Unioni i Gjyqtarëve ka dalë hapur kundër ligjit të Vettingut. I pezulluar nga Gjykata Kushtetuese dy javë më parë, gjyqtarët kërkojnë rrëzimin e ligjit, pasi sipas tyre bie ndesh me ligjin themeltar të shtetit.

Qëndrimi është zyrtarizuar gjatë mbledhjes së Asamblesë së Unionit të gjyqtarëve të Shqipërisë. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat thuhet se, "ligji për Vettingun ka papajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe për pasojë, do t'i kërkojë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e këtij ligji".

Gjithashtu, asambleja autorizoi Bordin Drejtues që të shqyrtojë edhe ligjin për Statusin e Gjyqtarit dhe Prokurorit pasi, në disa pjesë të tij edhe ky ligj vjen në kundërshtim me dispozitat kushtetuese.

Seanca ku do dëgjohen gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit të Vettingut, është caktuara data 22 Nëntor. 

Gjykata Kushtetuese pezulloi ligjin e Vettingut në 25 Tetor, duke pranuar një prej kërkesave të Partisë Demokratike të cilët kërkuan pezullimin e ligjit dhe shpalljen e tij antikushtetues. Krahas pezullimit të ligjit, Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias për të marrë një opinion përfundimtar, nëse kjo gjykatë mund ta shqyrtojë këtë ligj duke qenë se gjyqtarët e saj preken nga “Vettingu” dhe natyrshëm janë në konflikt interesi.  

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com