DONETSK - Të gjithë banorët e rajonit të Donetskut, që jetojnë ose jo në zonat e kontrolluara nga rebelët prorusë, mund të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe legjislative që organizohen më 2 nëntor, njoftoi sot në Donetsk shefi i komisionit elektoral.
Gjat një konference për shtyp, Roman Liaguine, i cili drejton komisionin elektoral prej tetë anëtarësh të emëruar dje nga autoritetet e Republikës Popullore të Donetskut të vetëshpallur, theksoi se këto zgjedhje, të dënuara nga Kievi, do të zhvillohen në 600 nga 800 qendrat e votimit të shpërndara në të gjithë rajonin e Donetskut.
"Nëse nuk jetojnë në pjesën e liruar të provincës, votuesit mund të vijnë në territoret e kontrolluara nga Republika Popullore e donetskut dhe të votojnë aty. Mjafton të jenë të pajisur me pasaportën e tyre, në të cilën figuron edhe adresa brenda rajonit. Shpresojmë që qytetet si Mariupoli dhe Slavianski do të lirohen për pak kohë", tha ai duke iu referuar qyteteve që janë nën kontrollin e ushtrisë ukrainase.
Votuesit do të zgjedhin 100 anëtarë të parlamentit të Republikës Popullore të Donetskut, si dhe një president. Do të mjaftojë të mblidhen një mijë firma për t'u shpallur kandidat për postin e deputetit. Për të kandiduar si president, kandidati duhet të ketë mbi 30 vjet dhe të ketë jetuar në këtë rajon gjatë 10 vitve të fundit.
Parlamenti i Kievit kishte paraqitur javën e kaluar parimin e një statusi të veçantë që garanton më shumë autonomi për rajonet separatiste dhe zgjedhje më 7 dhjetor, oferta këto që u refuzuan menjëherë nga separatistët. Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha se shpreson që Moska nuk do të njohë votimet që synojnë të organizojnë rebelët prorusë./
/ATSH/