Bashkia e Tiranës po vijon punën për të kompletuar banesat sociale ku do të strehohen familjet që preken nga projekti i “Unazës së Madhe”. Së fundmi, asaj i është bashkuar në këtë nismë edhe një kompani, e cila iu ka dhuruar konkretisht pajisje elektro-shtëpiake 50 familjeje që po sistemohen në banesat e reja.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu mirënjohjen e tij ndaj kompanisë në fjalë dhe tha se falë donacionit, tanimë familjet e zonës së “Astirit” do të kenë një jetë më të mirë. Veliaj deklaroi më tej se puna për ndërtimin e “Unazës së Madhe” nuk do të ndalet, por paralelisht do të bëhet edhe plotësimi i të gjitha nevojave sociale për familjet që preken nga ky projekt.
Për ta është një fillim i ri, edhe për qytetin është një fillim i ri. Ideja është që edhe rruga të bëhet, por edhe të gjitha nevojat sociale të përmbushen. Kështu që, sot me këto 50 komplete elektroshtëpiake, dhe të tjera që kompania do të na i sjellë në dispozicion, si në banesat që do të jenë me bonus qiraje, ashtu edhe në ato që janë banesat sociale në Shkozë, do të kemi kompletim me kushte shumë herë më të mira sesa shtëpitë që po lëmë pas tek “Astiri”, që do t’i hapin rrugë ‘Unazës së Madhe'.
Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës
Kryebashkiaku u bëri thirrje të gjitha kompanive dhe qytetarëve të Tiranës që t'i ndihmojnë njerëzit në nevojë, duke kontribuar.
E di që nevojat nuk mbarojnë kurrë, por ama edhe bujaria nuk mbaron asnjëherë. Nëse një kompani mund të japë një pjesë të bollëkut dhe të begatisë së vet, jam i sigurt se mund ta bëjnë edhe kompanitë e tjera. Kush ka mobilje për të dhuruar, kush ka sete dhe komplete vesh-mbathjesh për të dhuruar, duam që kjo stinë e festave të mos gjejë asnjë njeri në rrugë, që Bashkia të bëjë të gjithë paketën sociale dhe të lejojë më pas qeverinë që të bëjë paketën e investimeve.
Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës njoftoi ditën e djeshme përmes rrjeteve sociale se u prishën dy banesa pa leje në "Unazën e Re". Aksioni i prishjes së banesave pa leje do të vijojë edhe në ditët në vijim, për të bërë të mundur zhvillimin e projektit "Unaza e Madhe".
Komente










