitet spontan, që rridhnin natyrshëm, me shpengimin karakteristik të frymëzimit origjinal, ato kishin ajrin e lirë të bjeshkëve dhe peizazheve të vendlindjes. Metaforat e freskëta që i hapnin udhë përfytyrimit dhe ndjenjës pa dhunën pedante dhe pa shtampat e klishetë me të cilat shtërzonte poezia e atyre viteve.

Më vjen mirë e më gëzon fakti, që këto cilësi artistike janë konservuar të padëmtuara ndër vite dhe përbëjnë tharmin e poezisë së tij në këtë vëllim.

Është shumë e vështirë të shkruash këtë lloj poezie sot, në epokën e spekulimeve dhe modave jetëshkurtra. Ta nxjerrësh thellë prej vetes këtë thelb të padhunë të poezisë së pastër, plot luhatje, kadenca e ritme, është t’i mbetesh besnik konceptit të artit si mahni, emocion e meditim njëherësh. Të shkruash si sakrificë, sikur “shkep mish” prej vetes, të shkruash nga “shapi i shpirtit” tënd".

Prezantimi i librit u drejtua nga aktori i njohur Bujar Asqeriu. Disa nga poezitë e Ahmetit u recituan plot ndjenjë prej tij dhe aktorit tjetër Xhevahir Zenelit.
Për Prençin poet foli edhe Besnik Bakiu, poeti Agim Doçi, miq dhe bashkëpunëtorë të tij.

Në fund, autori falënderoi shkrimtarët Besnik Musafajin dhe Arben Çejkun për nxitjen që i dhanë që këto poezi të shkruara në vite ti botonte në një vëllim poetik si dhe piktorin Zaim Elezi për realizimin e kopertinës.

promovimi i librit

Redaksia Online 
(M.Ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Vangjel Tavo u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës, Meta: Nuk kam asnjë mesazh për të! Grabitja e pronave në jug nuk do të funksionojë

Vangjel Tavo u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës, Meta: Nuk kam asnjë mesazh për të! Grabitja e pronave në jug nuk do të funksionojë