Universiteti i Tiranës dhe i Prishtinës
 thellojnë bashkëpunimin midis tyre

Universiteti i Tiranës dhe i Prishtinës<br /> thellojnë bashkëpunimin midis tyre
Dy universitetet më të mëdha në Shqipëri dhe Kosovë, Universiteti i Tiranës dhe ai i Prishtinës do të thellojnë më tej bashkëpunimin midis tyre. Rektori i Universitetit të Tiranës,  Mynyr Koni dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës,  Marjan Dema, firmosën një marrëveshje bashkëpunimi gjatë një ceremonie të organizuar ditën e sotme në mjediset e Universitetit të Prishtinës. Në këtë ceremoni,  shoqërohej nga Zv. Rektori  Shezai Rrokaj si edhe dekanët e të gjashtë fakulteteve të Universitetit të Tiranës si një shprehje vlerësimi dhe vendosmërie për të shtrirë bashkëpunimin me palën kosovare në të gjitha fushat.

Gjatë ceremonisë, Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, tha se ai i kushtonte një rëndësi të veçantë bashkëpunimit në nivel universitar në të gjitha aspektet me Universitetin e Prishtinës. Në këtë kuadër, Koni vuri në dukje faktin se do të ndiqte vetë hap pas hapi zbatimin e kësaj marrëveshje në mënyrë që frytet e para të merreshin që në vitin e ardhshëm akademik 2016-2017. Sipas tij, bashkëpunimi mund të zhvillohet nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, midis të cilave përfshihen kërkime bashkëpunuese, leksione dhe simpoziume, shkëmbim studiuesish dhe kërkuesish shkencorë, shkëmbim të publikimeve shkencore në fushat, të cilat janë në interes të të dyja palëve për të përditësuar informacionin, etj.

Në këtë takim, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema u  shpreh: “Konsiderojmë se bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës është i një rëndësie të veçantë. Ka shumë fusha ku ne mundemi jo vetëm të bashkëpunojmë, por edhe të intensifikojmë punën tonë të përbashkët në interes të të rinjve, shkencës, dijes dhe gjenerateve të ardhshme”.

Universiteti i Prishtinës shprehu gjithashtu gadishmërinë dhe disponueshmërinë për bashkëpunim dhe në të njëjtën kohë kërkoi mbështetje edhe nga Tirana. Në fjalën e tij, Dema theksoi: “Bashkëpunimi ynë para se gjithash duhet të jetë bilateral, e në raste të tjera, bazuar në rrethanat politike, aty ku zëri i Prishtinës nuk mund të dëgjohet, presim që Universiteti i Tiranës të jetë zëri ynë dhe ofruesi i partneritetit shkencor dhe akademik.

Më pas, Rektori i Universitetit të Tiranës,  Mynyr Koni dhe delegacioni që e shoqëronte u pritën në një takim nga Ministri i Arsimit,Teknologjisë dhe Kërkimit Shkencor të Kosovës, Arsim Bajrami. Në këtë takim, Rektori Koni e falënderoi Ministrin Bajrami për pritjen e ngrohtë që u kishte rezervuar si edhe e informuan atë mbi marrëveshjen e nënshkruar me Universitetin e Prishtinës, dhe projektet e së ardhmes për të rritur më tej bashkëpunimin akademik dhe shkencor me Kosovën.

Ministri Bajrami shprehu vlerësimin dhe bindjen e vetë se zbatimi i marrëveshjes do të fillojë së shpejti dhe se ajo do të jetë e suksesshme.

Redaksia Online 
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Putin dhe ëndrra për Ukrainën si një shtet kukull i Moskës! Plani i tij për të pranuar armëpushimin

Putin dhe ëndrra për Ukrainën si një shtet kukull i Moskës! Plani i tij për të pranuar armëpushimin