Ukraina – Përtej Samitit të Tiranës

Ukraina – Përtej Samitit të Tiranës

Zelensky dhe Rama

“Duhet të vazhdojmë të gjithë të jemi së bashku dhe të mobilizojmë lidhjet dhe kapacitetet tona. Nuk duhet ta lëmë Ukrainën të humbasë dhe Rusinë të fitojë. Një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm dhe ekzistenca e BE-së do të ishte në rrezik”, janë fjalët hyrëse të mesazhit kryesor të Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Evropës Juglindore për Ukrainën, mbajtur në Tiranë ditën e sotme 28 shkurt.

Për presidentin ukrainas kjo është vizita e parë në Shqipëri që nga pushtimi rus.

Zelensky ka vizituar vende të ndryshme javët e fundit për të mbledhur mbështetje, ndërkohë që forcat e armatosura të Ukrainës përballen me mungesë municioni dhe luftojnë për të frenuar përparimin ushtarak të Rusisë në terren.

Presidenti ukrainas arriti në Shqipëri pas një vizite në Arabinë Saudite, ku kërkoi të promovonte planin e tij të paqes dhe të diskutonte një shkëmbim të mundshëm të robërve të luftës.

Arabia Saudite ka marrëdhënie si me Rusinë, ashtu edhe me Ukrainën dhe ka ndërmjetësuar mes palëve ndërluftuese edhe më parë, duke përfshirë një marrëveshje të arritur në shtator 2022, që pa lirimin e më shumë se 200 të burgosurve ukrainas.

Njëmbëdhjetë vende nga Evropa Juglindore, duke përfshirë disa nga fqinjët e Ukrainës, morën pjesë në samitin e Shqipërisë, dy prej tyre me mesazhe online, së bashku me zyrtarë nga Bashkimi Evropian dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009 dhe ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për Kievin kundër pushtimit të Rusisë. Ishte ndër vendet e para që ofroi ndihmë ushtarake në municione dhe trajnim të ushtrisë ukrainase, që iu bashkua sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë dhe që ofroi strehim për refugjatët ukrainas.

Ky samit në Tiranë nuk vjen nga hiçi, por pas një rrugëtimi të gjatë bashkëpunimi të Shqipërisë me SHBA-të dhe BE-në, në përpjekjet e vazhdueshme për stabilitet në Rajon, në kryesinë e OSBE-së ku negociatat e para filluan me Kremlinin dhe në krah të SHBA-ve në dy vitet e kryesisë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ky samit për herë të parë në Shqipëri, vjen pas atij për procesin e Berlinit të zhvilluar për herë të parë në Tiranë, jashtë kufijve të vendeve të BE-së. Shqipëria, ende jo anëtare e Unionit, po ecën me hapa të qëndrueshëm e të fortë në rrugëtimin e integrimit.

Gjatë një vizite në Shqipëri në fillim të muajit shkurt, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vlerësoi mbështetjen e Tiranës për Ukrainën. “Ishte një nga vendet e para që dërgoi ndihmë ushtarake në Ukrainë pas agresionit rus, armëve, municioneve, automjeteve rezistente ndaj minave dhe aktualisht është një nga dhjetë vendet më të mira për frymë për sa i përket mbështetjes për Ukrainën”, ravijëzoi Blinken.

Thirrja e Zelnesky-t nga Tirana, qartësisht i referohet nevojës për ndihma ushtarake. “Siguria ne Ukrainë është siguria e Evropës”, çka direkt lidhet dhe me stabilitetin ne Ballkan.

Dhe pikërisht në këtë pikë mesazhi i Zelenskyt shkon më tutje “Vendet e Ballkanit duhet të jenë bashkë, sepse Rusia do të bëjë gjithçka për t’u përçarë”.

Siguria e Ukrainës, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe politikës, mbështetja për Formulën e Paqes dhe pozicioni i Ukrainës në Ballkan janë temat qendrore të Samitit

Sigurimi i mbështetjes së mëtejshme është çelësi për liderin e Ukrainës, ndërkohë që vendi i tij përballet me sfida në fushën e betejës. Zelensky të dielën për herë të parë njoftoi se mbi 31 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë që nga pushtimi i Rusisë (shifër që nuk përputhet me ato amerikane) duke konfirmuar numrin e humbjeve.

“Ne kemi mbi 500 kompani që operojnë në sektorin e mbrojtjes, por kjo nuk mjafton për të fituar. Mungesa e municionit ndikon në ecurinë e luftës. Prandaj ne jemi të interesuar të prodhojmë me ju dhe vendet partnere”, tha Zelensky gjatë Konferencës në Samit, duke shpjeguar se një ekip nga qeveria e tij “do të paraqesë detajet e propozimit tonë”.

Në këtë drejtim, presidenti ukrainas parashtroi edhe idenë e “një forumi mes Ballkanit dhe Ukrainës, i cili mund të organizohet ose në Kiev ose në një nga kryeqytetet tuaja”.

Nuk është apeli i parë që Ukraina u bën udhëheqësve perëndimorë për të rritur prodhimin e përbashkët të armëve dhe municioneve dhe për të përmirësuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Lufta në Ukrainë, pas rezultateve jo të frytshme të kundërofensivës në vjeshtën e kaluar ndodhet përballë një situate të vështirë. Fundi i vitit 2023 regjistroi një rënie të madhe në krahasim me vitin e kaluar, ndërkohë që mbështetja e dhënë Rusisë nga vende të treta pa rritje. Kina në mënyrë indirekte i ka ofruar Moskës disa lloje teknologjish, ndërsa vende të tjera i kanë ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake: Irani me drone dhe Koreja e Veriut me municione.

Ndërkaq tanket e fuqishme amerikane Abrams hynë në aksion vetëm javën e kaluar, pesë muaj pas mbërritjes në Ukrainë.

Muaj qartësisht të pamjaftueshëm për të trajnuar ushtarët ukrainas në përdorimin e një arme të sofistikuar si tanket Abrams. Pavarësisht stërvitjes së gjatë, disa prej tyre arritën të shkatërroheshin nga forcat ruse.

Sa më moderne të jenë materialet e shpërndara nga Perëndimi, aq më e vështirë bëhet për ukrainasit jo vetëm të mësojnë taktikat e përdorimit të tyre, por edhe mirëmbajtjen.

Debutimi i luftëtarëve F-16 është përballë të njëjtave dilema. Do të duhen të paktën nëntë muaj stërvitje për përdorimin e tyre. Për më tepër, shumë nga automjetet më efektive të dhuruara nga NATO, si raketat Himars ose armë të tjera, duhet të dërgohen çdo herë në fabrikat amerikane ose gjermane për riparime, duke mbetur kështu jashtë aksionit për muaj të tërë.

Ky dhe qëllimi ndoshta i Presidentit francez Emmanuel Macron, në organizimin Konferencës së Vendeve Aleate për Mbështetjen e Ukrainës në Paris. Sipas Macron, “objektivi është të parandalohet që Rusia të fitojë këtë luftë”, ndaj dhe dërgimi i trupave nuk mund të konsiderohet “i përjashtuar”.

Një frazë që nxiti reagimin e NATO-s, e cila shpjegoi menjëherë se nuk ka plan të dërgojë ushtarë në Ukrainë.

Por pas fjalëve të Macron qëndron pikërisht dilema që po merr formë në shumë prej kancelarive evropiane. Nëse duam që Kievi t’i rezistojë epërsisë së masës ruse të luftës, e vetmja mënyrë është të mposhtet sasia me cilësi, ndaj për këtë arsye ta pajisim atë me pajisje teknologjikisht të avancuara.

Dhe e vetmja mënyrë për të tejkaluar kohën e nevojshme në përgatitjen ushtarake për përdorimin e luftëtarëve, helikopterëve, radarëve, sistemeve kundërajrore, etj., është dërgimi i ushtarëve perëndimorë në terren. Jo luftëtarë të vijës së parë, as pilotë tankesh apo avionësh, por teknikë për mirëmbajtjen e tyre dhe oficerë që sugjerojnë taktikat më të mira për të shfrytëzuar performancën.

Pas korit të jo-ve në përgjigje të deklaratave të Macron-it është më se e qartë që ky nuk është momenti i përshtatshëm.

Pikërisht në këtë kontekst samiti i Tiranës merr akoma më shumë peshë.

Qeveritë e kuptojnë nevojën për të rritur investimet ushtarake. Evropa befas gjendet mes një zgjedhjeje të vështirë: nga njëra anë Rusia gjithnjë e më luftarake, e cila është kthyer në një ekonomi lufte ku harxhon 7% të PBB-së në buxhetin ushtarak dhe nga ana tjetër, kthimi i mundshëm i Donald Trump, i cili nëpërmjet Partisë Republikane nuk po bllokon vetëm ndihmën e re për Ukrainën, por ka vënë në pikëpyetje edhe nenin 5 të ndihmës reciproke të NATO-s.

Pranverën e kaluar Evropa premtoi të furnizonte Ukrainën me 1 milion predha 155 mm. Në rastin më të mirë vetëm gjysma e tyre do të mbërrijnë në destinacion. Analistët thonë se Avdiivka ra për shkak të një deficiti municioni. Ukrainasit po racionojnë plumbat.

Për të kapërcyer urgjencën, Republika Çeke thotë se ka “identifikuar” 800 mijë fishekë të disponueshëm jashtë Bashkimit Evropian dhe ka propozuar blerjen e tyre me një skemë të përbashkët.

Kryeministri çek tha se të paktën 15 vende evropiane janë të interesuara për këtë iniciativë. Nëse Evropa dështon, do të ishte vërtet e turpshme. Do të dështonte aty ku ia doli Koreja e Veriut, e cila i dha Rusisë 1.5 milionë plumba.

Në fillim të vitit 2024, Bashkimi Evropian më në fund miratoi paketën e ndihmës prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën deri në vitin 2027. Për më tepër, Franca dëshiron të ndihmojë në blerjen e 800 mijë fishekëve nga vendet jo-BE për t’i dërguar në Ukrainë.

Në këtë mënyrë, po tentohet të rikuperohet terreni i humbur në prodhimin e materialit luftarak, veçanërisht të municionit, për të cilin Ukraina ka nevojë absolutisht.

Sipas shtypit grek, qeveritë e Parisit, Nikosias dhe Athinës kanë bllokuar financimin për furnizimin e Ukrainës me dronët Bayraktar të prodhimit turk dhe predha artilerie, të cilët konsiderohen si pjesë e mbështetjes jetësore për Ukrainën.

Por gjithsesi prodhuesi turk i dronëve ka nisur punën për ndërtimin e një fabrike në Ukrainë, me synimin për ta përfunduar atë deri në fillim të vitit 2025, ku mendohet se do të jetë në gjendje të prodhojë 120 dronë në vit.

Nuk duhet vetëm fjala e Zelenskyt në samit, por vetë vendet e Evropës Perëndimore e kanë të qartë se pasojat e një fitoreje të Putin-it në Ukrainë do jenë më të këqija se çdo parashikim i mundshëm.

Implikimet do të ishin shumë serioze për sigurinë evropiane, sepse do të krijohej një konflikt i madh i pazgjidhur në Ukrainë, i cili do të mbetej një burim i pashtershëm tensionesh midis Rusisë dhe Perëndimit, e cila do të vazhdonte të ushtronte përveç presionit ushtarak edhe të gjitha iniciativat e saj të provokimit, frikësimit, sabotimit, dezinformimit dhe propagandës në Ukrainë dhe gjetkë, për të përkeqësuar ndarjet e brendshme politike, sociale dhe ekonomike në vendet perëndimore dhe për të dobësuar institucionet liberale demokratike.

Ndaj, mirë keq, Samiti i Tiranës edhe pati arritjet e veta. Fjala bie, nënshkrimit i Aleksandar Vuçiç në deklaratën e përbashkët, e cila nuk e dënon ndoshta Rusinë me sanksion, por e etiketon Putinin sipas përcaktimit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale: Kriminel lufte.

Arritje pati edhe në vetëdijësimin e ballkanasve vetë: Nuk keni nevojë për shembuj, u tha Zelensky gazetarëve, shihni Ukrainën dhe e kuptoni çfarë mund t’i bëjë Rusia Ballkanit.

Përfundimisht gjithsesi, po Evropa çfarë do të bëjë dhe nëse sytë e Ballkanit disi mund të jenë hapur, është zgjuar edhe zonja e vjetër nga gjumi?

Nëse po, deri ku është e gatshme të shkojë?

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore