Uragani Rama mbi 2 Marsin:
Berisha përdhunoi Shtetin

Uragani Rama mbi 2 Marsin: <br />Berisha përdhunoi Shtetin
TIRANE – Kryeministri Berisha foli si perçarës e sundues në Lezhë duke përdhunuar vlerat kombëtare të Besëlidhjes. Akuza vjen nga lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një editorial të firmosur prej tij. “Një shtet i qesharakëzuar deri në dhimbje u shfaq si një trup pa kokë për të nderuar heroin e vet më të madh dhe foli me gojën e përçartur të një prijësi delirant”, shkruan Rama, duke reaguar ndaj mohimit nga ceremonia që iu bë Presidentit të Republikës Bamir Topi.
 
Berisha “u shfaq dje para varrit të Heroit Kombëtar si një sulltan ngadhnjimtar me kokën e prerë të Presidentit të Republikës ngulur mbi shtizën e flamurit të Besëthyerjes, pasi e flaku një natë më parë figurën e unitetit kombëtar në kanalin e ujërave të pistë që rrjedhin mes plehrave vetëm pak metra nga Përmendorja ku ndodhet varri i shenjtë”, thotë lideri socialist.

Në vijim editoriali i tij i plotë.


BESETHYERJA

Zor të gjesh sado të gërmosh në historinë e shteteve që meritojnë të quhen të tillë, një shfaqje të turpshme të mungesës edhe formale të shtetit si ajo e 2 marsit të djeshëm në Lezhë. Kremtohet Besëlidhja e famshme e Skënderbeut dhe shteti shqiptar i pesë shekujve e gjysëm më vonë shfaqet para varrit të Heroit Kombëtar si shëmbëlltyra më e zhgarravitur e vetvetes.

Në asnjë fshat sado të prapambetur të Shqipërisë, ku vlera e një ngjarjeje të kujtuar bashkarisht në vite bashkon edhe hasmit në ritualin përkujtimor, s'mund të ndodhte ajo që ndodhi me shtetin shqiptar bash në vitin e pesëqind e gjashtëdhjetë e tetë të kremtimit të një dite të shënuar fort ku u mboll fara e bashkimit të shqiptarëve për lirinë e tyre si komb. Një shtet i qesharakëzuar deri në dhimbje u shfaq si një trup pa kokë për të nderuar heroin e vet më të madh dhe foli me gojën e përçartur të një prijësi delirant që pas vetes kishte vetëm partinë e tij, një gjysëm edhe ajo e çarë e trupit të Shqipërisë që rreket me pahir të mishërojë krejt Shqipërinë. Koka e shtetit u pre një natë më parë që Shqipëria të mos fliste para varrit të Heroit Kombëtar me gjuhën e unitetit kombëtar, të cilin Kushtetuta e Republikës së sotme shqiptare e përcakton qartësisht të shprehur përmes figurës së Presidentit të Republikës.

Gjakimi për pushtetin dhe era e gjakut që po vlon brenda trupit të çarë të Partisë Demokratike, e kanë çakërdisur kreun e qeverisë shqiptare deri në pikën sa të mos bëjë më dot asnjë dallim qoftë edhe formal mes vetes e shteti, po ta shohë shtetin vetëm si një zgjatim atavik të vetes. Ashtu siç në fakt është katandisur shteti shqiptar, një grumbull ndërtesash ku turma e ndjekësve të tij janë strehuar si në kështjellën e pushtuar të Krujës për të ndarë paratë e rrogave, për të mësyrë pronat e pasuritë e banorëve anepërqark, për të shkelur liri e të drejta dhe mbledhur bakshishe nga çdo hallexhi që kërkon të heqë shqelmin e shtetit prej fyti për të marrë pak frymë. Kryeministri i sotëm i Shqipërisë u shfaq dje para varrit të Heroit Kombëtar si një sulltan ngadhnjimtar me kokën e prerë të Presidentit të Republikës ngulur mbi shtizën e flamurit të Besëthyerjes, pasi e flaku një natë më parë figurën e unitetit kombëtar në kanalin e ujërave të pistë që rrjedhin mes plehrave vetëm pak metra nga Përmendorja ku ndodhet varri i shenjtë.

Me sytë që nuk fshihnin dot tërbimin e brendshëm dhe gojën që nuk përmbante dot përpjekjen për t'u njësuar përçart me vetë Skënderbeun, ai e mbajti fjalimin që nuk i takonte as me zakon, as me Kushtetutë, as me protokoll shtetëror, duke e njollosur 2 marsin me gjakun e çarjes së Partisë Demokratike. Foli si një përçarës e sundues duke përdhunuar vlerën kombëtare të asaj ngjarjeje historike dhe duke mos ngurruar ta kthejë edhe varrin e Skënderbeut në skenën e shfaqjes së përditshme mediatike ku është ai edhe vetëm ai që flet, përflet, stërflet, në emër të historisë e të lirisë e të çdo gjëje që i vjen ngoje. Oborrtarët përreth bënë si përditë sfondin memec të ritualit bajat, duke pritur përfundimin e shfaqjes për t'u rikthyer në kështjellën e pushtuar të shtetit dhe rifilluar me qokat, bakshishet, plaçkitjet e gostitë që i mbajnë lidhur me sulltan Saliun në këmbim të të gjitha fijeve të dinjitetit njerëzor, të cilat i kanë lënë kapar në duart e tij.

E tërë kjo ëndërr e pështirë otomane u zhvillua para syve të shqiptarëve në ditën për diell të Shqipërisë së shekullit XXI, të Shqipërisë në NATO, të Shqipërisë që troket në dyert e Bashkimit Europian. Në dyert që mbeten të mbyllura prej tre vjetësh jo sepse, siç thotë kryeministri ka një opozitë që i pengon të hapen, po sepse ka një shtet të rënë gërrmuq nën shalën e sulltanit të sotëm të Shqipërisë që nuk ka as përmbajtje e as formë për t'u bërë shtet anëtar i Bashkimit Europian. Një shtet që nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme, po përkundrazi turret si ushtri jeniçerësh për t'i vjedhur zgjedhjet. Një shtet që nuk lufton dot krimin e korrupsionin, po përkundrazi turret me batalione xhebelunjsh, dallkëllëçësh e serdengjeshtlerësh për të vrarë, therur, djegur, përdhunuar e plaçkitur në mes të ditës. Një shtet që nuk garanton dot drejtësi, po përkundrazi lëshohet mbi qytetarët me hordhitë e gjykatësve kadilerë dhe taksidarëve xhelepqarë për t'i dhunuar e rrjepur në emër të Sheriatit.

Se pse Bashkimi Europian nuk mund të pranojë në tryezë një karikaturë të tillë të shtetit kjo është e qartë për këdo që lexon me radhë 12 rekomandimet e Komisionit Europian dhe jo fermanët e përditshëm të Portës së Kryeministrisë kundër opozitës. Po se si ata shqiptarë që dëgjojnë symbyllur muzikën me një tel të propagandës së Sulltan Saliut vazhdojnë të mjaftohen me fajësimin e opozitës, kjo mbetet një problem serioz për t'u zgjidhur në kushtet kur një luzmë e tërë ahengxhinjsh të oborrit u bien daulleve të shiut e të breshërit për të shurdhuar të vërtetat e dala lakuriq në sytë e të gjithëve.

Megjithëse, në fakt, edhe ceremonia e djeshme tregoi se radhët e hosanaxhinjve të sulltanit s'janë më të shtrënguara si më parë dhe ka plot ndër ta, demokratë të ndërgjegjësuar apo thjesht shqiptarë më në fund syhapur, që po e braktisin turmën e ndjekësve pa kushte të kryeministrit duke kërkuar në të tjera drejtime realizimin e ambicieve e aspiratave të tyre për një Shqipëri demokratike. Edhe trupi pa kokë i shtetit shqiptar në atë ceremoni, edhe një turmë që disa qindra metra më tutje kërkonte njësimin me Heroin Gjergj për t'u shkëputur nga Tradhëtari Sali, janë prova e fillimit të shturrjes së radhëve të Partisë Demokratike. Megjithatë, një gjë është e sigurtë: As ata që po ikin e do të ikin për të ndjekur pas Presidentin e flakur të Republikës, as ata që kanë zgjedhur të zëvendësojnë flamurin bardheblu të Partisë Demokratike me kuqezinë e flamurit kombëtar, nuk mund të sjellin një Rilindje Shqiptare po në rastin më të mirë vetëm të krijojnë kushtet për lindjen e një të djathte të re shqiptare.

Sigurisht është herët për të folur se si mund të jetë një e djathtë bashkëfajtorësh në vite, madje deri shumë vonë, me dhunuesin e përçarësin e sotëm të Shqipërisë. Por padyshim mund të thuhet qysh sot se një e djathtë që lind nga heshtja e gjatë e jo nga përpjekja e mundimshme djathtas, apo që mbështjell kuqezi anakronizma nacionalpopuliste e mllefe të vjetra vetjake, është larg së qeni e djathta europiane që i nevojitet dëshpërimisht shqiptarëve me zemrën djathtas.

Sidoqoftë nuk është problemi ynë se si do të ngjallet e djathta nga varri ku e ka kyçur sekretari i zellshëm i Enver Hoxhës. Vetë Shqipërisë më shumë se sa çdo të ndodhë me copat e ndara të trupit të rrëgjuar të Partisë Demokratike, i duhet si drita e diellit një Rilindje Shqiptare. Për të cilën ne socialistët e progresistët, bashkë me partnerët tanë të majtë e të djathtë të Aleancës për të Ardhmen, jemi gati të nënshkruajmë një kontratë qeverisëse me çdo shqiptar. Me një program të ri për ndryshimin radikal që do të sjellë rivendosjen e demokracisë, rimëkëmbjen e ekonomisë, ripërtëritjen e shoqërisë dhe ribashkimin me Europën. Me një ekip të aftë për përballimin e sfidave të ndryshimit, mishërim i një reflektimi serioz ndaj gabimeve të së shkuarës dhe përgjegjësie për të ardhmen. Me një lidership të vetëdijshëm për nevojën e mbylljes së kapitullit të stërgjatë të përçarjes mes shqiptarëve. Me çdo shqiptar të gatshëm për t'u bërë zot i fatit të tij në një Besëlidhje të Re Shqiptare.
(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin