/ATSH/.- Ministrja për Dialogun Edita Tahiri, zhvilloi sot një takim me drejtoreshën e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore, Ingibjorg Solrun Gisladottir dhe Flora Macula, udhëheqëse e UNWomen në Kosovë, në të cilin u bisedua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe angazhimet e përbashkëta për fuqizimin e rolit të grave në proceset e bashkëpunimeve rajonale.
Sipas KosovaPress, ministrja Tahiri, e cila njëkohësisht është edhe Kryetare e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore, foli për progresin dhe sfidat e procesit të fuqizimit të grave, duke thënë se Kosova ka bërë përparime në këtë drejtim, por duhen angazhime të shtuara për avancimin e pozitës së grave, sidomos në vendimmarrje.
"Lobi Rajonal i Grave mbetet i përkushtuar për fuqizimin e grave në vendimmarrje dhe proceseve paqësore në mbarë rajonin, sepse fuqizimi i grave është një investim strategjik për proceset zhvillimore dhe integrimet euro-atlantike për të gjitha vendet e rajonit", theksoi ministrja Tahiri.
Ajo falënderoi UNWomen për mbështetjen e vazhdueshme të axhendës së grave dhe vlerësoi lart partneritetin strategjik mes UNWomen dhe Lobit Rajonal të Grave (RWLSEE).
Drejtoresha e UN Women znj. Gisladottir vlerësoi punën e Lobit Rajonal të Grave dhe kontributin e madh që po jep në avancimin e pozitës së grave në vendet e rajonit, si dhe për promovimin e bashkëpunimit rajonal në mesin e grave politikane dhe shoqërisë civile, për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Ajo premtoi vazhdimin e mbështetjes për axhendën e Lobit Rajonal të Grave