Ulsi Manja: Dibra do t’i jape
Berishës një humbje të thellë

Ulsi Manja: Dibra do t’i jape<br />Berishës një humbje të thellë
DIBËR - Ulsi Manja, është kandidat i Partisë Socialiste për qarkun e Dibrës. Në këtë intervistë për Shqiptarja.com, Manja, shpjegon arsyet se pse dibranët, në 23 qershor, do ti besojnë Partisë Socialiste. Juristi që ka punuar me vite të tëra në administratë, në pozicione të ndryshme, tashmë thotë se e vetmja shpresë për të kthyer në vend dinjitetin e Dibranëve, është zgjedhja e Edi Ramës kryeministër të Shqipërisë. Në këtë intervistë, ai flet për fenomenin e skllavërisë nga makina a e kromit, Rrugën e Arbrit, nxitjen e investimeve sidomos në turizëm, por edhe ruatjen e votës
 
Zoti Manja, ju kandidoni nën siglën e PS në qarkun e Dibrës, por duket se nëpër vite nuk keni qenë shumë të favorizuar në këtë qark...
 Nëse do të merren faktet bardh e zi, siç ju po tentoni të pyesni, dua t’ju them se qytetarët e qarkut të Dibrës, i kanë detyruar në vite t’u japin një ndasi për të djathtën e të majtës. Por, ne që qendrojmë çdo ditë mes tyre, e kuptojmë fare mirë situatën dhe çfarë kërkojnë dibranët, matjanët e bulqizakët.

Puna e bërë gjatë gjithë këtyre ditëve, derë më derë me të gjithë qytetarët, kërkesa e tyre për një jetë më të mirë, i jep zë dhe hov rilindjes, në sensin e një uragani të madh, që do të përmbysë e marrë përpara varfërinë, që është shtruar këmbëkryq në këto zona; qytetarët që takojmë dhe ata që janë aktivizuar në këtë fushatë, shohin një shpresë dhe një dritë të re në fund të tynelit.

Shikoni gjatë këtyre dy muajve se çfarë ka ndodhur. Radhët e Rilindjes shtohen nga dita në ditë; jo vetëm me këta njerëz të fortë e të besës; djem trima e punëtorë; por edhe me gra dhe vajza, të angazhuara dhe shpresëplotë, se e nesërmja e tyre nuk do të vonojë, se gjithçka që ne do të bëjmë, nëpërmjet qeverisjes së PS, duke zbatuar programin e saj në çdo pikë, duke bërë realitet premtimet e bëra gjatë gjithë kësaj fushate, do të jetë një pikë kthese për të gjithë.

Të dhunuar, baltosur, vrarë, të lënë në mëshirë të fatit mes maleve si të pashpresë, këtij populli, po i afrohet përditë e më shumë një vizion i ri për jetët e tyre.
 
Thënë kështu, si në programin e PS, kjo duket shpresëdhënëse, por në realitet, gjërat nuk mund të ndryshojnë vetëm me një votë...
Ju jeni gabim. Vota e çdo dibrani, bulqizaku e matjani, për numrin 29 dhe Partinë Socialiste, është një shpresë për një të ardhme më të mirë për punët e gjithsecilit. Qarku i Dibrës ka pasur një problematikë të ngarkuar gjatë gjithë këtyre viteve, por a mund të më thoni, se pavarësisht sesa mbështetje i ka dhënë PD këto vite kjo zonë, a ka sot në administratën e lartë të shtetit, ndonjë intelektual e politikan të nderuar që t’i prezantojë e tu mbrojë të drejtat këtyre qytetarëve?

Sigurisht që është një pyetje retorike, e më duhet të them, se Qarkut të Dibrës, nën qeverisjen e PS, dinjiteti do ti kthehet në vend, me gjithçka duke nisur që nga niveli i përfaqësimit, deri në nivelin e mirëqenies ekonomike në çdo familje dibrane. Dhe të gjitha këto, ndryshojnë vetëm me një votë, me një votë, që ju garantojmë se në këto zgjedhje, jo vetëm do të shkojë për programin më të mirë, por edhe për njerëzit më të kualifikuar, për ata që rrinë çdo ditë mes banorëve të këtyre zonave dhe që i njohin hallet e tyre deri në detaje.
 
Le të ndalemi në Dibër, aty ku ju personalisht po kërkoni votën. Cilat janë problematikat kryesore?
Gjithçka është problematike. Kryeministri në ikje Sali Berisha e ka lënë edhe këtë zonë në braktisje të plotë. Investimet të paktën në dy fusha kryesore, blegtori e frutikulturë, kanë qenë thuajse inekzistente. Dhe Berisha përpara se të merret me pseudoprojektet që nuk i ka bërë asnjëherë për arrore, mbjellje shegësh, apo ullinjsh, duhet të kthejë sytë nga qyteti i Dibrës, aty ku janë me tonelata qershish që po hidhen për shkak të mungesës së politikave të mbledhjes së tyre, dhe përdorimit nga biznesi në fushën e tyre.

Nuk ka pasur politika të qëndrueshme as për blegtorinë, për ata qindra e qindra qytetarë të Dibrës që merren me blegtori. Programi i PS të paktën në këto dy fusha është i qartë, dhe me zërin e katër deputetëve që do të marrë PS në qarkun e Dibrës, ne do të arrijmë që nëpërmjet politikave, legjislacionit por edhe lobimit, të bëjmë më të mirën për fermerë dhe blegtorë të këtij qarku.

Pse zoti Manja, ju synoni 4 deputetë në qarkun e Dibrës?
Unë jam i bindur se PS do të marrë katër deputetë në qarkun e Dibrës. Nuk i synojmë, por mbështetja e gjerë e këtij populli që e mban fjalën, do ta bëjë realitet një gjë të tillë.
 
Meqënëse jemi te hallet e problemet, çështja e kromit, duket se është një situatë që më shumë favorizon kandidatët qeveritarë sesa opozitën? E pse? Për shkak të shfrytëzimit pa kriter të minierave të Bulqizës?
Për shkak të një mendësie primitive të kësaj qeverie që të vjedhë e të rrjepë, madje pse jo, të vrasë popullin e ndershëm e të punës të Bulqizës në interes të të mirave materiale të disa qeveritarëve dhe biznesmenëve që u vijnë pas? Çfarë ka ndodhur deri tani me denoncimin më të madh të të ashtuquajturit skandal të “mafies së kromit”, një megaaferë e denoncuar nga funksionarë policie, por edhe nga media, e ku janë përfshirë zyrtarë, kryekomunarë, doganierë, policë, prokurorë etj etj.

Qeveria e Partisë Socialiste, me kryeministër Edi Ramën, do t’i japë fund praktikës abuzive të kësaj qeverie në ikje, që kërkon të vjedhë deri orën e fundit kur do të ketë këtë detyrë. Qeveria e PS, do ti kthejë reputacionin e dinjitetin çdo bulqizaku, apo çdokujt tjetër në qark. Ne do të dimë të administrojmë pasurinë e madhe të të gjithë Shqiptarëve, me procedura të ndershme, me konkurrencë të ndershme, pa shfrytëzim të njeriut nga njeriu, por me projekte konkrete që do të hapin vendet e reja të punës, dhe do të bëjnë më të mirën për cdo punëtor të atyre minierave.

uk do të të ketë punëtorë të pasiguruar, as fëmijë që në përpjekje për të fituar bukën e gojës të humbin jetën në këto miniera. Kjo praktikë, do të marrë fund njëherë e përgjithmonë, në vendosjen e shtetit ligjor, mbi baza të shëndosha, duke luftuar korrupsionin e duke ngritur një sistem tërësisht të ri. Sepse, në ato vende, sërish do të punojnë bulqizakë apo të tjerë që vijnë nga zona të ndryshme. Por, siguria dhe jeta e tyre, për ne, kanë më shumë rëndësi, sesa shfrytëzimi për interesa të vogla dhe meskine.
 
Po për Rrugën e Arbrit, të dyja forcat politike e premtojnë por asgjë nuk është bërë...
E thatë mirë se asgjë nuk është bërë. E ç’mund të presësh nga një qeveri në ikje që deklaron se ka bërë mbi 10 mijë kilometra rrugë, kur në fakt nuk numëron dot as 2000 kilometra. Ne e kemi deklaruar në disa takime ku ka qenë edhe kryetari i PS dhe kryeministri i ardhshëm Edi Rama.

Rruga e Arbrit, do të bëhet realitet gjatë qeverisjes së PS, sepse vetë kryeministri i ardhshëm e ka prekur nga afër dhe ka dëgjuar dëshirën e këtyre njerëzve për të qenë faktor i rëndësishëm në akset kryesore rrugore në Shqipëri. Nuk do të jetë një qark i bojkotuar dhe i lënë si në mëshirë të fatit, por një rreze shprese e drite për këdo që do të dojë të investojë e të jetojë aty.

Ne kemi vendosur që pasuritë e mëdha e të bukura turistike të këtij qarku, ti vëmë në funksion të biznesit të mesëm e të vogël. Me projekte të reja, me një vizion të ri, do të dimë të rrisim turizmin: ti orientojmë qytetarët tanë drejt gatimit tradicional, drejt guidave turistike për të pasur sa më shumë vizitorë në këtë terren që e kemi dhuratë nga zoti, duhet ta mirëmbajmë nga duart e këtyre njerëzve punëtorë, e duhet t’i japim vlerën dhe vendin që i takon në gjithë panoramën e përgjithshme të vendit tonë.
 
Në fakt, një ndër problemet e diskutuara më shumë kohët e fundit, është çështja e ruajtjes së votës. Në zona të thella, gjithmonë është folur për votimin familjar...
Unë u premtoj të gjithë qytetarëve të qarkut të Dibrës, se vota e tyre e hedhur në kuti, do të jetë e shenjtë, do të ruhet, dhe nuk do të lejohen në asnjë rast, praktikat e shëmtuara që nuk e bëjnë Shqipërinë më evropiane, por na kthejnë shumë vite më pas. Të rinjtë e të rejat e angazhuara në këtë fushatë të Partisë Socialiste, dhe janë qindra e qindra të rinj, janë angazhuar për të dhënë informacione derë më derë, për të kthyer besimin e qytetarëve te vota, dhe po ashtu, për të kultivuar besimin e tyre te Partia Socialiste.

Berisha do të marrë nga qarku i Dibrës goditjen e tij më të thellë. Sepse të gjithë e provuan sesi nuk punoi në asnjë çast për qytetarët e kësaj zone gjatë këtyre tetë viteve, edhe pse ka pasur mbështetje të vazhdueshme. Vetëm Partia Socialiste, dhe kryeministri Edi Rama, do të vendosë qarkun e Dibrës në vendin që i takon, në qoshen kryesore të sofrës së madhe tonën, që e ka emrin Shqipëri.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)