Dita e hënë do të jetë edhe afati i fundit për dorëzimin e dosjeve, për të gjithë studentët të cilëve iu është mbyllur universiteti nga MAS. Sipas një udhëzimi të nxjerrë pak ditë më parë nga Ministria e Arsimit të gjithë ata studentë të cilët i kanë të plot dosjet e tyre mund të transferojnë studimet drejt universiteteve publike.

Sipas të dhënave, rreth 6 mijë studentë të universiteteve të mbyllura private janë në pritje të transferimit të studimeve. Fakultetet publike janë duke kryer ekuivalentimin e programeve dhe krediteve. Nëse ato nuk përputhen, studentet e institucioneve private mund të japin provime shtesë madje dhe të humbin disa vite shkollë.

Jo të gjithë studentet e institucioneve private do të hyjnë në universitete publike. Një pjesë e tyre nuk kanë kryer gjimnazin dhe nuk kanë diplomën e shkollës së mesme. Të tjerë nuk figurojnë si studentë, ndërsa pjesa e mbetur do t’i nënshtrohet edhe kriterit të notës mestare. Ndërkohë në datën 10 tetor pritet të shpallen kuotat e pranimeve të këtyre studenteve në shkollat e larta publike.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com (versioni print) më 28.09.2014

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)