Ujërat e zeza në zonën e ish-kënetës në Durrës kanë dalë në sipërfaqe duke rrezikuar shëndetin e banorëve. Situata paraqitet më problematike kur ka reshje, pasi sipas banoreve ujërat e zeza depërtojnë brenda në banesa. 

Mungesa e investimeve ka bërë që disa banorë të kësaj zone të dalin në protestë. Ata thonë se era e rëndë qe vjen nga ujërat e zeza është kthyer në një makth për mbi 200 familje. Në raste të përmbytjeve, shtojnë ata, ujërat e zeza u futen brenda në banesa. 

"Vijnë ujërat e zeza mbushen kanalet. Sot këtu është diell  se po të jetë shi mbushet aty plot. Fëmijët e mi mbushen më puçrra.

 Edhe po ta shikosh te shpia imë është një gjysmë metër me ujera të zeza.

 Në kërkojmë ndihmë nga shteti, të paktën të ishin mbyllur këto 2 ose tre rrugica.

 Na janë sëmurur fëmijët, bie erë sa  do na sëmuren fëmijët", shprehen banorët. 



Banorët thonë se edhe kanali kryesor i ujërave të zeza të qytetit të Durrësit e përshkon mespërmes zonën e ish-kënetës. Era e rëndë, sidomos gjatë verës, e bën këtë zonë të pabanueshme.

Redaksia Online 
(M.Ç/shqiptarja.com)