I rrethuar nga përfaqësues të supermarketeve, kryeministri Edi Rama tha këtë të diel, se me uljen e TVSH për produktet e shportës në 6% nga 1 janari, efekti në xhepat e konsumatorëve do të jetë i ndjeshëm.
“Është një sistem ku çmimet nuk imponohen dot nga tregu, por nga ana tjetër ka mekanizma që rregullojnë marrëdhëniet mes konsumatorit dhe tregut. Me uljen e tvsh për produktet e shportës në 6%, janë 150 milionë euro që do ti mbeten konsumatorit nuk do ti marr më arka e shtetit, do të ketë konsumatori më shumë para në xhep për të blerë më shumë”, theksoi Rama në podcastin e tij ‘Flasim’ në rrjetet sociale.
Rama tha se edhe platforma e lançuar së fundmi nga qeveria “Pasqyra e Çmimeve”, ku konsumatorët shohin çmimet e produkteve bazë, ka rritur transparencën.
Por jo vetëm. Sipas qeverisë pasqyrimi i çmimeve në këtë platformë, ka sjellë uljen çmimeve te 34% produkteve pjesë e saj.
“Pasqyra e çmimeve do të orientojë më mirë konsumatorin në këtë panoramë ofertash e çmimesh, kompanitë operatorët kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe janë të vetëdijshëm që kjo është një kohë për të parë më me kujdes ndjeshmërinë e konsumatorit, sepse ka një ngarkesë të madhe në këtë kohë ku kanalet e rrjeteve sociale po bëjnë kërdinë me sajesa”, shtoi Rama.
“Mbi 10 mijë vizitorë unikë, qëndron mbi 3 minuta, shfleton mesatarisht në 5 faqe, për 5 javë, 34% e produkteve kanë patur ulje”, tha inxhinierja e ‘Pasqyrë Albania’.
Rama solli në vëmendje edhe disa masa të tjera të ndërmarra në paketën fiskale për 2027, si heqja e taksës së qarkullimit, që do të sjellë uljen e çmimit të naftës në vend. Masat e reja hyjnë në fuqi nga 1 janari, pasi Buxheti dhe paketa fiskale e 2027 të miratohen në Kuvend më 26 nëntor.









Komente
Komento