Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli sërish për urdhër-arrestin e lëshuar nga SPAK për drejtoreshën e Shërbimin Informativ Shtetëror, Vlora Hysenin, gjatë një takimi me militantët në Vlorë.
Duke e quajtur Hysenin ‘shërbëtore të krimit’, Berisha tha se drejtoresha e SPAK u ka dhënë bandave kriminale mjete për regjistrime e filmime, të blera me taksat e shqiptarëve.
“Çdo ditë dalin dëshmitë më rrënqethëse se si kurrë më parë shqiptarët sot janë në pushtimin e krimit, të një regjimi kriminal. Del se kreu i SHISH që ka detyrë më kryesore sigurinë kombëtare, sigurinë e gjithanshme, është një ushtare e shpifur e krimit të organizuar. I jepte bandave dhe krimit të gjitha mjetet që bliheshin me taksat tuaja të regjistrimeve, të filmimeve, të survejimeve, për ata që kërcënonin rrezikun”, tha mes të tjerash Berisha.
Më tej Berisha foli edhe për kontrollet në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Prodës, ku tha se atij iu gjet një snajper super-special.
Për Berishën, të gjitha veprat penale në të cilat përfshihen zyrtarët e lartë shtetërorë, ndodhin në dijeni të plotë të kryeministrit Edi Rama.
“Ish-drejtori i Policisë që iu kontrollua banesa, gjendet me snajper super special në banesë, i blerë në funksion të sigurisë së qytetarëve, por kurrë për një person të caktuar. Një gjë do t’u them, se çdo gjë që keni dëgjuar dhe do dëgjoni për Belinda Ballukun, për Vlora Hysenin, për Ermal Beqirin, Ergys Agasin, në mënyrë absolute të gjitha janë bërë nën urdhrat e Edi Ramës. Asnjë prej tyre nuk është bërë pa urdhrin e tij. Shqiptarët do mësojnë shumë e shumë gjëra të tjera, nga aktet e shëmtuara kriminale të kësaj bande. Para saj ne jemi forca politike me detyrim madhor të shpëtojmë vendin”, tha mes të tjerash Berisha.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi kryesor:
REAGIMET/ Arresti për drejtoreshën e SHISH, Berisha: Akt tradhtie, informacionet edhe armiqve të NATO-s, jo vetëm krimit! PL: Ra siguria kombëtare









