Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon me akuzat në drejtim të kryeministrit Rama dhe kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj në lidhje me projektin te Unaza e Re. Lideri i PD shprehet përmes një statusi në Tëitter se Rama dhe Veliaj firmosën për të zhvendosur shtratin e Lanës dhe për të prishur shtëpitë e mbi 200 familjeve që t’i hapin rrugë projektit të mikut të tyre trafikant droge.

“Rama dhe Veliaj firmosën për të zhvendosur shtratin e Lanës dhe për të prishur shtëpitë e mbi 200 familjeve! Këtë e bënë vetëm që t’i hapin rrugë projektit të mikut të tyre trafikant droge, ku do të pastrohen 60 milion euro të krimit. Ndaj ata nuk e duan Vetingun në politikë” shprehet Basha, që e shoqëron statusin me akuzat me një video, ku sipas tij tregon ndryshimin e projektit.

Sipas Partisë Demokratike në sistemin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, rezulton se është dhënë leje ndërtimi për zonën TR/228, që sipas PD është zona ku biznesmeni Edmond Bego do të ndërtojë një kompleks pallatesh me vlerë 60 milionë euro (lexo këtu).

Ndryshimi i projektit dhe zhvendosja e Lanës për Begon, tha Basha mbrëmë (lexo këtu) bëri që të preken banesat e qytetarëve. Basha deklaroi se kryeministri Edi Rama do mbajë përgjegjësi ligjore, ndërsa paralajmëroi se kur PD të vijë në pushtet do anulojë koncesionet.

Nga ana tjetër Bashkia e Tiranës akuzon kryetarin e opozitës se i ka dhënë leje vetes kur ishte kryetar bashkie për ndërtimin e katit të 13-të te apartamenti ku banon, në konflikt të hapur interesi (lexo këtu).

Dy ditë më parë, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Basha nuk ka paguar as taksat për shtesën që ka bërë mbi pallat, ndërsa paralajmëroi se nesër do t'i shkojë gjoba, por edhe vendimi për prishjen e shtesës (lexo këtu). Lulzim Basha u mundua të shfajësohej se kishte marrë miratimin, por dje u zbulua se ILDKP-ja e kishte informuar Bashën që në 2014 se leja e ndërtimit dhënë vetes është në konflikt interesi (lexo këtu).