Yatsenyuk e bëri këtë deklaratë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke kërkuar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për të riafirmuar Krimenë, si pjesë të Ukrainës.
“I bëjmë thirrje Rusië të tërheqë forcat e saj, artilerinë dhe të ndalojëfurnizimin me armë të terroristëve rusë në mënyrë që të fillojmë bisedimet e vërteta. Ne iu kërkojmë partnerëve tanë të mos heqin sanksionet deri sa Ukraina të marrë gjithë kontrollin e vendit të saj duke filluar që nga lindja e Ukrainës për të përfunduar në Krime.” – tha Yatsenyuk.
Duke folur në fund të ditës në një sallë pothuajse bosh të asamblesë prej 193 vendesh, kryeministri ukrainas i përshkroi veprimet e fqinjit të tyre më të madh kështu: “Disa muaj më parë Federata rusë aneksoi Krimenë, një vend i cili është anëtar i OKB-së dhe P5, një vend i armatosur deri në dhëmbë, thjeshtë vendosi për të rrëmbyer një pjesë toke në një Ukrainë të pavarur. Dhe nuk u ndalën me kaq. U zhvendosën më tej, në lindje të Ukrainës. Federata Ruse ka shkelur një numër marrëveshjesh ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe. Pra, ky është terrorizmi. ” –shtoi kryeministri ukrainas.
Po në këtë mbledhje, edhe presidenti amerikan Barack Obama kritikoi veprimet ruse në Ukrainë duke thënë se nëse Rusia merr rrugën e paqes, atëherë do të heqë sanksionet dhe do ta mirëpresë atë në trajtimin e sfidave të përbashkëta.
Një ditë më parë, edhe Aleanca e Atlantikut Verior tha se ka vënë re një tërheqje të konsiderueshme të trupave ruse në lindje të Ukrainës, por shtoi se ka ende forca në brendësi të Ukrainës, ndonëse është e vështirë të përcaktohet numri i tyre, pasi separatistët kontrollojnë disa pikëkalime kufitare.
Në fillim të këtij muaji, një oficer ushtarak i NATO-s tha se beson se Rusia ka mijëra trupa luftarake dhe qindra tanke e automjete të blinduara brenda Ukrainës dhe rreth 20 mijë trupa në afërsi të kufirit.
Ndërsa, javën e fundit, NATO tha se ende besohet se Rusia kishte rreth 1 mijë ushtarë brenda Ukrainës, pavarësisht uljes së këtij numri që kur filloi armëpushimi, më 5 shtator.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)